Osman Terziu: Shteti vjedh pensionistët, përllogaritja e rritjes së pensioneve me 0,5% më pak

    366
    Sigal

    Intervistë/ Flet Osman Terziu, kryetar i Shoqatës për Integrimin e Pensionistëve të Shqipërisë

    Në Shqipëri janë gjithsej 572 mijë pensionistë, nga të gjitha kategoritë, ose e thënë ndryshe, 1/3 e popullsisë shqiptare. Kjo është një shifër zyrtare e atyre që përfitojnë pension, por ka një numër të konsiderueshëm të cilët edhe pse kanë kontribuar, prapë nuk marrin pension.  “Këta nuk marrin pension për pasojë të gabimeve ortografike të bëra nga ish-shefat e kuadrove”, shprehet në një intervistë për “Telegraf” Osman Terziu, kryetar i Shoqatës për Integrimin e Pensionistëve të Shqipërisë. Më tej, Terziu tregon për pensionistët e braktisur, problemet e tyre si dhe për bashkëpunimin me fondacionin e Caritas-it në zbutjen e situatës së tyre. Gjithashtu Terziu flet për rritjen e pensioneve dhe nëse kjo rritje është apo jo reale. “Pensionisti ka nevojë për sot, nesër është vonë” shprehet Terziu në kërkesat që ai i parashtron qeverisë së re.

    Shumë pensionistë hasin vështirësi në marrjen e pensionit, edhe pse kanë kontribuar një jetë të tërë në sistemin e kontributeve. A keni dijeni ju për numrin e tyre?

    Është një pjesë e konsiderueshme pensionistësh, të cilët nuk marrin të drejtën e pensionit për pasojë të gabimeve ortografike në shkresat zyrtare nga ish-shefat e kuadrove të ndërmarrjeve shtetërore, apo bujqësore. Pra, pasaporta apo karta e identitetit ka ndryshime të vogla me regjistrin themeltar, që kanë regjistruar ish-shefat e kuadrit të asaj kohe, gabime ortografike, për shkak të nivelit jo të lartë arsimor të tyre, mjaftonte shkolla e partisë që ata të kishin një pozicion të tillë. Dhe tani, për një gabim të vogël ortografik, duhen një sërë dokumentesh dhe megjithëse identiteti i të interesuarit konfirmohet nga kryetari i komunës së fshatit, atje ku ka lindur dhe jetuar ai, apo dhe kryeplaku i zonës ku banon, edhe shoqëruar me dokumenta të tjera, prapë ai has pengesa të theksuara në implementimin e pensionit.

    Ka një pjesë të pensionistëve, të cilët janë të braktisur dhe jetojnë në një gjendje të mjerueshme. Çfarë mund të na thoni ju për këtë kategori dhe sa është numri i tyre? 

    Ne kemi përgatitur një projektligj, të cilën ia kemi paraqitur qeverisë që quhet “Statuti i moshës së tretë”, por për fat të keq ky statut qëndron akoma në sirtar. Ne, aktualisht, në Shqipëri kemi 90 mijë pensionistë të vetmuar dhe të braktisur, për të cilët edhe fëmijët e tyre, të emigruar jashtë që nga ‘90-’95, as që e kanë kthyer më kokën prapa; apo ata që kanë pasur fatkeqësi të jetës, nuk kanë lindur, apo u ka vdekur fëmija, etj. Këta jetojnë në një gjendje mjaft të mjeruar ekonomike, për të cilët shteti, përveç pensionit të cilin e kanë fituar me kontributet e tyre, nuk u ka mundësuar asnjë ndihmë sociale.

    Po pse kjo kategori nuk shkojnë në azilet e pleqve?

    Në Shqipëri janë 6 azile, sot për sot, me një kapacitet të limituar, prej 40-60 personash. Për të shkuar në azil, duhen një sërë dokumentesh. Duhet një vendimmarrje e këshillave të komunave apo bashkive, pastaj Drejtoria e Shërbimit Social, që merret me trajtimin dhe sistemimin e tyre në këto qendrat e moshës së tretë, i ka kthyer edhe pse me dokumentacion të rregullt (disa syresh i ka ndihmuar shoqata jonë në plotësimin e dokumenteve), pasi sipas tyre nuk ka vende. Krahasuar me vendet e rajonit ne lemë shumë për të dëshiruar në këtë aspekt. Nga 6 qendra azilante që ka Shqipëria, 400 ka Mali i Zi dhe me një trajtim të përsosur.

    Çfarë keni bërë ju si shoqatë për ta zbutur këtë situatë?

    Ne i jemi drejtuar komunave për një pjesë të këtyre pensionistëve të vetmuar dhe pak mirëkuptim, për të mos thënë aspak, kemi gjetur nga qeveria vendore, përjashto Tiranën, për të cilën ne kemi bashkëpunuar me Caritas-in, (në muajin prill kemi bërë një takim me Caritasin gjerman në Shqipëri) dhe kemi futur rreth 80 familje në shërbim parësor shëndetësor, ku shkon mjeku, infermieri dhe një punonjëse sanitare që u shërben, i paguan ujin, energjinë, u bën pazaret, u pastron, kjo për 3-4 orë në ditë dhe kjo ka funksionuar normalisht te Ali Demi, te Zogu i Zi dhe te Fusha e Aviacionit. Kemi arritur që të zbusim pak këtë situatë për 80 familje, por krahasuar me nevojën, jemi shumë mbrapa, por edhe për kaq, më lejo të falënderoj Caritas-in, i cili është i vetmi fondacion që ka kontribuar në mbështetje të kësaj moshe.

    Po për sa i përket subvencionimit që i bëhet nga shteti grupeve në nevojë, për disa shërbime të caktuara, kush përfiton dhe a keni ju informacion nëse e marrin realisht këtë subvencionim?

    Përfitojnë invalidët në tërësi, ushtarakët dhe pensionistët e vetmuar. Jo të gjithë e përfitojnë këtë subvencionim, por pjesërisht. Për shembull, ne kemi konstatuar në disa komuna, sidomos në zonat interurbane që nuk e përfitojnë këtë shërbim.

    Po pse nuk i përfitojnë?

    Për mangësi dokumentacioni, nuk arrijnë t’i bëjnë, se për shembull, pensionistët e vetmuar janë të moshuar, të sëmurë, s’ kush i informon, ose invalidët nuk kanë një njeri t’i ndihmojë, pastaj po nuk qe vetë personi, institucioni nuk të jep asnjë dokument. Unë kam patur një rast këtu, në mes të Tiranës, te Zogu i Zi, të cilit që prej një viti i ishte shkëputur pensioni i invaliditetit. Ky invalid kishte një këmbë të këputur, madje kishte këputur dhe tjetrën, nuk arrinte dot të shkonte te komisioni mjeko-ligjor dhe për këtë arsye komisioni mjeko-ligjor nuk i jepte invaliditetin. Ne kemi ndërhyrë dhe me ndihmën e Pëllumb Piperaj, takuam ministrin e Shëndetësisë, i cili urdhëroi komisionin të shkonte në vend dhe ta verifikonte. Pra, nëse ai nuk e ka njërën këmbë, s’ke pse i nxjerr çdo vit telashe për dokumentacionin, sepse atij nuk i rritet më këmba.

    Pensionistët me vendim të Këshillit të Ministrave kanë marrë, që nga 1 gushti, pensione të rritura me 4 % në qytet dhe 5 % në fshat. A ishte reale kjo rritje, sipas jush?

    Pensionet janë rritur gradualisht çdo vit, por nuk janë rritur me përmasën e përcaktuar me ligj, pra nëse është deklaruar se është rritur me 4%, ajo është rritur me 3,5 %, ka pasur diferenca në përllogaritje të rritjes. Megjithëse ne e kemi kundërshtuar dhe e kundërshtojmë përsëri, sepse rritja tek ne është e pallogaritshme, në shifra qesharake, krahasuar me Europën, ku ne pretendojmë të hyjmë.  Pastaj ne kemi një version tjetër të rritjes, se nëse rriten pagat apo pensionet 1 herë në vit, çmimet e tregut rriten 3 herë: Në momentin që futet projektligji në Parlament për t’u diskutuar, rriten çmimet 22-24 % dhe kjo bëhet në muajin shtator. Në dhjetor, kur Parlamenti diskuton projektbuxhetin, rriten me 26-29 %, ndërsa në qershor, një muaj përpara se të implementohet ky ligj, rriten me 25 %. Pra, krahasuar me tregun, rritja është e pallogaritshme. Prandaj, ne i kemi propozuar dhe mendojmë, që shteti duhet të mbajë shportën në kontroll, të ketë një çmim tavan, që rritja të jetë e dukshme, por kështu…?

    Shoqata e pensionistëve, qeverisë së re: Pensionisti të trajtohet sot, nesër është vonë

    Për shoqatën që unë drejtoj, nuk ka rëndësi kush vjen e kush ikën nga pushteti. Shoqata për Integrimin e Pensionistëve të Shqipërisë është jopolitike, joqeveritare, jofitimprurëse. Ne na duhet që qeveria të mendojë për këtë moshë, e cila po ikën çdo ditë dhe qeveria duhet të mendojë sot, se nesër është vonë. Edhe nëse shteti shqiptar pasurohet dhe ngrihet në nivelet më të larta, nesër s’i hyn në punë pensionistit. Pensionisti ka nevojë për sot, sidomos mosha e katërt dhe mosha e tretë, por edhe mosha e dytë që po afrohet drejt moshës së tretë. Edhe kjo kategori ka mjaft probleme për të zgjidhur dhe për t’u futur në kanalet ligjore, pasi shumica e tyre, për arsye të moshës së punës, do të ngelen pa pension. Shteti duhet të mendojë edhe për këta, duhet të japë një pension taksativ edhe nëse s’kanë kontribut, se ku do të hanë këta?