Papunësia keqëson situatën ekonomike

727
Sigal

Monitor.al/ Eurobarometri: Kosto e lartë e jetesës, papunësia, situata ekonomike – shqetësimet kryesore të shqiptarëve, që po përkeqësohen

Papunësia, situata ekonomike dhe kosto e lartë e jetesës janë shqetësimet kryesore të shqiptarëve sipas rezultateve të Eurobarometrit të pranverës për Bashkimin Evropian dhe vendet kandidate,  rezultatet e të cilit janë publikuar në qershor nga BE. Të anketuarit janë pyetur se cilat janë shqetësimet kryesore me të cilat përballet vendi dhe një pyetje e veçantë se cilat janë problemet me të cilat ata përballen personalisht. Lidhur me shqetësimet, me të cilat përballet vendi, 36% e të anketuarve shqiptarë kanë pohuar se çështja kryesore është situata ekonomike, përkundrejt 15% që është përgjigja për të njëjtën pyetje për mesataren e Bashkimit Evropian. Papunësia është shqetësimi i dytë,  që është cilësuar i tillë nga 34% të të anketuarve. Për Bashkimin Evropian papunësia përbën probleme për 25% të të anketuarve. Shqetësimi i tretë shëndeti dhe siguria sociale me 22% të të anketuarve (23% mesatarja e BE).Inflacioni (rritja e çmimeve) është cilësuar si faktor nga 20% e të anketuarve shqiptarë. Në pyetjet që lidhet direkt me çështjet kryesore me të cilat ata përballen për momentin, 40% janë përgjigjur që shqetësimi më i madh i tyre është rritja e çmimeve/inflacioni dhe kosto e jetës. Edhe kjo përqindje është shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, prej 29%. E dyta është shëndeti dhe siguria sociale (21%, kundrejt 18% të BE) dhe e treta situata financiare e familjarëve tuaj, (20%, kundrejt 14% të BE).

Vlerësimi për situatën në përkeqësim

Në Eurobarometrin e këtij viti është rritur përqindja e atyre që mendojnë se situata ekonomike është keq dhe është ulur pesha e atyre që mendojnë se është mirë. 49% e të anketuarve shqiptarë në Eurobarometrin e pranverës 2018 mendonin se situata ekonomike është e mirë, 5 pikë përqindje më pak se në vjeshtë 2017. Në të kundërt, përqindja e atyre që mendojnë se situata është keq është rritur me 5 pikë përqindje në 51%. Për situatën personale, 57% kanë deklaruar që është e mirë dhe 39% që është keq. Megjithatë pritshmëritë mbeten pozitive, pasi mesatarisht mbi 50% e të anketuarve mendojnë se situata e tyre dhe ajo ekonomike do të jetë më e mirë. Interesante është që kur pyeten për besimin te institucionet, shqiptarët kanë më shumë besim tek Bashkimi Evropian (69%), sesa tek qeveria vendase (47%) dhe Parlamenti vendas (54%). Shqiptarët perceptojnë se Bashkimi Evropian për ta do të sjellë prosperitet ekonomik (58%), liri për të udhëtuar dhe punuar kudo në BE ( %) dhe mbrojtje sociale (49%).

2- Shpenzimet për shlyerjen e interesave të borxhit u rritën me 10% në 4-mujor

Shpenzimet buxhetore për shlyerjen e interesave të borxhit i kthehen rritjes, edhe pse pagesat janë ende poshtë planit të qeverisë për 4-mujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, shpenzimet për interesat të borxhit arritën në janar-prill në mbi 10 miliardë lekë, duke u rritur me 10% në krahasim me fundin e vitit që shkoi. Rritja prej 1 miliard lekësh i takon shpenzimeve për shlyerjen e interesave të borxhit të brendshëm, të cilat arritën në 8.2 miliardë lekë në 4-mujorin e parë nga rreth 7,2 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat zyrtare tregojnë se, normat më të larta të interesit për borxhin afatshkurtër gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar kanë nxitur rritjen e shpenzimeve. Fondi Monetar Ndërkombëtar,  vitet e fundit, ka shtuar intensitetin e lajmërimeve për rreziqet që mbart borxhi i lartë.  Aktualisht Shqipëri ka nivelin e borxhit të jashtëm në rreth 70 % të PBB, por, sipas FMN edhe dhe niveli 60% i borxhit është një rrezik i madh për shkak të nevojave të larta për rifinancimin e tij. Me rrezik shihet mbështetja e madhe e borxhit të brendshëm në sektorin bankar (bankat zotërojnë 60% të borxhit të brendshëm publik në fund të vitit 2017). Kështu rreziku i financimit është përkeqësuar nga përqendrimi i lartë i borxhit i brendshëm në disa banka vendase, ka vlerësuar Fondi. Borxhi publik, sipas parashikimeve të skenarit bazë të FMN, është i ndjeshëm ndaj një sërë rreziqesh që dalin nga profili të financimit. Edhe pse qeveria shqiptare ka nisur zgjatjen e afateve të maturimit rreziqet e rifinancimit mbeten të larta, pasi rreth dy të pestat i borxhit të  qeverisë qendrore ishte afatshkurtër në fund të vitit 2017. Rreziku i normës së interesit do të jetë më i lartë, për shkak të normave të interesit në rritje. Sikur tregu sekondar i letrave me vlerë ishte më i zhvilluar, likuid, rreziku i normave të interesit do të ishte edhe më i lartë. Një faktor tjetër lehtësues konsiderohet rritja e financimeve nga donatorët e jashtëm. Së fundmi, rreziku nga kursi i këmbimit do të rritet me zgjerimin e borxhit në valutë, por niveli i kënaqshëm i rezervave ndërkombëtare të Shqipërisë i zbeh këto rreziqe. Skenarët alternativ të borxhit marrin në konsideratë rreziqet ndaj skenarit bazë, nëse rriten ndjeshëm normat e interesit dhe nëse rritja ekonomike dobësohet. Rreziqet kryesore lindin nga rritja ekonomike e ngadaltë e kombinuar me një rritje të mprehtë të normave e interesit lajmëron Fondi Monetar Ndërkombëtar.

3-Eurostat: Shqipëria me më pak kilometra rrugë ndër vendet e rajonit

Ballkani Perëndimor zotëron vetëm 8% të rrjetit evropian rrugor më 2016, teksa Shqipëria disponon shumë më pak se vendet e tjera në rajon, edhe pse me një territor afërsisht të njëjtë. Eurostat publikoi statistikat e transportit në vendet e zgjerimit dhe gjeti se gjatësia e rrugëve dhe autostradave në Shqipëri, në vitin 2016, ishte 4090 kilometër, teksa vendet e tjera të zgjerimit kanë shumë më tepër kilometra. Mali i Zi, që ka sipërfaqe më të vogël se Shqipëria, numëron gati dyfishin e kilometrave, më shumë se 8600 sipas Institucionit Evropian të Statistikës. Maqedonia që gjithashtu ka një sipërfaqe territoriale të ngjashme më të atë Shqipërisë, por numëron mbi 14 mijë kilometra rrugë ose më shumë se trefishin e Shqipërisë. Vendet me sipërfaqe më të mëdha si Serbia dhe Turqia zotërojnë  më shumë kilometra. Serbia numëroi më 2016 mbi 46 mijë kilometra rrugë dhe autostrada, ndërsa Turqia 242, 5 mijë kilometra. Vetëm Kosova numëron më pak kilometra rrugë se Shqipëria, me vetëm 2000 në fund të vitit 2016. Shqipëria në raport me vetveten ka dyfishuar numrin e kilometrave në raport më vitin 2006. Vendet e zgjerimit kanë një rrjet të kombinuar rrugor që ishte rreth 8% e gjatësisë së rrjetit të 28 vendeve të BE, ndërsa gjatësia e kombinuar e autostradave në vendet e zgjerimit ishte e barabartë me 5% të gjatësisë së rrjetit të autostradës të BE-së. Ndërmjet 2006 dhe 2016, rrjetet rrugore dhe autostradat u zgjeruan në të gjitha vendet e zgjerimit, përveç Turqisë. Sipas të dhënave kombëtare, edhe pse Shqipëria ka çuar borxhin publik në rreth 70% të PBB për shkak të kredive që ka marrë për përmirësimet infrastrukturore, sërish ajo paraqitet me deficitet më të mëdha në këtë aspekt. Teksa nevojat për përmirësim të mëtejshëm janë ende të mëdha, Shqipëria i ka të limituara burimet e financimit.  Aktualisht, qeveria shqiptare është duke testuar një instrument të ri financimi, nëpërmjet kontratave me Partneritet Publik -Privat. I pari është rruga e re e Dibrës, e cila do të ndërtohet me PPP nga kompania Gjoka Konstruksion. Por Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur rezerva për mënyrën se si po angazhohen këto investime si në aspektin e përfitueshmërisë që kanë projektet dhe për rreziqet që krijojnë në stabilitetin fiskal të vendit.