Pajtim Bello: Ja kush humbi nga largimi i CEZ-it dhe e vërteta për arbitrazhin ndërkombëtar

778
Sigal

INTERVISTA/Flet për situatën energjetike në vend ish -zëvendësministri i Ekonomisë Pajtim Bello

Largimi i kompanisë CEZ nga Shqipëria, nuk do të kalojë pa kosto për shtetin shqiptar. Në lidhje me situatën pas largimit të CEZ, me situatën në sektorin energjetik dhe të tjera problematika për energjinë ka folur në një intervistë për “Telegraf”, ish- zëvendësministri i Ekonomisë Pajtim Bello. Sipas zotit Bello, dështimi i kësaj kompanie njëherësh tregon edhe dështimin e privatizimeve në Shqipëri.

-Zoti Bello, si e shikoni situatën aktuale në sektorin energjetik, pas largimit të CEZ-it nga Shqipëria?

-Është një gjendje e pa përcaktuar, që për së shumti ndikon në përkeqësimin e gjendjes se në sektorin energjetik. Normalisht kemi të bëjmë me një dështim të politikave të Qeverisë në privatizimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë. Asnjë privatizim në sektorët strategjikë nuk rezultoi i suksesshëm duke filluar që nga ARMO sh.a, OSSH sh.a etj.. deri në gjoja privatizimin e “Albpetrol” sh.a, të gjitha këto kompani në sektorin strategjik. Privatizimi i dështuar ka sjellë një situatë të renduar në këtë sektor, por mbi të gjitha në sektorin e energjisë elektrike, operator i së cilës është edhe CEZ sh.a që pati blerë ish- OSSH sha. Edhe e ardhmja e sektorit të energjisë elektrike nuk do të jetë më e mire se e tashmja. Treguesit e sektorit të energjisë elektrike do të bëhen edhe më të rënda. Do të rriten humbjet legale dhe jo legale të energjisë elektrike në rrjet, do kemi nivele të ulëta në arkëtimin e faturave të energjisë elektrike, mospërfillje të klientëve në marrëdhëniet me operatorin e shpërndarjes të energjisë elektrike, rritje të borxheve të ndërsjella mes operatorëve në tregun e energjisë elektrike, përkeqësim të krizës financiare brenda sistemit të këtij tregu dhe ndikim të kësaj krize në buxhetin e shtetit, siç edhe ka ndodhur gjatë vitit që shkoi.

 -A ishte mënyra e duhur për largimin e kësaj kompanie nga Shqipëria pas një periudhe të gjatë që grabiti qytetarët shqiptarë?

– Mendoj se jo. Vlerësimi i situatës prej Qeverisë në shpërndarjen e energjisë elektrike u bë shumë me vonesë edhe pse qeveria ishte e paralajmëruar për një dështim të këtij privatizimi. Kjo vonesë në kohë çoi në përkeqësim të treguesve operacionalë, financiarë dhe komercialë deri në atë nivel sa që provokoi një reagim të pa kontrolluar të qeverisë. Kundërvënia ndaj CEZ sh.a nga podium i Parlamentit, tavolina e Qeverisë apo të ministrive ishte një reagim aspak korrekt dhe me siguri që shkaktoi një tronditje në administrimin e shoqërisë, sidomos në përkeqësimin e ambientit në tregun e energjisë elektrike. Thënie e kundërthënie çuan në zinxhir ngjarjesh që tregonte se situata ishte jashtë kontrollit dhe po rrëshqiste në drejtim të gabuar. Gjithçka ndodhi si në raunde boksi, ku pa dyshim që boksieri më i fortë është Qeveria. Por nga këto duele nuk ka të fituar.

 -CEZ, e ka dërguar Shqipërinë në arbitrazh ndërkombëtar, ndërkohë që, të njëjtën gjë ka deklaruar se do të bëjë edhe Shqipëria. Si e shikoni këtë situatë dhe kush do të dalë i humbur nga palët?

-Që qeveria edhe CEZ sh.a janë të humbur, të paktën deri tani. Por më i humbur është tregu i energjisë elektrike sot dhe në të ardhmen. Qeveria humbi politikisht se dështoi në privatizimin e ish- OSSH sh.a, gjendja e tregut të energjisë elektrike u përkeqësua ndjeshëm dhe pasojat e sajë do të ndihen gjatë. Por Qeveria do të ketë edhe humbje të tjera që do të vijnë së shpejti. Duelin përfundimtar me sa duket do ta fitojë CEZ sha në arbitrazhin ndërkombëtar. Kjo kompani ka përvojë në gjyqe të tilla, por mbi të gjitha Qeveria ka gabuar taktikisht gjatë prishjes së periudhës se mjaltit me CEZ  sh.a dhe kreu veprime të njëanshme deri edhe të dhunshme që do të favorizojnë fitoren e CEZ sh.a në këto gjyqe. Pra, qeveria do të humbë edhe gjyqin, do të paguajë një gjobë të majme dhe fitorja e pjesshme e sajë do të ngjajë me fitoren e Pirros. Pra, si palë shqiptare, Qeveri, popull dhe treg i energjisë elektrike do të jemi të humbur. Shija e kësaj ndodhie shumë të pakëndshme do të jetë për kohë të gjatë në sektorin e energjisë elektrike dhe në të tërë tregun e energjisë elektrike. Ishte një lojë e rëndë dhe ne u futëm në fushën e lojës, kur i thonë. Duheshin llogaritur disa masa dhe disa lëvizje muaj më parë, mbase edhe një vit e gjysmë më parë, kur Qeveria u paralajmërua se privatizimi i ish -OSSH sh.a kishte dështuar, që në nisje të privatizimit. Në administrim -monitorimin e ecurisë së kompanisë së privatizuar edhe tashmë në largimin  CEZ-it, qeveria nuk ka treguar profesionalizëm dhe përgjegjshmëri politike.

 -Tani që kemi administrator shqiptar, sa optimist jeni për rregullimin e situatës në fushën e energjetikës?

– Si çdo shqiptar do të më pëlqente të isha optimist. Por duhet të hedhim faktet në tavolinën e bisedës, për të parë çfarë do të ndodhë. Unë iu thashë çfarë situate u krijua gjatë administrimit nga CEZ-i, rrëshqitjes së situatës në pesë muajt e fundit (shtator 2012-janar 2013). Administratori dhe stafi i tij nuk mund të bëjnë të magjishmen. Kjo sepse kanë përpara një situatë të mbarsur me lloj-lloj problemesh teknike, operacionale, financiare, organizative, ligjore, të pronësisë, marrëdhëniesh me klientët dhe të pritshmërisë nga konsumatorët dhe institucionet shtetërore për përmirësim të shpejtë të gjendjes. Pra, siç duket janë nën presionin e shumë faktorëve që ndikojnë negativisht në administrimin e mirë të kompanisë, sidomos kur jemi edhe në periudhë zgjedhore, ku telefoni i administratorit do të mbytet nga telefonatat e qeveritarëve, kandidatëve për deputetë etj… Në këto periudha ne kemi dëgjuar edhe falje të faturave të papaguara, gjë që, mund të ndodhë edhe këtë herë.

-Çfarë do të këshillonit Ju në këtë situatë?

– Unë mund të këshilloj, por vështirë se do të dëgjojë njeri. Kjo sepse nuk më dëgjuan as kur nxituan me eufori në privatizimin e ish-OSSH sh.a dhe deri në këtë moment që flasim. Gjithsesi, unë e di se Operatori i shpërndarjes ngjan me një tren të madh. Në këto momente treni është në një dishezë dhe sistemi i frenimit nuk i funksionon.

Detyrat që duhen bërë menjëherë

Detyra e parë është të ndalohet rrëshqitja e këtij treni, pra të funksionojë sistemi i frenimit. Këtu janë një sërë masash teknike organizative që mund t’i rekomandojnë specialistët e fushave përkatëse. Kjo duhet bërë urgjentisht, në dy apo tre muaj, përpara se treni të hyjë në tunelin e pa shpresë. Detyra e dytë është të ndërrohet çifti i shinave, pra treni të hyjë në rrugën e duhur dhe kjo duhet bërë në gjashtë apo shtatë muaj. Këtu nënkuptohen masa të thella me karakter reformator, operacional, ligjor, financiar, të marrëdhënive me operatorët e tjerë të tregut të energjisë elektrike, të ndërthurjes të një kontributi ndërinstitucional të agjencisë shtetërore në dobi të mbarëvajtjes së punës në këtë sektor etj.. Pra, siç e shikoni të emërosh një administrator është e thjeshtë, port ë ndryshosh një situatë është shumë e vështirë. Me këtë dua të them se duhet një strategji e Qeverisë dhe Ministrisë të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, përfshi edhe Entin Rregullator të Energjisë. Një strategji e tillë nuk është dëgjuar. Për këto që thash unë nuk jam optimist për ndryshim të gjendjes, sidomos për një periudhë të shpejt. Qeveria dhe institucionet mesa duket presin gjithçka nga një administrator dhe me s duket po gabojnë përsëri. Qeveria duhet të marrë përgjegjësitë për çfarë ndodhi në këtë sektor dhe të përfshihet aktivisht në zgjidhjen e situatës. Mjaft më me fjalime e mburrje, të uli kokën, t’iu kërkojë ndjesë shqiptarëve dhe të punojë seriozisht. Vetëm kështu mund të fillojë ndrydhi për mirë i gjendjes në sektorin e energjisë elektrike.