PAK protestë para Kuvendit kundër projektligjit ndaj tyre

    378
    Sigal

    TIRANE – Shoqata e personave me aftësi të kufizuar protestoi sot para Kuvendit për të kundërshtuar projektligjin për këtë kategori, sipas të cilëve cënon të drejtat e tyre duke favorizuar qeverinë. Kreu i Personave të Verbër, Sinan Tafaj tha gjatë protestës se sipas tij ministri Erion Veliaj po përpiqet të miratojë një ligj që as qeveria Berisha nuk guxoi ta bënte. Tafaj theksoi se Veliaj po përpiqet të hedhë baltë ndaj kategorisë së personave me aftësi të kufizuar, duke e cilësuar këtë si një protestë kryetarësh. Tafaj vijoi më tej duke u shprehur se vetë Ministri Veliaj është përpjekur për të bindur përfaqësuesit e kësaj kategorie të mos marrin pjesë në protestë, ndërsa ripërsëriti qëndrimin se sipas tij projektligji i ri shkel të drejtat e kësaj kategorie të fituar ndër vite. “Sot jemi mbledhur këtu për të shprehur kundërshtimin tonë ndaj projektiligjit të paraqitur nga ministria dhe kjo protestë nuk është kundër qeverisë dhe as kundër PS-së por ështe kundër minstrit Erion Veliaj që ka sjell në parlament një projekt ligj që as qeveria Berisha nuk guxoi ta sillte. Ne këtu jemi për të mbrojtur të drejtat tona që na kanë dhënë qeveritë e shkuara. Ajo që është e re në këtë sjellje është jashjtëzakonisht shqetësuese. Minstri Veliaj dhe shoqatat rreth tij që gjoja janë në fuknsionin tonë, kërkojnë të hedhin baltë ndaj nesh. Ata kanë kontaktuar dje me përfaqësues tanë për t’i bindur për t’u tërhequr nga protestat. Jemi organizatë e një shoqërie civile, e cila ka në themel të vetë interesin e thjeshtë. Përpjekjet e Veliaj për të hedhur baltë do të shtohen në të ardhmen dhe nuk është çudi nëse mund të na akuzojnë në të ardhmen. Veliaj deklaroi të premten se kjo është një protestë kryetarësh. Ai ka deklaruar se nëse ju shkelet një e drejtë unë do të jap dorëheqjen. Ministri ka vënë në fokus për të goditur të drejtat tona, dhe ju e shikoni që ka deviacione si rezultat i lojërave të Veliaj dhe njerëzve pranë tij. Nëse Veliaj vijon kështu ai do të ketë sukses në dobësimin e zërit por ne jemi të vendosur për të kërkuar të drejtat tona, të cilat i kemi fituar me përpjekje të vazhduar. Zoti Veliaj ka kërkuar të krijojë përçarje mes grupeve sikur ne punojmë për të tjerë.” tha Kreu i Personave të Verbër, Sinan Tafaj. Ndërkohë nga ana tjetër Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në një reagim për shtyp tha se ky projektligj sjell risi, respekton barazinë e të drejtave për të gjithë grupimet e personave me aftësi të kufizuara dhe bazohet mbi Konventën e OKB-së mbi këtë grupim. Në këte deklaratë MMSR shtron 5 pika ku bazohet dhe justifikohet hartimi i këtij projektligji duke përsëritur gjithashtu më shumë se një herë se është i domosdoshëm për të eliminuar gradualisht diferencat aktuale në trajtimin e grupeve të ndryshme të personave me aftësi të kufizuara, si për shembull personat me aftësi të kufizuara mendore, personat me probleme dëgjimi, etj. Sipas Ministrisë procesi i hartimit është bazuar në një bashkëpunim me aktorë të ndryshëm, institucione në nivel qendror dhe vendor, dhe përfaqësues të organizatave të fushës së aftësisë së kufizuar. Lidhur me deklaratat e Tafajt, se po cënohen hapur kompetencat dhe fondet e shoqatave të PAK, në pikat 3, 4 dhe 5 të deklaratës për shtyp të MMSR flitet për ndryshime të nevojshme në të gjithë legjislacionin shqiptar, konfigurimin shumë-disiplinor të komisioneve të vlerësimit të aftësisë së kufizuar dhe ngritjen e një Këshilli Kombëtar që përfshin edhe 5 anëtarë, persona me aftësi të kufizuara (përfaqësues organizatash).

    Më poshtë projektligji i Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë për PAK:

    1. Ruan të paprekura të gjitha të drejtat e arritura deri më tani për personat me aftësi të kufizuara.

    2. Jep një përkufizim bazë dhe unik të personit me aftësi të kufizuara, që do të përdoret në gjithë legjislacionin shqiptar, kur preken çështjet e aftësisë së kufizuar duke eleminuar pabarazitë në trajtimin e personave me aftësi të kufizuar deri më sot.

    3. Orienton ndryshime të nevojshme në të gjithë legjislacionin shqiptar, me qëllim përafrimin e legjislacionit të brendshëm me Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

    4. Përcakton konfigurimin shumë-disiplinor të komisioneve të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, bazuar në Klasifikimin Ndërkombëtar për Funksionimin, Aftësitë e Kufizuara dhe Shëndetin (ICF), si standard të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

    5. Ngre Këshillin Kombëtar për të diskutuar hapur mbrojtjen dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, ku do të jenë anëtarë edhe 5 persona me aftësi të kufizuara/përfaqësues organizatash, si strukturë e ngjashme në legjislacionet e tjera si ligji “Për mbrojtjen e fëmijëve” dhe ligji “Për barazinë gjinore”. Kriteret e përfaqësimit në këtë Këshill do të përcaktohen me akt nënligjor.

    Ligji synon të eleminojë gradualisht diferencat aktuale në trajtimin e grupeve të ndryshme të personave me aftësi të kufizuara, si për shembull personat me aftësi të kufizuara mendore, personat me probleme dëgjimi, etj.

    Në vitin 2009, Qeveria Shqiptare e firmosi dhe në vitin 2012 Parlamenti Shqiptar e ratifikoi Konventën e  OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, si dokumenti i parë  ku të drejtat e personave me aftësi të kufizuara trajtohen nën këndvështrimin e të drejtave të njeriut. Me pranimin e kësaj Konvente, shtetit shqiptar i lindi detyrimi i respektimit të barabartë të të drejtave të gjithë grupimeve të personave me aftësi të kufizuara, duke përqasur legjislacionin shqiptar me linjat e Konventës.

    Projektligji u hartua me ndihmën teknike të ofruar nga UNDP dhe ka përfituar nga ekspertiza ligjore e njërës prej anëtareve të grupit të punës të OKB-së, e cila ka punuar edhe për hartimin e Konventës. Procesi i hartimit u bazua në bashkëpunimin me aktorë të ndryshëm, përfaqësues të institucioneve në nivel qendror dhe vendor, dhe përfaqësues të organizatave të fushës së aftësisë së kufizuar, pas një sërë takimesh publike. Çdo nen i ligjit është në përputhje me dispozitat e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, sqaron Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.