Pa plotësuar 40 vjet sigurim, s’ka pension. Ja formula e re e pensionit

    319
    Sigal

    Qeveria parashikon që të barazojë pensionin e meshkujve dhe atë të femrave duke e rritur në 67 vjeç. Rritja graduale e moshës së daljes në pension si për gratë, ashtu dhe për burrat deri sa të barazohet në 67 vjeç, për të dy sekset, në vitin 2056, sjell gjithashtu edhe rritjen graduale të viteve të siguruara të detyrueshme për të përfituar pension të plotë pleqërie. Kështu vitet e siguruara të detyrueshme për të përfituar pension të plotë në vitin 2056-n do të jetë 40 vjet, nga 35 që është tani.

     Pensioni Social

     Shuma mujore e pensionit social është parashikuar të jetë, afërsisht, e barabartë me shumën e të ardhurave që ofrohet nga skema aktuale, për një të siguruar që ka minimumin e periudhës së sigurimit prej 15 vjetësh dhe që ka kontribuar mbi një pagë minimale, në shkallë vendi. Pensioni social parashikohet t’u akordohet qytetarëve shqiptarë mbi moshën 70 vjeç, që nuk kanë të ardhura të tjera të përfituara nga pasuritë, trashëgimitë, të ardhura nga investimet etj, pra, kur vërtetohet që nuk kanë mjete të tjera alternative për jetesën. Gjithashtu, në këtë dispozitë parashikohet që pensioni social mund të jetë i pjesshëm, për atë kategori personash që kanë të ardhura nga burime të tjera, por niveli i tyre mujor është më i ulët se masa e pensionit social. Kriteret e përfitimit do të caktohen nga Këshilli i Ministrave. Bazuar në të dhënat nga regjistri i shtetasve, dhe regjistri i pensioneve, si edhe duke vlerësuar në mënyrë eksperte, numrin e përfituesve (kjo për shkak të mungesës së të dhënave për burimet e të ardhurave të të moshuarve pa pension), parashikohet që në vitet e para numri i përfituesve të jetë rreth 5000 persona me një kosto vjetore prej rreth 400 milionë lekë në vit, të cilat do të financohen nga të ardhurat e përgjithshme, nëpërmjet buxhetit të shtetit.

    Masa e pensionit

    1. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë.

    2. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social.

    3. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 59, të këtij ligji.

    4. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.”.

     

    Formula e re e pensionit

     Ndryshimit të formulës së llogaritjes së pensionit në: P = Sr/Sk x PS +Sh, ku:

    – P është masa e pensionit mujor;

    – Sr është periudha e sigurimit që ka realizuar personi

    – Sk është periudha e sigurimit të kërkuar

    – PS është pensioni social, masa e të cilit është jo më e lartë se masa e pensionit të pjesshëm, që arrihet nga skema kontributive;

    – Sh është shtesa, vlera e së cilës është 1% e vlerës së bazës së vlerësueshme për çdo vit, e cila përfaqëson raportin e kontributeve mesatare në vitin aktual, me kontributet mesatare të viteve të mëparshme.