Pacientët: Në spitale mungon mjekimi bazë

    81
    Premtimet elektorale të Rilindjes, në drejtimin më jetik, në atë të shëndetit dhe mjekësisë “falas”, ishin motivuese, shpresëdhënëse, besimplote, për nga këndvështrimi e trajtimi përpara atyre që kishim trashëguar. Ndaj votuesi reflektoi e besoi. Por, ndodhi e kundërta. Këndvështrimi dhe trajtimi qenë fasadë. Ai u përqendrua në tualetin e infrastrukturës, sloganeve të korrupsionit, në emër të fjalës magjike, si rëndom ka ndodhur në këto 25-vjet me kapitalin më të çmuar, njeriun, kontributi i të cilit është ngritur në institucionin e mosvlerësimit, deri në mohimin e së drejtës të të jetuarit. Ky është shteti ligjor?! Detyrimet për sigurimin shëndetësor i kërkon, trajtimin e mohon. Ky realitet është i papranueshëm, tronditës, kur ballafaqohesh me mangësitë më bazike të mjekimeve, të cilat çuditshëm në farmacitë private i gjen. Shumë më keq ndodh me medikamentet themelore të diagnozave në sëmundjet e gjakut, të cilat në të shumtën e rasteve mungojnë ose zëvendësohen me alternativa, që prishin protokollin e kimioterapisë dhe padyshim shtojnë risqet e të jetuarit. Edhe pse komunikimi, kërkesa, ballafaqimi me përfaqësuesit më të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, por jo vetëm, s’ka munguar situata vazhdon të mbetet tragjike, e pjesshme, premtuese me fjalë e hipokrite, duke u justifikuar me të pavërteta, me banalitet. Pse vetëm fjalë… dhe premtime? Sepse mungon organizimi, vlerësimi njerëzor i strukturave. Mbizotërojnë afera lidhjet mafioze, interesat marramendëse financiare me sektorin privat, të cilat janë bërë lehtësisht të verifikueshme për këto tetë muaj nga përvoja e hidhur, e imja. Përballë këtij realiteti ndihesh i fyer nga shteti yt, për të cilin ke investuar, sublimuar, por je abandonuar. Ke marrë “mbështetjen” në çdo nivel të pushtetit vendor dhe atij institucional, por përsëri ka ndodhur e kundërta. Hipokrizia – Mohimi. Shmangia. Rivaliteti i etjes për fitime të pameritueshme. Këtë realitet të hidhur, indiferent, diskriminues me përgjegjës qeverisjen në përgjithësi dhe dikasterin e Ministrisë së Shëndetësisë në veçanti, të cilin e kam 

    përjetuar në çdo moment dhe ndaj të cilit kam mbajtura qëndrim demaskues, nuk e kam gjetur në pavijon, si nga personeli mjekësor, ashtu edhe nga ai ndihmës. Tek ta kam parë të njëjtin shqetësim, qëndrim dhe demaskim. Kur kërkesat janë parashtruar, kur mangësitë janë evidentuar, kur blerja e ilaçeve (në të shumtën e rasteve) është kundërshtuar me të drejtë nga ne, ata janë shprehur: “Kërkojani shtetit ligjor”. Kjo sarkazëm flet shumë… Aty përfshihet gjithçka, në veçanti mendimi filozofik latin: “Fjalët i merr era. Dokumenti është i vërtetë”. Pra, e vërteta e mohuar. Ku shkojnë 42 vjet kontribute? Pse mungojnë medikamentet me mbishkrimin “Vetëm për regjimin spitalor” dhe po ato i gjen në farmacitë private rreth QSUT, “Nene Tereza”? Kush mban përgjegjësi për jetën në këto kushte? Mjeku që ka vetëm dijet apo shteti qe ka detyrimin, financat dhe planifikimin për të garantuar në vijimësi të pandërprere çdo paketë medikamentesh në mbështetje të protokollit?! Sigurisht ky i dyti. Por, që siç shihet ai është jashtë loje dhe tepër i kapur. Bindja, e cila dje nga jashtë e shprehur në program, por jo vetëm, ishte e besueshme, sot e vërtetuar katërcipërisht me përjetimin real evidentohet korruptive, false, propaganduese. Është për të ardhur keq, kur sheh njerëz në nevojë, të cilët nuk kanë mundësi të ndihmojnë vetveten me mungesat e ilaçeve, të konstatosh këtë maskaradë. Ja, pra,e vërteta është kokëfortë. Por, kush e përjeton atë në të tilla realitete, ajo bëhet me tronditëse, më mosbesuese. Pse? Sepse dhe në një rast të vetëm në jetë, në regjimin spitalor, harrohesh, nuk merr mbrapsht kontributin,vlerat, arritjet, dinjitetin. Nëse do te kishim raste të tilla (sinqerisht, gjë të cilën s’e uroj!) tek pushtetarët të çdo niveli, çfarë do të ndodhte? Sigurisht e kundërta. Fyese kjo. Shumë fyese, kur me VKM miratohen miliona lekë për të tillë njerëz, të cilët veç të qënurit në këto nivele, s’kanë asnjë vlerë, kontribut apo meritë. Ja, ky është shteti ligjor. Vazhdimësia e kalvarit të vuajtjeve, lufta për të mbijetuar, gjetja e shtigjeve dhe shtrirja e thirrjes për ndihmë, kur kjo të mungon në shtetin tënd, të sjell dritën në tunelin e errët. Çuditërisht këtë dritë, këtë zë që tek ty të mungon, e dëgjon në shtetin fqinj, Greqi, ku organizimi, perfeksionimi, vlerat humane, pa dallim kombësie e kontributi, bëhen universale. Me kërkesë dhe sensibilizim të disa aktorëve panë dritën e konkretizimit nëpërmjet shoqatave “Farmacisti në ndihmë 

    të njeriut në nevojë” dhe “Mjekët pa kufi” që të më sigurojnë mjekimin bazë “VELCADE”, falas, me 17 flakon për 6 muaj kimioterapi konform protokollit ndërkombëtar. Ndërsa ironia e shtetit tim, kështjella e rërës, më siguroi, duke me terrorizuar, vetëm 7 flakonë për dy muaj dhe me cikle të shkëputura, dëmtuese e të vonuara në parandalimin e sëmundjes. Ç’mund t’i themi këtij antipodi? Ç’mund t’i themi këtij shteti, kësaj qeverisjeje, këtij realiteti të shumë propaganduar, por si gjithmonë fiktiv? VETËM TURP… TURP… TURP… DHE FAQJA E ZEZË!

    Ndaj thirrja dhe apeli im qytetar është: lnvestigoni, konstatoni, parandaloni, ndryshoni, ballafaqohuni me këto të vërteta të pakundërshtueshme! Largoni frikën! Shkatërroni rrjetet kriminale! Mos u bëni palë! Kohë për të reflektuar ka dhe mos këmbëngulni të kundërtën mediatikisht! Pacientët çdo ditë janë në agoni. Presin, besojnë, shpresojnë, por ju vazhdoni të luani tragjedinë. Jepni shansin e jetës! Mos e këputni atë!

    Pacienti i Hematologjisë pranë QSUT
    Albert DAMJANECI