Pali Nito/ Llaqi Jano, njeriu që la “hije” në tërë Myzeqenë

    693
    Sigal

     (publicist)
    Llaqi Jano futet në mozaikun e veteranëve të mrekullueshëm që e pati njohur disfatën, vuajtjen, humbjen, dhimbjen dhe sërish e gjeti rrugën e tij . Ai përfshihej ndër ata burra që buzëqeshte, ndërkohë që shpirti i qante. Burra si ai, kishin vlerësim e ndjeshmëri ndaj jetës, e cila e mbushi atë me shumë dashuri. Po ashtu ai u përkiste atyre njerëzve që janë më shumë të gatshëm të vdesin për idealet e veta se sa të gatshëm, të jetojnë me ato. Qëllimi i jetës së tij të arsyeshme ishte të kuptonte ç‘është e drejtë në këtë botë, të ndjente ç’është e bukur, të dëshironte  ç‘është e mirë. Njerëzit e mrekullueshëm nuk janë të tillë rastësisht. Që në rininë e vet kërkonte këshillën e të moshuarve, sepse sytë e tyre kishin parë fytyrën e viteve, ndërsa veshët e tyre kishin dëgjuar zërat e jetës. Duke lexuar librin “Fisnikëri Myzeqare”, u njoha më shumë me këtë personalitet me emër në Myzeqe. Edhe pse punoi me përkushtim si kuadër idealist dhe me vendosmëri, Llaqi Jano nuk përfitoi të mira materiale, por nga shteti, nga populli i Myzeqesë dhe nga Komiteti Kombëtar i Veteranëve të LANC-it, ai gëzoi vlerësime të mëdha morale si medaljet e Kujtimit, te Trimërisë, të Çlirimit dhe Urdhra pune të Klasit të Parë, të Dytë , të Tretë gjatë punës, pas çlirimit.
    Ishte i arsimuar mirë për jurisprudencë dhe shkollën e lartë të formimit politik “V.I Lenin” në vite 1957 – 1960.
    Ishte njohës shumë i mirë i juridiksionit shqiptar dhe kishte pasion historinë dhe gjeografinë e vendit.
    Pas vdekjes  iu dha Certifikata e Kryetarit të Nderit të Komitetit Kombëtar të LANÇ-it. Është fiksuar në kujtesën e njerëzve, e sidomos të atyre që qëndruan afër tij, si “njeriu që e ndizte zjarrin mbi lumë”, si “njeriu që lëshoi hije në Lushnje dhe në mbarë Myzeqenë”, si “njeriu që e la emrin në sofrën e nderit”,etj…I tillë është vlerësuar në shkrimet e botuara nga  shkrimtaret dhe poetët Foto Malo,Dhimitër Shtëmbari, Bektash Zite, Jovan Bizhyti etj.. Krahina e Libofshës që është vendlindja e tij dhe ku ushtroi për herë të parë veprimtarinë antifashiste kundër postkarabinerisë italiane dhe që është akti i parë ushtarak i Çetës Partizane të Myzeqesë në ditët e para të janarit të vitit 1943, e ka shpallur “Qytetar Nderi” të Krahinës së Libofshës. Ai figuron në librin e figurave më të shquara të Qarkut të Fierit. Me emrin e Llaqi Janos lidhet përkujdesja ndaj varrezave publike në Libofshë, të vendosura hijshëm në Kishën e Shën Gjergjit si rrethimi i tyre me mur të lartë e me kangjella hekuri, gjelbërimi, ndërtimi i 80 shkallëve dhe mbjellja e pemëve biblike si qiparisa të rinj, ullinj, dafina, lule. Këtë e dëshmon edhe një pllakë e mermertë e vendosur në hyrje të Kishës. Nën kujdesin e tij personalisht, varrezat e Krahinës së Libofshës mund të jenë ndër më të bukurat në Shqipëri. Një rrugë në hyrje të Fierit mban emrin e tij dhe të vëllait dëshmor, Mihal Jano. Poeti i fshatit, Nikollaq Çuni i ka thurur vargje poetike dhe këngë. Emigrantët shqiptarë në Athinë, të grumbulluar në Shoqatat “Apollonia”, “Lushnja”, “Përmeti”, “Labëria” etj mblodhën të holla dhe i kanë bërë një bust për së gjalli, të derdhur në bronz. Shumë gazeta të emigracionit në Athinë, kanë shkruar jo rrallë për të. Po ashtu në Shqipëri kanë derdhur nga një grusht me ndjenja të pastra e të sinqerta gazetarët profesionistë edhe shkrimtarët, Aleksandër Bardhi, Foto Malo, Jovan Buli, Bektash Zoto etj.. Madje, në librin e Prof. asoc. Fetah Elezi kushtuar Akademikut Mentor Përmeti, Llaqi Jano krahasohet me personazhin e famshëm të romanit të M. Shollohovit, “Tokat e Çara” ku sipas Akademikut, që e ka  njohur në vitet 60-të dhe 70-të në Lushnje, Llaqi krahasohet me Nagulnovin. Një nga gazetarët që e ka njohur shumë herët Llaqi Janon është Dhimitër Shtëmbari, që mund ta evidentojmë si gazetarin më të dashur të veteranëve të LANÇ-it. Ai shkruan : “Ndërsa hyj në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të LANC-it dhe befas përballem me kryetarin e Organizatës së Veteranëve të rrethit të Lushnjes, Llaqi Jano. Pa filluar mbledhja Llaqi duke ecur drejt shokëve, qëndroi një çast dhe, duke më parë ngultas, m’u shpreh: “Shumë pengje mund të marrë me vete kur të ndahem nga kjo botë, por…këto që lidhen me lavdinë e atyre që sakrifikuan e derdhën gjak për këtë vend, nuk do të më lenë, të tretem…”
    Po kush është Llaqi Jano?
    Ka lindur në Libofshë të Myzeqesë në vitin 1921 në një familje me tradita atdhetarie. U edukua me frymën e mosnënshtrimit ndaj të keqes nga mësues miq dhe bashkëfshatarë të tillë si Jovan Ndreko, Naun Prifti, Llazar Bozo, Anastas Laska, Petro Bualli etj. Me fillimin e LANÇ-it inkuadrohet në çetën e Parë Partizane të Myzeqesë, që u formua në Kolonjë të Myzeqesë më 26 dhjetor të vitit 1942 dhe pastaj në Grupin e Parë Partizan të Qarkorit të Beratit deri në Brigadën e 16 sulmuese. Është dalluar për guxim dhe përkushtim. Duhet të theksojmë se në familjen e babait të tij, Kozma Jano më 22 Maj të vitit 1943 u organizua Besëlidhja e Myzeqesë ku u mor vendimi për krijimin e Grupit të Parë Partizan me 850 partizanë. Udhëheqësit e asaj kohe në Lëvizjen Partizane të Myzeqesë ishin shokët Spiro (Pipi) Bakalli, Spiro Mojsiu, Rrahman Ruci, Llazar Bozo, Xhorxhi Robo, Irakli Bozo, Miti Bozo, Hasan Gina, Sokrat Bufi, Rako e Miti Gjermeni, Familja e Papa Ilia Zegalit  me djemte e nipat, Sedat Ruli, Neim Kuci, Halim Xheka, Llaqi e Mihal Jano, Nikoll Kule, Jovan Sema, Josif Pogaçe, Sadik Koprencka e mjaft të tjerë.
    Nuk ka fshat të Oparit, Skraparit, Tomorricës, Sulovës dhe Myzeqesë që mos ta kishte shkelur Grupi heroik partizan i Myzeqesë. Madje në fshatin Çemerricë, në një përrua të thatë midis pyllit mitik të fshatit Shtyllas të Vithkuqit dhe Qafës së Martës, mbeti i vrarë nga gjermanët më 10 Janar 1944, vetë i shtatë, vëllai i Llaqit, dëshmori Mihal Jano. Në vitet 80-të me iniciativën e tij personale u bë studimi i simboleve të LANÇ-it të Myzeqesë dhe u ngritën pllaka përkujtimore dhe lapidarë kushtuar dëshmorëve të Myzeqesë të rënë në malet e Oparit, Sulovës, Dumresë, Tomorricës, Skraparit etj.. Në vjeshtën e vitit 1944 Llaqit, për merita në luftë dhe për aftësi ushtarake iu besua komanda e Batalionit Partizan territorial, me 300 partizanë që operonte në krahinën e  Libofshës, Bubullimës dhe Gradishtës për spastrimin e këtyre zonave nga armiqtë e popullit, nga kolaboracionistët dhe nga prishësit e rendit publik.
    Ish ministrja e Bujqësisë në vitet 70 – 80-të, të shekullit të kaluar, Themije Thomai në kujtimet e veta shkruan se “Llaqi Jano ka qenë person shumë i njohur në Myzeqe…Për të kisha dëgjuar që në fëmijërinë time të më fliste babai im. Kur unë u rrita kurioziteti më shtyu ta njihja Llaqi Janon. Kur e kam njohur për herë të parë krijova po atë konsideratë që kishte patur edhe babai për të: tip i shkathët, i zgjuar, i dashur dhe trim. Llaqi Jano ishte patriot i flakët dhe i donte e i respektonte tej mase Myzeqarët dhe Myzeqenë. Këtë e vija re kur isha Ministre e Bujqësisë dhe si kuadër kryesor drejtues në rrethin e Lushnjës. Ai shumë detyra të vështira i bënte vullnetarisht. Llaqi i përket atij brezi luftëtarësh për liri që më shumë i dhanë shoqërisë se sa morën prej saj. Rrallë mund të gjendet ndonjë kuadër në Myzeqe që të ketë qenë kaq shumë i përkushtuar ndaj çështjes së LANC-it dhe të rindërtimit të vendit, pas çlirimit, sa miku dhe shoku ynë i paharruar Llaqi Jano.
    Nëse dhe sot në malet e Sulovës, Skraparit dhe Korçës gjenden të ngritur lapidarë kushtuar Luftës antifashiste nacional – çlirimtare të partizanëve të Myzeqesë, padyshim që është këmbëngulja dhe vendosmëria e Llaqit… Kishte shumë iniciativë dhe merrte edhe mbante përgjegjësi, duke i realizuar të gjitha këto qëllime fisnike që bënte për dëshmorët dhe familjet e tyre. Nuk i duronte dot të paaftët dhe servilët dhe sidomos burokratët. Ishte tepër korrekt e i ndershëm. Për mua mbetet veterani i LANÇ-it që punoi më shumë e më me përkushtim, në Myzeqe, duke sakrifikuar nga vetja dhe që ka lenë mbresa të mira tek veteranët dhe brezi i ri”
    Poeti myzeqar dhe ish deputeti i Lushnjës, Faslli Haliti do ta quante “anëtar të “ekipit” të djemve shpuzë të LANC-it dhe të rindërtimit të shoqërisë së re të pasçlirimit… Llaqi Jano qe një luftëtar intransigjent kundër padrejtësive kudo dhe nga cilido që bëheshin këto padrejtësi, qoftë nga shefat më të mëdhenj të partisë dhe pushtetit, qoftë edhe nga cironkat partiake dhe pushtetare, më të rëndomta. Ai kishte tiparet e strallit, brenda të cilit përndizeshin xixat, sapo binte në përplasje me gdhënj partiakë e pushtetarë. Xixat e tij kishin mision iluminist: ato nuk digjnin, por ndriçonin. Llaqi Jano ishte dhe mbeti deri sa u fik njeri i devotshëm i socializmit demokratik human dhe jo një ortodoks i socializmit administrativ, komandues…Ka qenë gjithmonë në favor të ndryshimeve progresiste”. Ndërsa Vath Korreshi, shkrimtar, deputet dhe politikan nga Lushnja, do të shkruante: “Ishte njeri këmbëngulës për arritjen e qëllimeve, njeri kompleks dhe besnik i idealit të tij deri në fund. Kishte karakter të fortë dhe ishte njeri shumë kurajoz. Kujtimet e tij ishin brilante. Kishte një kujtesë dhe një mënyrë të treguari, mahnitëse”
    Shumë vite më parë një poet dhe gazetar si Aleksandër Bardhi nga Libofsha do të shkruante për të në gazetën lokale të Fierit: “Pensionisti dhe veterani Llaqi Jano, banues në Lushnje, vjen shpesh në Libofshë, me të cilën e lidh një pjesë e jetës së tij. E gjen atë midis moshatarëve, të rinjve e të rejave në zyrat e pushtetit e të ekonomisë. I njeh dhe e njohin të gjithë. Gëzohet për një objekt të ri social-kulturor, sugjeron dhe jep mendime për ndonjë problem që nuk ecën. Nuk u lodh për gadi dy vjet duke u interesuar gjer edhe për bazën materiale për ndërtimin e murit rrethues të një objekti siç janë varrezat e fshatit. Nuk e bezdis as balta, tek shkon çdo ditë deri në Vanaj (fshat fqinjë me Libofshën) , ku u mbollën fidanë pishash për të krijuar një mjedis çlodhës e të kulturuar. Interesimi dhe këmbëngulja e tij bezdis vetëm ndonjë burokrat. Dikush mund të pyes: “Ç’e detyron atë të prish qetësinë personale?”
    Përgjigja është e thjeshtë: “Dashuria për fshatin, për bashkëfshatarët, por edhe përkushtimi i tij si njeri luftarak, si qytetar e si altruist!”
    Jeta është filli që lidh katër epoka të historisë së Shqipërisë: të kohës së mbretit Zog, të LANÇ-it, të rindërtimit të vendit e deri tek trazirat e “demokracisë”. Puna dhe personaliteti i tij na problematizojnë për të gjykuar mbi rrugën që ka përshkruar shoqëria shqiptare. Janë të shumta rastet që pasuan në jetën paqësore, kur ai mbronte njerëzit nga padrejtësitë, duke sakrifikuar, jo pak.
    Vepra e brezit të luftës nacional-çlirimtare është bërë objekt spekulimesh e politizimesh nga disa ekstremistë të kohëve tona, që synojnë ta denigrojnë. Por të gjithë ata që përpiqen ta denigrojnë luftën dhe punën vetëmohuese të këtij brezi, janë të falimentuar. Veprën e tyre duhet ta nderojnë jo vetëm njerëzit e lidhur me luftën nacional – çlirimtare, midis të cilëve edhe familja e veteranit Llaqi Jano, por të gjithë, sepse siç ka shkruar rilindësi ynë i madh, Sami Frashëri “atdhetarizmi është topi që shemb çdo kala dhe kalaja që nuk e shemb asnjë top”.