Panajot Boli: Zonat rurale dhe një pjesë e qytetit të Sarandës, të diskriminuar nga OSHEE

    451
    Sigal

    Kryetari i komunës dhe i Këshillit të Komunës Mesopotam, letër Kryeministrit Rama

    Sarandë-Delvinë: As në situatat më të rënda e më të vështira, siç qe viti i mbrapshtë 1997, banorët e rajonit Jugor Sarandë-Delvinë nuk janë ndeshur me një situatë kaq kritike të furnizimit me energji elektrike. Nata e fundit e ndërrimviteve për fshatrat e këtij rajoni, solli paralajmërimin se energjia elektrike do të jetë ajo që do të mungojë në familjet e tyre. Dhe OSSHE di t’i mbajë premtimet duke i lënë ditë me radhë nga 24 orë pa drita, siç qe edhe kjo fundjavë që lamë pas, ku fshatrat e konunës Xarrë qëndruan mbi 30 orë pa drita. Po kështu intervalet e ndërprerjes janë të pranishme, edhe në bregdet e të gjitha fshatrat dhe një pjesë të mirë të qytetit të Sarandës. Ajo që na bën përshtypje, është arroganca e drejtuesve të këtij institucioni dhe mospërfillja ndaj ankimimeve qytetare, duke u shpallur padronë e të gjithëpushtetshëm me plotfuqishmëri të bekuar nga kryeministri Rama. Banorëve u dridhet zemra, kur shohin qiellin të vrenjtur, kur era fryn e fillon të rigojë shiu, pa le më bizneset se e kanë mësuar refrenin që nuk kanë të ankohen se përballen me ofendime, britma e sharje. Java që kaloi shënoi, edhe shumë skandale me OSSHE-në Sarandë, ku disa edhe i kemi përmendur në faqet e gazetës “Telegraf”, por ka ndodhur edhe tjetri skandal në fshatin Krane të komunës së Mesopotamit, ku si shkak i amortizimit të linjave përcjellëse të energjisë elektrike, ndikuar edhe nga moti i keq, telat u bashkuan fazë-fazë dhe tensioni arriti në 380 volt, çka solli shkrumbimin e pajisjeve elektro-shtëpiake të gjithë fshatit. Telat kalojnë shumë afër tokës, nëpër pemë e ballkone dhe kjo situatë i është bërë prezente para një muaji përgjegjësit të OSSHE-së në Sarandë, Agron Husi, i cili ka dhënë premtimet se do marrë masa të rikonstruksionit të linjës. Por, asnjë masë deri sa kemi situatën me djegiet e pajisjeve elektro –shtëpiake të gjithë fshatit. Por, në vend që të shkonte për të parë situatën, të kërkonte falje për dëmin e krijuar se është brenda kontratës me qytetarët, me harbutëri pret energjinë elektrike dhe kjo me selektim. Lidhur me këtë situatë, Këshilli i Komunës dhe kryetari i komunës Mesopotam i kanë dërguar një letër kryeministrit të Shqipërisë, z.Edi Rama.

    Letra

    Letër, drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama

    Ministrit të Energjitikës, z. Damian Gjiknuri

    Për dijeni: Përgjegjësit të yrës së OSHEE_së në Sarandë, Agron Husi

    Lënda: Kërkojmë ndërhyrjen tuaj me masa urgjente për furnizimin me energji elektrike si dhe situatës kritike të rrjetit shpërndarës në komunën tonë!

    I nderuar zoti Kryeministër! Të nderuar zotërinj ministër dhe administrator i OSHEE-së!

    Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Komunës Mesopotam për problematikën e energjisë dhe rrjetit tejet të amortizuar e të rënduar në zonën tonë, vendosëm t’u drejtohemi juve për disa arsye:

    1- Indiferenca e pajustifikuar e strukturave drejtuese të menaxhimit të energjisë elektrike në Sarandë e Delvinë, mungesa totale e vullnetit për bashkëpunim me pushtetin lokal, shqetësime dhe probleme të shumta që na kanë shkaktuar me qytetarët. Me gjithë kërkesat tona të përsëritura, asnjëherë s’janë treguar të gatshëm të përgjigjen, bile edhe në takimin e fundit, as morën mundimin të vijnë e të dëgjojnë ankesat dhe kërkesat e banorëve të kësaj zone. Ju kujtojmë se komuna jonë shlyen 100 % çdo muaj energjinë elektrike të konsumuar.

    2- Me rënien e shirave të para energjia elektrike mungon me orë e ditë të tëra nga shkaku i amortizimit të linjave, pasi që nga viti 1968 që u ndërtuan linjat, nuk është vënë dorë dhe kjo është skandaloze. Mund të sjellim një fakt që një javë më parë u këputën telat mu në mes të komunës duke rrezikuar seriozisht jetën e nxënësve të shkollës 9-vjeçare në qendër të fshatit. Pa le pastaj se çfarë ndodh në zona e fshatra më të thella. Mendoni se sa të amortizuara janë linjat.

    3- Në fshatrat tona shumë shtylla janë anuar gati për tu rrëzuar, telat kalojnë përmes pemëve, izolatorë të thyer e kabina elektrike të pasiguruara që rrezikojnë në çdo moment jetën e qytetarëve.

    4- Shumë matësa të energjisë, të vjetruar e amortizuar nga vitet, nuk zëvendësohen.

    5- Faturistët e energjisë nuk zbatojnë kurrë grafikun e leximit të sahateve, shpesh herë duke vënë sasi fiktive të kilovatëve të konsumuar, duke na thënë në konfidencë se kështu i udhëzojnë e u bëjnë presion drejtuesit.

    6- Drejtuesit dhe punonjësit e OSHEE-së në Sarandë, për shkak të paaftësisë së tyre, kanë sjellë pështjellime, revolta dhe pakënaqësi tek banorët tanë, pasi herë pas here u çojnë fatura të disa muajve më parë që arrijnë edhe miliona për t’u paguar, fatura që faktikisht janë paguar, por u kërkohet ripagesë, duke u përgjigjur me ironi se fajin e kishte kompjuteri.

    Të nderuar zotërinj! Ne ju shprehëm disa nga shqetësimet e komunës sonë dhe kërkojmë ndërhyrjen tuaj për këtë situatë tejet të rënduar të furnizimit të banorëve me energji elektrike, gjendjen e mjerueshme të rrjetit elektrik dhe sjelljet arrogante të drejtuesve të OSHEE-së në Sarandë, duke shprehur shqetësimin e madh për këtë amulli dhe papërgjegjshmëri që ekziston tek drejtuesi i këtij institucioni. Qytetarët tanë janë mëse korrekt me ligjin, por ironikisht ky drejtor tallet me ta. Banorët e komunës sonë shprehin besimin se ju do të ndërhyni dhe do të merrni të gjitha masat që të zhbllokohet kjo situatë dhe të kemi një përmirësim të ndjeshëm dhe të shpejtë të furnizimit me energji elektrike, përmirësimit të rrjetit shpërndarës dhe korrektësi në faturim, mirësjellje dhe etikë me qytetarët. Sugjerojmë që të krijohet një komision me specialistë që të verifikohet kjo situatë dhe të investohet për nevojat më urgjente. Jemi në pritje të reagimit tuaj. Faleminderit për mirëkuptimin!

    Kryetari i Këshillit të Komunës Mesopotam, Panajot Boli

    Kryetari i Komunës Mesopotam, Themistokli Kaishi

    Agron MEMA