Parlamenti miraton kërkesën e opozitës për komision hetimor mbi shkarkimet në Policinë e Shtetit

522
Sigal

Kuvendi ka nisur punimet në seancën e djeshme duke nderuar me një minutë heshtje ndarjen nga jetë të artistes së madhe të skenës shqiptare, Vaçe Zela.

“Mbretëreshë të kurorëzuar të muzikës së lehtë dhe popullore shqiptare,” e cilësoi Kryeparlamentari Ilir Meta. “Për të nderuar këtë figurë të jashtëzakonshme të këngës muzikës dhe kulturës kryetari i kuvendit ftoi deputetet të mbajnë një minutë heshtje”.

Pas këtij moment Kryeparlamentari, Ilir Meta njoftoi nisjen e diskutimeve sipas rendit të ditës. Por, ajo që mësohet paraprakisht, lidhet me faktin se, nga ana e opozitës parlamentare pati diskutime të ashpra mbi projektvendim “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të policisë së shtetit”. Një projektvendim i tillë nuk u miratua për t’u bërë pjesë e punimeve parlamentare në Konferencën e Kryetarëve. E gjithë seanca plenare u shoqërua nga debate të ashpra midis përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës. Energjia, ishte burim debati në Parlament mes opozitës dhe përfaqësuesve të qeverisë. Çmimi i energjisë dhe kontratat e koncesioneve ishin pjesë e debatit mes ish- Kryeministrit Sali Berisha e përfaqësuesve të qeverisë. Akuzat mes dy palëve ishin për keqmenaxhim të sektorit të energjisë dhe kosto të larta të saj. Në debatin për energjinë, Ilir Meta humbi durimin dhe vendosi t’i heqë rrymën elektrike mikrofonit të Sali Berishës. Por ish-Kryeministri vazhdoi. Ngriti zërin dhe denoncoi planet e maxhorancës për të rritur çmimin e energjisë elektrike. Pretendimi i opozitës u hodh poshtë nga ministri për Energjinë, Damian Gjiknuri, i cili në fjalën e tij u përqendrua në dy pika kryesore, atë të shprehjes super dhe minifuqi energjetike dhe për kontratat dhe koncesionet në lidhje me hidrocentralet në vend. Në këtë seancë, demokratët garantuan se do të bëhen avokatë të interesave të qytetarëve, duke mos lejuar rritjen e çmimit të energjisë. Gjithashtu, në këtë seancë nuk mungoi dhe reagimi i Kryeministrit të vendit Edi Rama, i cili u shpreh se, “sjellja e opozitës është kundër demokracisë”. Ai tha se, “opozita nuk do të pranojë vendin që populli i caktoi në zgjedhjet e qershorit, ndërsa shtoi se me dhe pa dashje po nxit krimin dhe po bëhet mburojë e korrupsionit dhe injorancës. Duke folur për kriminalitetin, Rama akuzoi sërish opozitën se shumëfishon numrin e vrasjeve dhe kriminalitetin dhe iu kujtoi se qëllimi i kësaj qeverie është të rikthejë policinë në krye të detyrës. “Votën e 23 Qershorit na e dhanë edhe për sigurinë në vend. Ju kur flisni për të vrarë e dyfishoni numrin e tyre, por ky numër është i verifikueshëm nga cilitdo, është qartësisht evident se qëkur dyfishoni numrin e të vrarëve, që kur shumëfishoni numrin e vjedhjeve i keni hipur gomarit mbrapsht, se kali ju ka humbur që më 23 Qershor”,- tha ai. Kryeministri u shpreh se, opozita nuk mund t’i gënjejë më dot shqiptarët. Rama shtoi më tej se, do të shkëputen lidhjet e politikës me krimin me qëllim vendosjen e rendit dhe sigurisë në vend. Kjo, sipas tij, është koha e re, koha e rilindjes së policisë. “Javës tjetër ishit më aktivë, jeni më të mpirë se nuk ka pasur tritole ketë javë, mezi i prisni. Ta mbani vath në vesh, që kjo është një kohë e re, e rilindjes së Policisë së Shtetit, e rikthimit në krye të detyrës, që të sigurojë rendin dhe sigurinë, që të presë lidhjet e politikës me krimin, do kryejë betejë shteg më shteg dhe hap pas hapi”,- tha ai. Rama nënvizoi se, 8 vjet në qeverisjen tuaj pa rrushi rrushin dhe u poq, nën shembullin e Kryeministrit që e bëri qeverinë ndërmarrje private.

Parlamenti miratoi kërkesën e Partisë Demokratike për të ngritur një komision hetimor në lidhje mbi lëvizjet në policinë e shtetit, të cilat opozita i shikon si shkaktare për pasigurinë në vend.

 PS-PD arrijnë konsensusin, 106 vota Komisionit Parlamentar për lëvizjet në polici

 Kuvendi miratoi rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme me 106 vota pro, 3 kundër dhe 4 abstenim, ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për lëvizjet në Policinë e Shtetit. Pas një seance që u shoqërua me debate të ashpra, deputetët e maxhorancës dhe opozitës, kanë gjetur konsensusin me ngritjen e këtij Komisioni. Komisioni parlamentar për lëvizjet në policinë e shtetit, do të drejtohet nga opozita dhe do të ketë 8 anëtarë të maxhorancës dhe 7 të opozitës.