Osman Terziu: Rritja e çmimit të biletave të autobusit “ngujon” pensionistët

    378
    Sigal

    Shoqata për Integrim i Pensionistëve të Shqipërisë, kundër ngritjes së tarifave të shërbimit urban

    Shoqata për Integrim i Pensionistëve të Shqipërisë është kundër ngritjes së tarifave të shërbimit urban. Shoqata është kundër dhe marrëveshjes mes sindikatës dhe qeverisë, pasi detyra e sindikatës është mbrojtja e të drejtave të punonjësve që përfaqëson dhe jo të bëhet palë më punëdhënësin apo me qeverinë. Kjo është e shprehur dhe në Ligjin për Shoqërinë Civile. Sindikata dhe shoqëritë e transportit urban kanë shkelur marrëveshjet e deritanishme në lidhje me shërbimin e transportit qytetar, pasi në marrëveshjen e nënshkruar për këtë qëllim, flitet për një shërbim komod dhe të kulturuar, gjë e cila nuk është kryer deri tani. Por përkundrazi, po të kemi parasysh aksidentin e fundit të ndodhur te Bërryli me shërbimin e Unazës, këto shoqëri transporti arrijnë deri në rrezikimin e jetës së qytetarëve shqiptarë. Pretendimi i fundit i tyre është se me rritjen e çmimit do të rritet dhe cilësia e shërbimit, detyrë të cilën e kanë patur për ta kryer. Përse nuk është kryer deri tani?

    Nisur nga deklarimi i vetë Kryeministrit Edi Rama, se rritja e akcizës së karburanteve me 10 lekë/litër nuk do të ndikojë në ekonominë e shtetasve shqiptarë, vërejmë me keqardhje se pas vendimit të rritjes së akcizës, erdhi dhe marrëveshja e fshehtë për rritjen e biletës dhe aboneve të transportit urban (nga 30 në 70 lekë është propozimi i shoqërive të transportit urban), deri në vendosjen e një çmimi unifikues nga qeveria. Ne, si shoqatë, nuk duam ta besojmë se Kryeministri do të miratojë një vendim të tillë, duke mohuar kështu dhe deklaratat e tij me biznesin, kompanitë e ndryshme dhe qytetarët shqiptarë.

    Rritja e çmimit të biletave është e papërballueshme, duke marrë parasysh nevojat e domosdoshme të moshës së tretë dhe mundësitë që ata kanë sot për sot, kur aktualisht ne e dimë që masa e pensionit është minimale dhe e papërballueshme për nivelin e jetesës, pasi kjo shtresë sot jeton në varfëri ekstreme. Për vetë vështirësitë që kjo shtresë ka kaluar për 45 vjet nga puna fizike, sot mosha e tretë vuan nga disa sëmundje kronike dhe është e detyruar të udhëtojë me linjën urbane për vizita të specializuara, analiza, shërbime të ndryshme shëndetësore etj. Dhe për çdo dit,ë kësaj pjese me rritjen e çmimit të propozuar nga kompanitë e transportit urban, mesatarisht i takon të paguajë 280 lekë (për dy shërbime urbane), p.sh. një të moshuari nga Kamza paguan linjën që vjen në Tiranë plus linjën deri te qendrat mjekësore vajtje-ardhje, 4 herë 70, bëjnë 280 lekë, por mund të ketë të moshuar të cilëve u duhet të marrin tre shërbime urbane.

    Abuzimet e shoqërive të transportit

    Ne mendojmë se rritja e çmimit të urbanëve nuk është e saktë, sepse shoqëritë e transportit në të gjitha linjat nuk përdor kondicionerin, për të kursyer naftën. Problem tjetër është mosdhënia e biletave nga faturinot, të ardhurat e të cilave shkojnë në dobi të shoqërisë së transportit, por abuzohet me taksat fiskale.

    Çmendet tregu

    Përveç rritjes së biletës, duke qenë se tregu është i pakontrolluar nga shteti, kemi rritje të menjëhershme të çmimeve të produkteve të përdorimit të përditshëm.

    Produkti              Ishte      Është

    Domatja                     70 lekë  110 lekë

    Trangulli             80 lekë  120 lekë

    Sallata                 50 lekë  120 lekë

    Qepa e njomë      50 lekë  50 lekë

    Qepa e thatë        40 lekë  70 lekë

    Lakër e bardhë    80 lekë  100 lekë

    Lulelakër             75 lekë  100 lekë

    Vezë                    12 lekë  15 lekë

    Sheqer                 90 lekë  130 lekë

    Vaj                      280 lekë       320 lekë

    Makarona (1 kg) 120 lekë       180 lekë

    Patate                  40 lekë  60 lekë

    Mishi                  750 lekë       850 lekë

    Tregu vepron me rritje të menjëhershme të çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm, edhe pse mishi rrallë futet në konsumin e pensionistëve, nën maskën e rritjes së akcizës për hidrokarburet. Kjo është fatura, me të cilën duhet të përballen çdo ditë pensionistët, por dhe e gjithë shoqëria shqiptare. Shoqata për Integrimin e Pensionistëve të Shqipërisë ngre zërin kundër rritjeve drastike të çmimeve duke kërkuar nga qeveria që të mbajë premtimin e dhënë nga vetë Kryeministri, duke futur në kontroll dhe tregun e çmendur të kësaj kohe. Veçanërisht, mosha e tretë do të besojë se vetë Kryeministri nuk do të bëhet palë e këtyre mashtrimeve të matrapazëve që kërkojnë të pasurohen brenda ditës, në dëm të moshës së tretë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë.