Pallate shumëkatëshe kanë shkatërruar thesaret arkeologjike e historike të qytetit të Durrësit

    45

    Në 20 vite, 179 pallate janë ndërtuar mbi objekte arkeologjike. Dosja e “Lagjes Romake” shkon në prokurori

    Durrësi, krenaria jonë kombëtare, e qytetërimit më të hershëm qysh nga koha e ilirëve, është prej afro 2 dekadash në shënjestrën e grupimeve më antishqiptare të cilët po synojnë dhe thellojnë çdo ditë e çdo vit shkatërrimin e vlerave dhe thesareve të arkeologjisë. Dy herë është shkatërruar Durrësi (Dyrrahu) nga tërmetet, në vitin 334 pas lindjes së Krishtit, në vitin 505 pas lindjes së Krishtit, dhe në vitin 1273, ku vdiqën mbi 25 mijë banorë. Por shkatërrim si ky që i ka ndodhur në 22 vitet e fundit, në kohë moderne, nuk ka parë ky qytet. Numërohen mbi 179 pallate të ndërtuara në 20 vitet e fundit, që të pajisur me leje të rregullt ndërtimi nga KRRT e bashkisë, kanë në themelet e tyre thesaret e vlerave arkeologjike të Durrësit. Shpesh media dhe vetëm ajo, ka denoncuar dhe paralajmëruar tentativat dhe aksionet shkatërruese të vlerave arkeologjike, pas lejeve të ndërtimit nga KRRT e bashkisë. Kjo kasaphanë ka nga viti 1994, dhe ka vazhduar në 1999 me pallatin 12 katësh mbrapa pallatit të Kulturës “A. Moisiu”, i cili pavarësisht kundërshtive nga specialistët, mori lejen e ndërtimit të firmosur nga KRRT dhe ish-shefja e Urbanistikës së asaj kohe L. M. e cila për disa muaj u përball edhe me organin e hetimit, por çështja u mbyll me afera korruptive. Shkatërrimi i vlerave të arkeologjisë nën themelet e atij pallati, detyroi specialistët e arkeologjisë në Durrës, të denoncojnë penalisht ish-shefen e Urbanistikës L. M, por një drejtësi e blerë, nuk është asnjëherë drejtësi e ligjshme. E njëjta KRRT e asaj kohe, ka dhënë leje ndërtimi edhe tek shtesa e bërë në godinën e Prokurorisë Rrethit, duke dëmtuar Pusin e Tophanas, një vlerë e papërsëritshme e historisë së Durrësit. Groposja e vlerave arkeologjike është bërë edhe lagja 1, tek ish-zona e Vollgës, vetëm 150 metra larg Torrës Veneciane, tek kodra e Vilës, ku u dhanë 22 leje ndërtimi, duke mbuluar mure dhe varre ilire etj .Në Durrës 8 ish-shefat e Urbanistikës janë aktualisht njerëzit më të denoncuar dhe më të akuzuar nga Qendra e Arkeologjisë dhe qytetarët, si shkaktarët e vetëm të shkatërrimit të vlerave të nëntokës 3 mijë vjeçare të këtij qyteti. Ata janë njëherësh edhe përfituesit e miliona lekëve të marra ryshfet nga firmat që shkaktuan masakrën.

    “Fajin” e kanë drejtuesit e DRMK

    Shkarkimi nga detyra i drejtuesve të Monumenteve të Kulturës, ka qenë dhe mbetet gjithmonë si “fajtori” kryesor për situatën skandaloze të krijuar në Durrës. Shkarkimi më i fundit i drejtoreshës së Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Durrës 3 vjet më parë zbuloi një problematikë të mprehtë që vë në diskutim mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në qytetin e lashtë dhe zonat përreth nga institucionet shtetërore. Problematika ka mbërritur deri te ish- Kryeministri Berisha, i cili nuk reagoi ndaj situatës kritike të krijuar në Durrës, ndërsa kritikohej një prej anëtarëve të kabinetit të tij për shkelje ligjore që prekin specialistët në dëm të mbrojtjes së vlerave dhe kundërshtim të ligjit”. Brenda pak muajsh, ky ishte lirimi i dytë nga detyra i drejtuesve të kësaj drejtorie rajonale bërë nga ish-ministri i Kulturës Ylli Pango. Strumbullari i shkarkimeve është Torra Veneciane dhe synimi i Pangos ishte për ta liruar atë nga qiramarrësit me të cilët shteti kishte një kontratë të rregullt, pavarësisht se në ç‘kushte u realizua ajo. Vitet e fundit, shkarkimet e drejtuesve të Monumenteve të Kulturës kanë përsëritur situatën e shefave të Policisë së Portit , duke i dhënë drejtorisë së Kulturës imazhin e një “vendi ku bëhet para”. Kjo situatë është shfrytëzuar nga firma ndërtimi në Durrës, të cilat të penalizuara me pezullim punimesh nga DRMK e kanë denoncuar atë në Prokurori për vonesat që, sipas tyre, “u kanë shkaktuar humbje ekonomiko-financiare”. Për shkak të informalitetit dhe keq menaxhimit të vlerave arkeologjike në Durrës, gjatë 18 viteve të fundit, është kryer atje një masakër me efekte shkatërruese.

    Ligji i ri për Urbanistikën

    Aktualisht, me ligjin e ri, atributet administrative për dhënien e lejeve të ndërtimit, i janë hequr Urbanistikës dhe KRRT , duke u centralizuar në funksionet e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik. Pjesa më e madhe e zbulimeve të bëra gjatë dy dekadave të fundit është varrosur në themelet e pallateve. Situata aktuale urgjentisht kërkon ndryshimin e ligjit dhe organikës së DRMK në të cilën mungojnë specialistët e mirëfilltë dhe fillon të realizojë hartën dixhitale të monumenteve. Specialistët e arkeologjisë, quajnë si kohën më fatale për vlerat e nëntokës së Durrësit, periudhën kur ministër Kulture ishte Ylli Pango dhe Ferdinand Xhaferri. Kjo pasi ata ishin dy ish-ministrat që as u interesonte kultura dhe vlerat e nëntokës, por edhe kanë stimuluar segmente të caktuara që kishin interesa të ngushta personale në fushën e tyre të biznesit duke groposur përfundimisht thesare nën themele pallatesh. Një makabritet i tillë nuk ndodh në asnjë vend normal europian, madje as në atdheun e talebanëve.

    Firmat e ndërtimit dhe trashëgimia kulturore

    Çdo pallat i ngritur mbi rrënoja arkeologjike, është shkelje flagrante e ligjit për trashëgiminë kulturore kurse ata që i ndërtojnë pallatet janë ngritur kundër vlerave kulturore. Reagimi mes palëve, ku problemi mes subjekteve ndërtuese dhe institucioneve të shtetit është gjithmonë evident, ka treguar se triumfues kanë dalë aferat korruptive. Durrësi i sotëm është ndërtuar mbi qytetin e vjetër, veçanërisht qendra e tij, por edhe rrethinat. Kudo që të gërmosh për të ndërtuar do të hasësh objekte të mesjetës apo antikitetit që toka me fanatizëm i ka ruajtur. Duket si lojë, kur firmat ndërtuese përpiqen të mbyllin sa më shpejt themelet për të mos nxjerrë në dritë objektet e zbuluara, ose më e keqja bien në ujdi me drejtues të arkeologjisë për të vazhduar punimet. Bllokimi që iu bë rasteve më të fundit dhe kundërpërgjigjet e shpejta dhe të befasishme kanë krijuar një situatë të re në Durrës. Kur nuk funksionojnë marrëveshjet e kundërligjshme, gjendet një tjetër mënyrë për të reaguar. Vitin e kaluar një firmë ndërtuese u denoncua për dëmtimin e materialit arkeologjik që u gjet gjatë gërmimeve të bëra për hapjen e themeleve të një pallati. Me gjithë kallëzimin ndaj firmës, punimet nuk u ndaluan, pasi ishin të mbështetur nga persona të fuqishëm që nuk dalin në skenë, me gjithë shkeljen e ligjit dhe dëmtimit masiv të vlerave të zbuluara. Por pikërisht në ato moment ndodhi paradoksi, firma denoncon për “dëm ekonomik Institutin e Monumenteve të Kulturës”.

    Torra Veneciane , “molla e sherrit”

    Torra Veneciane qëndron krenare në krye të shëtitores bregdetare “Taulantia”. Forma e saj i mundëson një pamje të plotë nga deti dhe qyteti, duke e bërë dhe shumë të preferuar nga turistët e huaj dhe vendas që vizitojnë Durrësin. Një kafe te Torra dhe një fotografi në bedenat e saj janë kujtime që çdokush që vjen në Durrës kërkon t‘i marrë me vete. Ky pozicion e ka kthyer monumentin historik në qendër të vëmendjes, dhe shpesh edhe si “mollë sherri” në dikasterin e Kulturës. Torra Veneciane, përgjatë 18 viteve të fundit, është hapur dhe mbyllur mbi 25 herë nga dy ish-ministrat e Kulturës, të cilët asnjëherë nuk deklaronin arsyen e vërtetë të këtij procesi që nuk kishte asnjë shkak ligjor. Në Durrës, pas këtyre lëvizjeve të vazhdueshme me Torrën, të gjithë janë kureshtarë të dinë se cili do të jetë fati i mëtejshëm i kullës së rrumbullakët dhe cilët do të jenë qiramarrësit e ardhshëm.

    Groposja e lagjes romake, dosja në Prokurori

    Ishte 27 korrik 2010. Një dokument që mban firmat e 8 specialistëve dhe drejtuesve të institucioneve, ndër ta Ministrit të Kulturës të asaj kohe drejtorit të monumenteve Apollon Baçe dhe kreut të Shërbimit Arkeologjik, Roland Olli, vendos lirimin e gropës për ndërtimin e objektit sipas projektit të depozituar pranë Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. Një vendim i cili diktoi mbulimin e rrënojave romake në qytetin e Durrësit, në zonën që njihet si ish-lulishtja 1 Maji ku u zbuluan rrënojat e një lagjeje romake. Por gërmimet e shpëtimit në këtë zonë, detyruan arkeologun Gjergj Frashëri, të përgatiste relacionin. Kjo ishte zhdukje e njërit nga zbulimet më të mrekullueshme të ndodhur në Shqipëri në dekadat e fundit. Arkeologu Gjergj Frashëri e përcakton këtë zbulim si shumë të rëndësishëm, për nga qytetërimi dhe nga niveli ndërtimor mund të krahasohet me ndërtimet e Pompeit apo të Romës. Ai është një zbulim përtej përmasës kombëtare. Ministria e Kulturës dështoi ta ruante këtë thesar të arkeologjisë. Por më skandalozja është fakti se disa vite më vonë gjendet një urdhër i Ministrisë së Kulturës sipas të cilit “gjetjet të shkojnë në muze dhe sheshi ti dorëzohet ndërtuesit dhe të vazhdojë ndërtimi i pallatit”.

    Drejtorët e Monumenteve të Kulturës të shkarkuar në vite

    Nga 1994 deri në 2013 janë emëruar dhe shkarkuar 29 drejtorë të DRMK, 4 prej tyre janë me dosje në Prokurori për “leje të paligjshme të dhëna subjekteve private për vazhdimin e ndërtimeve”. Nga viti 1997 deri 2013, janë 17 ish-zyrtarë të cilët kanë pasur detyrën e shefit të Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit, dhe 66 persona që kanë kryer rolin e “anëtarit të KRRT”, që pak a shumë kanë peshën e fajit në kasaphanën e kryer me vlerat e nëntokës së Durrësit duke stimuluar dhe miratuar lejet e ndërtimit në kundërshtim me rregulloren e Shërbimit të Arkeologjisë dhe ligjin që bën fjalë për ruajtjen e tyre. Rezultati, asnjëri prej këtyre ish-zyrtarëve nuk është marrë dhe nuk ka qenë asnjë ditë të vetme në ndjekje penale, veç faktit të dërgimit të ndonjë fletë-thirrje nga Prokuroria për ta pyetur formalisht, ose sa për të bërë “qokën” e rastit.