Parashikimi tronditës: “Kemi edhe 104 orë të tjera për t’u përgatitur”

    467
    Sigal

    Sizmologu amerikan Mitchell Coombes, që parashikoi cunamin e vitit 2001 përsërit paralajmërimin: Merrni masa!

    Në pamjen e parë duket si diçka e pavërtetë, por një pjesë e saj është krejt e vërtetë. Ndërsa pjesa tjetër, është e paverifikuar plotësisht. Më 6 mars të vitit 2011 sizmologu amerikan Mitchell Coombes, tha se: “Të gjithë jeni njoftuar se çfarë do të ndodhë. Kemi edhe 104 orë të tjera, ndaj mbahuni fort se ndodhemi para tronditjes së jetës tuaj”! Ky është apeli që është bërë më 6 mars të 2011-s, kur ai parashikoi tërmetin shkatërrues të Japonisë dhe cunamin që pasoi atë. E gjithë kjo histori, mund të harrohej, sikur pardje, ai të mos bënte një paralajmërim tjetër të tmerrshëm identik me të parin, duke dhënë sërish 104 orë afat. Dhe më poshtë ai vazhdon: “Gjithkush është paralajmëruar për atë çka do të ndodhë. Ndodhemi shumë pranë numërimit për së mbrapshti të 104 orëve për cunamin. Këshilloj të gjithë ata, të cilët jetojnë në bregdetin lindor të Uellsit dhe në bregdetin perëndimor të Amerikës, të përgatisin pajisjet e evakuimit sa më shpejt të jetë e mundur. Kisha paralajmëruar më 11 mars të 2011-s, pas cunamit të Japonisë, se radhën tjetër tërmeti do të godasë Kaliforninë. Tërmeti i Sidneit do të jetë 9.5 ballë të shkallës rihter, ndërsa do të pasojnë dy tërmete të tjerë të shkallës 9.4 ballë. Njëkohësisht, do të krijohet edhe cunami”, shkruan ai në faqen e tij në Facebook. Më tej, Coombes, pretendon se cunami do të hyjë më shumë se 70 milje në brendësi të bregdeteve që do të godasë. Sipas tij, kjo fatkeqësi do të jetë kaq e madhe, saqë do të ndryshojë imazhin e botës dhe mbarë globit njëherë e përgjithmonë. Më 9 gusht në Orange County/Kaliforni është shënuar një tërmet 4.5 ballë i shkallës rihter, të cilin e pasoi edhe një shpërthim i gazit natyror si pasojë e një çarjeje të tokës. Të gjithë shpresojnë që këtë radhë Mitchell Coombes të gabojë…Por a është e gjitha kjo një histori që duhet marrë në konsideratë, apo është një lajthitje shkencëtarësh. A kemi të bëjmë këtu me një shqetësim të  sinqertë specialistësh, apo me një psikopat që përhapë panik në radhët e qytetarëve të botës, nëpërmjet adresës së tij, në Facebook.

     Dëfrim Shkupi: Kontakti i pllakave të Oqeanit Paqësor

    Për të gjitha këto, ne iu drejtuam Profesor-Doktor Dëfrim Shkupit, i cili na tha: Mua më duhet të bëjë një studim të hollësishëm të këtij dokumenti pastaj të flas, profesionalisht. Por për momentin mund t’ju them se bëhet fjalë për parashikimin e cunameve apo tërmeteve, pikërisht në një zonë të tillë, ku ky rrezik është gjithmonë i pranishëm”. Dhe pyetjes, se përse ky rrezik është i pranishëm në atë zonë, Prof. Dr. Dëfrim Shkupi, iu përgjigj: Sepse këtu kontaktet e pllakës së Oqeanit Paqësor me pllakën e Australisë, si edhe përplasjet me pllakën e Amerikës, janë evidente në çdo kohë. Ajo zonë për të cilën flet zotëria në fjalë, quhet “unaza e zjarrtë” dhe është zona me rrezikshmëri akute, ku në çdo moment mund të shpërthejë diçka nga këto përplasje. Pra, nëse thua që këtu do të ketë një tërmet apo cunam, nuk del bosh, sepse në atë zonë ka vazhdimisht ngjarje të tilla”. Por duke u përpjekur të shmangë panikun tek njerëzit, Prof. Dr. Dëfrim Shkupi nuk i përjashton rastet e lajthitjeve të këtyre shkencëtarëve. “Një shkencëtar nuk ka përse të lajmërojë njerëzit me anë të Facebook-ut, por ai duhet të flasë zyrtarisht dhe shkencërisht duke paralajmëruar njerëzit nga rreziku dhe duke shmangur njëkohësisht panikun e tyre”, shprehet Shkupi.

    Kontradiktat

    Sipas tij, parashikimet e sizmologëve të botës janë kontradiktore dhe njëri grup thotë se mund të ndodhë batërdia, ndërsa grupi tjetër thekson se nuk mund të ketë ndonjë rrezik real. Por Prof. Dr. Shkupi kërkon të hedhë dritë të plotë mbi këtë argument. “E rëndësishme është që të shmangim panikun e njerëzve sepse kjo gjë do të krijojë strese”, u shpreh ai duke nënvizuar se për pasojat e tjera mund t’i hedhim një vështrim periudhës para 18 vjetëve, kur kjo dukuri është përsëritur mbi tokë. Nga ana tjetër, Shkupi thotë edhe argumentin shkencor sipas të cilit: “tërmetet në botë janë të paparashikueshëm, pra ato nuk mund t’i parashikojë shkencëtari në fjalë”. Sipas statistikave botërore vetëm gjatë 500 vjetëve të fundit, kanë vdekur rreth 7 milionë njerëz dhe dhjetëra milionë të tjerë kanë humbur mjetet e tyre të jetesës. Por sipas Prof. Dr. Shkupit, “Shqipëria nga ana e saj, hyn në një nga brezat më të njohur sizmik”. Kjo gjë do të thotë se vendi ynë është i rrezikuar nga lëkundjet periodike të tërmeteve dhe kjo gjë është e provuar nga rrjedha e historisë. Sipas Shkupit, “për këtë qëllim prej disa dekadash u themelua Instituti i Sizmologjisë nga një grup shkencëtarësh të apasionuar, si Prof. Dr. ShyqyriAliaj, Prof. Dr. Eduard Sulstarova, Prof. Dr. Betim Muço etj., që kanë dhënë studime me vlerë të pallogaritshme për shkencën e sizmikës në Shqipëri”.

    Paralajmërimi i mediave italiane

    Para pak kohësh, mediat italiane njoftuan për rrezikun e cunamit edhe në Adriatik. “Edhe në detin Adriatik pritet të ketë një cunam, por jo në përmasat e asaj që ndodhi në Japoni”, thuhej në mediat italiane që raportonin se ai mund të gjeneronte një valë tronditëse më shumë se një metër në zonat e Salentos dhe Garganos, ndërsa gjysmë metri në zonën e Puljas. Këto parashikime u bënë nga studiuesit e Institutit Kombëtar italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, Mara Monika Tiberi, Stefano Lorito, Roberto Basili, Alessandro dhe Gianluca Valensise Piatanesi. Sipas tyre, vendet që do të prekeshin përveç zonave Italisë ishin edhe Kroacia, Shqipëria dhe Greqia veriore që lidhet me detin Egje. Në këtë njoftim thuhej se: “Cunami mund të vijë për shkak të tërmeteve të pritshme në këto zona. Në një shkrim të publikuar nga mediat italiane pjesa më e rrezikuar ishte  aksi nga Pulja drejt Shqipërisë. Në 1000 vitet e fundit kanë ndodhur pesë cuname; i pari në vitin 1511; i dyti në vitin 1627, i treti në vitin 1672 dhe dy të tjerët gjatë periudhës s fundit. Në zonën e Riminit ka pasur një tërmet në vitin 1875, ndërsa në vitin 1979 ndodhi një cunam me përmasa të vogla në zonën përballë brigjeve të Malit të Zi. Por paralajmërimi i mediave italiane deri tani nuk është vërtetuar nga ngjarjet në terren.