Pas 1 tetorit fillon plotësimi i Formularit A3, sot afati i fundit për regjistrimin e fituesve

    420
    Sigal

    Zyrtare/Arrin në 21 000 numri i fituesve që janë regjistruar on-line për në universitete

    Afati i vendosur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për regjistrimin on-line të fituesve për në universitete nga data 18-23 shtator është shtyrë edhe për 24 orë. Një fakt të tillë e bën të ditur për “Telegraf”, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj. Një shtyrje e tillë e afatit është për t’i dhënë më shumë kohë fituesve, të cilët nuk kanë arritur që të kryejnë regjistrimin e tyre për arsye të ndryshme. “Është marrë ditën e djeshme vonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës vendimi për shtyrjen e afatit edhe me një ditë më shumë, për arsye që të mos digjen ata fitues që nuk kanë arritur që të regjistrohen. Duke qenë se dita e djeshme ishte e diel, është parë e arsyeshme që të shtyhej edhe për ditën e hënë regjistrimi, duke qënë se në fillim të javës ka më shumë lëvizje”, ka theksuar zoti Harizaj. Ai ka bërë të ditur se deri ditën e djeshme kanë qënë të regjistruar afërsisht 21000 fitues në total. Ndërkohë që, nga këto 21 000 afërsisht 3000 janë regjistruar pranë sekretarive të fakulteteve. Zoti Harizaj u ka bërë apel të gjithë fituesve që nuk janë regjistruar që të paraqiten për të bërë regjistrimin, për të mos humbur shansin për të studiuar në vitin e ri akademik.

    Rastet kur nuk je në listën e të regjistruarve

    Të gjithë maturantët që nuk kanë kryer regjistrimin on-line në dy opsionet përkatëse: konfirmoj regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar ose dëshiroj të kaloj në një preferencë më të lartë, nuk do të jenë pjesë e listës përfundimtare të fituesve. Burime nga MASH kanë bërë të ditur se, të gjithë kandidatët që nuk e kryejnë regjistrimin on-line do të dalin nga sistemi dhe nuk do të kenë mundësi të vijojnë studimet në universitetet publike për vitin akademik 2012-2013. Regjistrimi on-line i fituesve të universiteteve është një risi e këtij viti akademik. Kjo do të thotë se ata mund të regjistrohen me anë të një kompjuteri që ka internet pa patur nevojën të shkojnë pranë sekretarive të universiteteve. Regjistrimi i ofron mundësinë një studenti fitues në fazën paraprake në njërën nga preferencat e zgjedhura me anë të Formularit A2, të regjistrohet përfundimisht në atë program. Këtë ai mund ta realizojë gjatë aplikimit on-line duke klikuar mbi “Konfirmoj regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar”. Për të aplikuar on-line është e nevojshme një adresë e-mail, pasi në këtë adresë, studentit i shkojnë username dhe passvvord me të cilat ai mund të futet në sistem. Në këtë adresë e-mail-i atij i shkojnë edhe mesazhet për zgjedhjen e statusit të regjistrimit “i përkohshëm” apo “përfundimtar”.

    Dalja e Formularit A3

    Pas shpalljes së listës përfundimtare të fituesve në datën 1 tetor do të fillojë një tjetër fazë për pjesën tjetër të maturantëve që për arsye të ndryshme nuk janë shpallur fitues në një program studimi në fazën e parë. Burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur për “Telegraf” se “pas datës 1 tetor do të fillojë plotësimi i Formularit A3, për të gjithë ato persona që nuk janë shpallur fitues në një nga programet e studimit në fazën e parë”. Po ashtu po të njëjtat burime bëjnë më dije se do të dalë së shpejti një udhëzim i posaçëm nga MASH në lidhje me këtë fazë të dytë regjistrimi. Formulari A3 pritet që të dalë pas shpalljes së listës përfundimtare të fazës së parë me qëllim që të bëhet një përllogaritje e saktë e vendeve që kanë ngelur pa u plotësuar. Po ashtu burimet pranë MASH, bëjnë me dije se edhe këtë vit ashtu si vitet e tjera pritet që në këtë fazë të pranohen një numër i konsiderueshëm, pasi ka dhe studentë që ndjekin studimit jashtë dhe si pasojë ngelen vende bosh për ata që do të jenë në fazën e dytë.