Partizani pranë dhe larg Evropës, Skënderbeu sot luan për prestigj

649
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Sot mbyllen ndeshjet e javës së 30-të, në “Selman Stërmasi”, korçarët e nisin me merkaton e Fejzullahit
Edhe pse i duhen 7 javë që ta mbyllë Kampionatin, Skënderbeu duket sikur nuk i intereson vazhdimësia, dhe dje ka bërë publik një emër të ri në merkato. Është pikërisht futbollisti i Partizanit, Arbnor Fejzullahi, i cili duket se po prenotohet drejt Korçës, e dëshira e pak viteve më parë, tashmë për të duket afër realizimit. Mbrojtësi i krahut të djathtë pritet të jetë pasuesi i Ergys Vangjelit, ashtu si Enea Koliçi që do të pasojë Orges Shehin në portë. Duke qenë të bindur plotësisht se do të luajnë në Ligën e Kampioneve, korçarët po ndjekin rrugët ligjore që ta fitojë këtë çështje, ndërkohë që po përgatiten për një ekip më të fortë për sezonin tjetër. Ndërsa sot, te korçarët do të mungojë sulmuesi kryesor Ali Soue, i cili nuk ja ka dalë pas dëmtimit që morri një javë më parë në ndeshjen e Kupës ndaj Flamurtarit. “Ne e respektojmë Partizanin dhe Kampionatin, ndaj në Tiranë nesër (sot) do të shkojmë për ta fituar këtë takim. Nuk i trembemi mungesave të Soue, Xhejms e Shehit. Janë vërtet mungesa të rëndësishme, pasi këta që mungojnë janë lojtarët kryesorë të skuadrës. Por, nuk u trembemi, dhe ata që do të luajnë, unë besoj shumë se do t’ia dalin për të marrë fitoren”, ka qenë kjo deklarata e trajnerit Ilir Daja të Skënderbeut, ndërsa në kampin tjetër, Partizani nuk ka munguar me deklaratat e trajnerit Klevis Dalipi, se kjo është një ndeshje që ka një rëndësi të veçantë për objektivin e sezonit. Ai ka besim se Partizani do ta kalojë me sukses këtë sfidë. “Skënderbeu është një ndeshje kyçe për të na dhënë vazhdimësinë. Është një ekip që ndodhet në vendin e parë dhe një rezultat pozitiv do ta ngrinte shumë skuadrën. Jemi stërvitur normalisht, por ende nuk e kam përcaktuar përfundimisht formacionin. Kemi kohë deri të hënën se si do reagojnë lojtarët. Por, nëse në këtë ndeshje do të ul në stol ndonjë nga titullarët e sfidave të kaluara, kjo nuk do të thotë që ai nuk është titullar për shkak të ndeshjeve të kaluara”, kështu deklaroi mes të tjerave dje trajneri i Partizanit, dhe duke i përballur të dy teknikët në mendimet e tyre, duket se sot do të jetë një sfidë e nxehtë dhe e fortë. Partizani me një fitore është më pranë Evropës, ndërsa çdo rezultat tjetër e largon atë nga vendet e kreut të renditjes. Për Skënderbeun, sot duket se nuk do të jetë një shëtitje në “Selman Stërmasi”, ndoshta ekipi korçar luan edhe për prestigj.
Shtyhet Skënderbeu-Kukësi, korçarët të premten në UEFA
Ndeshja e javës së 31-të Skënderbeu-Kukësi, e cila ishte programuar të luhej të premten më 27 prill 2018, nuk do të zhvillohet në atë ditë, sepse korçarët do të kenë ballafaqimin e tyre me UEFA-n në një seancë në Apel. Pas dënimit 10-vjeçar të marrë prej saj, Skënderbeu tashmë ka nisur betejën me UEFA-n për pafajësi, dhe shpreson se KAS-i do të ulë këtë dënim. Për të mbrojtur Skënderbeun do të udhëtojnë drejt Zvicrës edhe 4 futbollistë korçarë, ndërkohë që mendohet se shanset janë të vogla që Apeli të marrë një vendim të ndryshëm nga i që morri tri javë më parë UEFA.
Ndeshjet-Java e 30-të
Të shtunën, 21 prill 2018 
Kamza-Lushnja 2-1
Vllaznia-Luftëtari 0-2 
Dje, datë 22 prill 2018 
Laçi-Kukësi 0-0
Flamurtari-Teuta 3-1
Sot, datë 23 prill 2018 
Partizani-Skënderbeu 19:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 29 66
2. Kukësi 30 55
3. Luftëtari 30 47
4. Partizani 29 45
5. Laçi 30 43
6. Flamurtari 30 43
7. Kamza 30 37
8. Teuta 30 33
9. Vllaznia 30 33
10. Lushnja 30 10
NDESHJET DJE

FLAMURTARI-TEUTA 3-1
“Derbi” bregdetar “skuqet”, Flamurtari shkatërron Teutën në 12 minuta
Pasi ka dështuar në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë me Skënderbeun, dje skuadra e Flamurtarit ka arritur një fitore mbijetese ndaj Teutës së Durrësit, e cila nga ana e saj mbetet në këto ujëra, së bashku me Vllazninë në kuotën e 33 pikëve. Në ndeshjen e djeshme, Flamurtari e pa veten në disavantazh që në minutën e 8-të, kur arbitri Enea Jorgji dha një penallti në favor të durrsakëve, të cilën Dediç e ktheu në gol. Por, vlonjatët nuk u dorëzuan dhe presioni i tyre u rrit, duke finalizuar në minutën e 19-të me Muarrem, i cili dje shënoi një dopietë, me golin e dytë në minutën e 25-të. Epërsia vlonjate u finalizua me golin e Useinit në minutën e 31-të, ndërsa Alhasan e Veliu u ndëshkuan me kartonë të kuq. 

LAÇI-KUKËSI 0-0
Nuk ka të fituar në Laç, Kukësi pretendoi për një penallti
Në ndeshjen e djeshme Laçi-Kukësi 0-0, fatkeqësisht munguan golat dhe fituesit. Ishte një takim që me shumë emocione nga të dyja ekipet, por asnjëri nuk mundi që të gjente rrugën e rrjetës. Për Kukësin, Idrizi dhe Guri krijuan raste të pastra për shënim, ndërsa për Laçin, Qaqi dhe Gjoni ishin protagonistë. Në këtë barazim veçohet paraqitja e Frashërit dhe Hoxhës, që i mohuan golat laçianëve. Kuksianët pretenduan për një penallti në favorin e tyre, por gjithçka u konsiderua e rregullt nga kryesori Kridens Meta. Pas këtij barazimi, Kukësi vijon të mbajë vendin e 2-të, ndërsa Laçi në vendin e 5-të, me sy e veshë është nga finalja e Kupës me Skënderbeun më 27 maj 2018.
Sigal