Partizan Myftari/ NË TEATRIN E JETËS…

    473
    Sigal

    Jeta,

    është rruga

    e Arsyes.

    Vdekja

    është

    verbëria

    e një shkaku…

    Ata,

    nuk e kanë

    kuptuar Vdekjen

    e Moralit

     të tyre…

    Vazhdojnë të jetojnë

    Shkakun…

    Arsyeja

    ime e brishtë,

    në mijëra

    sy,

    ndjek

    mërmërimat

    e dhimbshme

    se jeta jonë

    është

    shumë larg

    t’i dorëzohet

    shkakut…

    ***

    Ma mbushni

    sot

    një gotë

    me djersën

    e ndershme

    të mijëra

    mundimeve

    njerëzore…

    Të bëj homazh

    në heshtje…

    Një gotë,

    nuk mjafton!

    Heshtja,…

    e ka thyer

    gotën

    prej kohësh….

    ***

    Pranvera

    veshur

    në këpucë

    të gjelbra…

    Veshim

    shpesh

    edhe ne

    këpucë pranvere

    por thahen

    shpirtit dimëror,

    ku,…

    pranvera

    asnjëherë

    nuk ka lulëzuar…

    ***

    E ndjejnë

    veten

    si luks

    i kombit

    edhe kur

    kuadrojnë

    fjalët

    me stile

    filozofike…

    Me hapin

    e rendë

    marshojnë

    frikshëm

    me moralin

    e shtirjes…

    Një luks

    i lodhshëm,…

    por …

    arrijnë

    të lulëzojnë

    edhe sikur

    t’i mbjellin

    mbi gjak

    të pafajshëm…

    Stil hipokritësh!

    Kur ne,

    qepim

    një plagë

    me heshtje

    ata,

    mbi heshtjen

    shtojnë

    luksin e

    shpirtit të krimbur

    Gjeneratë intelektualësh

    thonë…

    ***

    Sot

    harrova

    të puthja një

    të vërtetë.

    U ndjeva

    varfërisht

    në vetminë time

    pa dritë.

    ***

    Jetën

    e kthyem

    në teatër

    të përjetshëm.

    Shpesh

    zgjedhim role.

    Rolet,

    shpesh

    na i japin

    të tjerët…

    Jemi të lumtur

    sepse

    imitojmë kohën

    me shthurjet

    tona.

    Koha,

    ajo klasikja,

    ajo e përjetshme,

    ajo që ikën

    e nuk vjen kurrë,…

    mëshiron

    rolet tona:

    edhe kur

    i zgjedhim vetë

    edhe kur të tjerët

    na i japin

    si armë…

    Koha,…

    vazhdon,..

    mëshirimin tonë…

    Romë, 1 Maj 2014

    THJESHT PERSONALE….

    Nuk kam
    provuar kurrë
    të bëj prova
    gjenerale…
    Provoj me vetveten
    të shtirem…
    Kollarja
    më mbyt
    dhe kërkon
    pjesën e vet
    të ajrit….
    Nuk është

    zanati yt,
    më thotë
    shpirti…
    Koha,
    që mbolle
    brenda vetes,
    rrëshqitur
    në heshtje,
    ngritur në qetësi,,,,
    është një degëz
    modestie,
    ku varesh
    vetëm ti…

    Nëse nuk jetoj
    si dritë,
    jam i sigurt,
    se me asnjë
    hije
    nuk
    ngjaj….
    Romë prill 2014