Papulias dhe e vërteta e helenizmit në trojet Pellazgo-Ilirike

    432
    Sigal

    Përshëndetja për “helenizëm” e Presidentit Papulias, tingëllon folklorike, jashtë kohe, pa dashur ta quajmë edhe provokuese

    Papulias: “Prania shekullore e helenizmit në Vorio-Epir në shtëpitë stërgjyshore është gjithmonë një burim frymëzimi dhe krenarie për të gjithë grekët, sidomos në një kohë kur atdheu, por edhe rajoni më gjerë, përballet me një numër të madh sfidash”… Nga letra e urimit dërguar organizatës “OMONIA” me rastin e 22- vjetorit të saj.(gazeta”Dita”, 15 janar 2013, fq.7)

    Mundet ky shkrim i shkruar me qëllimin e mirë të bashkëfqinjësisë së dy popujve më të lashtë të gadishullit, të rritë më tej “interferencat” nacionaliste mes shqiptarëve dhe grekëve helenë. Them grekë-helenë, pasi në të quajturën Greqi të sotme, ka nga rrethanat e diktuara edhe “grekë” jo helenë, të njohur e poshtëruar aty si arvanitas, ilirikë, apo iliriko-epirotë, si dhe shqiptarë të pastër, të konvertuar dhe këta vonë, për mbijetesë. Këtë “interferencë” nacionaliste duket qartë që grekët e kërkojnë, dhe presidenti i nderuar Papulias, i përafruar dhe i deklaruar si i lindur e rritur në tokë shqiptare, duket se me urimin e tij, dërguar së fundi “OMONIA”-s, është në këtë rrjedhë. Fjala e tij flet më qartë. E vërteta është se, nuk janë aspak në pozita sulmuese, si bëjnë neonazistët grekë, por mbrojtëse, madje janë shumë më aktivë në veri të Kombit, aty ku ka realisht shqiptarë të gjallë dhe të pamposhtur në Luginën e Preshevës, por dhe në Maqedoni dhe pothuaj aspak në Mal të Zi. Dhe si shihet, edhe pse në mbrojtje shqiptarët e bëjnë këtë zgjedhje jo se nuk dinë të sulmojnë, por për shumë arsye, ku bashkëqenia në BE është opsion zgjidhës dhe kryesorja mbetet se, në çfarëdo rrethanash duhet ruajtur edhe fqinjësia.  Shqiptarët në shekuj e kanë ruajtur këtë parim duke nxjerrë përfundimisht një rezultante negative, pse jo katastrofike. Kuptohet që kjo rezultante vjen së pari prej fqinjëve jo tolerantë, që në shekuj dhe tani kërkojnë t’i mbajnë në “darë” dhe shtrëngim shqiptarët. Dhe, fqinjët falë tolerancës së lartë të shqiptarëve dhe gjendjes së shqiptarëve mos bashkëpunues mes tyre, gjer më sot ja kanë arritur qëllimit.

    Dhe, Presidenti i Greqisë z.Papulias e di fare mirë këtë pasi fëmijëria e tij është një fakt që vet ai e ka deklaruar. Helenizmi i kërkuar prej tij në “shtëpitë stërgjyshërore”, në mos është një “non sens” i papranueshëm dhe i rëndë për fqinjët shqiptarë, sërish është nxitës nacionalizmi ekstrem. Edhe nëse duhet ta marrim si një “kundërpërgjigje” te gafës dhe gjendjen pa shpresë fituese në zgjedhje të Berishës, sërish “mesazhi” i z. Papulias është provokativ. Së pari dhe mbi të gjitha sepse jo vetëm në trojet me kufi të gabuar të gjysmë Shqipërisë nuk ka pasur kurrë helenizëm Vorio-Epirot, si shkruan gabimisht presidenti i Greqisë z. Papulias, por dhe “shtëpitë stërgjyshore”, nëse janë “oaze” pakicash në trojet iliro-epirote,(ikje për mbijetesë a ikje prej ndëshkimeve e fajeve të kryera), janë tepër pak të “glorifikojnë” helenizmin e vjetër, atë helenizëm që me barbari e krime të pashembullta, si pranon Tuqididi dhe analizon mrekullisht babai i historisë moderne,Van Loon, zhduku dhe s’postoi grupimin më të vjetër që kish “rrënjë” të lashta jo vetëm në Greqinë e sotme, por dhe në ishullin e Kretës. Dhe jo vetëm e pasqyron këtë Evans, zbuluesi i famshëm i Knosit, në Kretë, me gjetjet arkeologjike dhe ato 2000 tavoletat e çmueshme të argjilat, me shkrim linear ende të papërcaktuar të gjuhës indoevropiane dhe që sigurisht nuk është absolutisht greke. Jo pa qëllim përmendet Gurnia, Mallia, Palecastro, Festo, Triada etj., sipas profesorit të shquar Mario Attilio Levi (Libri “Il mondo antico ed la Grecia arcaika”, fq.79-85) vende dhe gjetje që janë të fundit të mijëvjeçarit IV, para K. dhe sot, më shumë se të pretendohet se janë përafrime të gjuhës greke të vjetër a aktuale, këto vende dhe gjetje janë pashmangësish, pellazgjike dhe postpredominim shqiptar, si mundet t’i kuptojë presidenti grek Papulias i rritur në fëmini mes shqiptarëve. Nëse presidenti grek ka dyshime të shumta, se Pellazgjia dhe Pellazgët janë “grup” mitik, jo vetëm autorë të nderuar që përmendëm këtu, por edhe të tjerë si Gustav Glotz, Philipe Aziz e Francisco Villar, kanë vepra të plota se si Pellazgët me “Hyjnitë pellazge”, të pashkulshme tek Homeri dhe “Dodona dimërkeqe” e tij janë më të hershëm se helenët ne tokën e tyre e që sot quhet Greqi.

    Dhe nuk do të ishte keq, t’i tregonim me thjeshtësi shqiptare presidentit grek z.Papulias që të lexonte rreshtin e tretë nga fundi të Jules Michelet në librin “Storia di Roma”, i cili jo rastësisht gjen rast të na tregojë kush janë Pellazgët, në trojet ku jetojnë helenët e vonë dhe më tej, jo pa çudi na tregon se si ata u shtrinë edhe në Italinë e sotme. Nga kjo kuptohet përse ata lanë Gurninë, qytetin që prof.Levi na tregon se:”Banesat ata i ndërtuan jo vetëm me gur, por dhe me dritare të cilat i mbulonin me lëkurë të hollë, transparente që të lejonte dritën të futej në thellësi të dhomave dhe që ndalte erën, të ftohtit…”

    Natyrisht Pellazgët ishin grupim njerëzish të ardhur shumë më herët (mundet 6000-5000 vjet, para K), nuk ishin kurrsesi helenë, por pikërisht se ishin më të hershëm se helenët, mund tu lindte e drejta pasardhësve të tyre sot, të kërkonin si presidenti, z.Papulias “lavdinë”. Dhe si shihet mund të bëhet nëse zbërthejmë autenticitetet me “Gurninë, Mallinë… Dodonën dimërkeqe, Zeusin pellazgjik (lexo R.Graves “Mitet..”) Akilin këmbëshpejtë apo dhe kalëshpiksin e Trojës, Odise Nano, mbret me qylaf lab i Itakës, sipas V.Manfredi në librin:”Mare Greco” dhe prof. Dh. Pilika “Pellazgët, origjina jone e mohuar” që analizojnë Pellazgjinë, helenizmin, shqiptarët dhe grekët; të kuptohet se më shumë se helenizmi i vonë, në Greqinë e sotme me troje të të tjerëve, Pellazgët dhe pasardhësit e tyre, shqiptaret e sotëm, janë dhe do të mbeten primarë dhe lashtësore të pashkulshëm në mite dhe origjinalitet. Përpos këtyre lashtësive, që domosdoshmërish kujtohen dhe për ndërgjegjësim opinioni, fqinjësi të barabartë, por dhe atdhedashuri; mund t’i tregojmë presidentit grek, z. Papulias edhe një fakt kokëfortë të vendosur edhe me hartë, si tregohet prej studiuesit Giusto Traina në librin historik: “428 dopo Cristo”, ku thuhet qarte se: “Prefektura Ilirike ishte zgjidhja më e mirë që bëri Roma, duke arritur të konfigurojë Ballkanin (që atëherë nuk quhej si sot Ballkan) nën një drejtim solid dhe homogjen të popujve duke mbajtur në këtë prefekturë 5 legjione ushtarësh. Dhe Prefektura Ilirike datohet në histori në vitin 395 pas K.(fq.72)

    Si shihet edhe nga harta që autori na e sjell në libër, nuk bëhet fjale për helene, as “shtëpi stërgjyshore” si përpiqet jo paqëllim presidenti grek Papulias, kur e vërteta është krejt ndryshe, shpesh e përgjakshme dhe që më qartë e kemi gjetur të dokumentuar edhe në shumë dokumente të papublikuara të Bibliotekës dhe arkivave sekrete në Vatikan. Për sot mjaftojnë edhe këto të dhëna të pakontestueshme për sa shkruajnë autorët e shquar që përmendim, të tregojmë se jo vetëm në Shqipërinë e copëtuar dhe me qeveritarë të shitur, helenizmi i z.Papulias nuk ka vend e as “shtëpi stërgjyshore”, por ai nuk do të jetë i tillë edhe në trojet e Ilirisë epirote, që ndodhen të grabitura nga Konferenca e Ambasadoreve në Londër më 1913, konferencë që artificialisht rriti “helenizmin” dhe copëtoi Kombin shqiptar. Këtu është vendi të tregojmë se, Muri i madh që ndan padrejtësisht shqiptarët dhe Kombin, do të rrëzohet dhe pa kërkuar kurrsesi ngritjen e një muri të ri, qoftë në Prevezë, Maqedoni, Serbi a Mal të zi. Rilindja e shqiptarëve është natyrale, dhe mbi të gjitha demokratike dhe duhet të bëhet patjetër sulmuese, jo për të shkatërruar helenizmin, as sllavizmin, por për të rindërtuar së bashku dinjitetet kombëtare, vendbanimet e vërteta të popullsive, jetën demokratike të tyre, bashkëjetesën, harmoninë dhe vlerat ekonomiko-kulturore. Muret e kufijve të popujve të ndarë, si tha z. Hillary në 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, duhet të rrezohen dhe do të rrezohen, por rrëzimi i tyre kurrsesi nuk duhet të sjellë “pushtime” helenizma a sllavizma, sikurse nuk do të sjellë as Pellazgjinë, që “interferojnë” nacionalizmat ekstremiste. E ardhmja projekton hapjen e Ballkanit, rilindjen edhe të këtij gadishulli tragjik për të gjithë e veçanërisht për popullin më të lashtë të tij, shqiptarët. Epiteti tragjik e poshtërues: “fuçi baruti” si është përcaktuar, nuk duhet të ketë më vend në këtë gadishull që krijoi vet Europën dhe ndriti civilizimin botëror me kontribut të pamohueshëm në shekujt VII-IV, para K. Nga ky këndvështrim për progresivitet e harmoni popujsh ballkanik, përshëndetja për “helenizëm” e presidentit Papulias, tingëllon folklorike, jashtë kohe, pa dashur ta quajmë edhe provokuese. Naziskinët e “Agimit të Artë” me siguri do jenë ndjerë të kënaqur nga kjo përshëndetje e presidentit Papulias, duke harruar a mos lexuar mirë e qartë historinë e tyre të vërtetë dhe të fqinjëve shqiptarë. Është pikërisht kjo mosnjohje dhe keqpërdorim i nacionalizmit shovinist grek që na bëri të shkruajmë këtë shkrim të përmbledhur, duke treguar disa nga të vërtetat e mbuluara apo keqtransformuara në dëm të pallogaritshëm të shqiptarëve dhe Kombit të prerë kriminalisht.