Osman Terziu*/ Qeveritarët shpërblejnë veten 26 herë më shumë se pensionistët

    419
    Sigal

    DITA NDËRKOMBËTARE E MOSHIMIT/ Pensionistët e Shqipërisë marrin bukë dhe medikamente me listë

    Pensionistët e Shqipërisë shkojnë në Ditën Ndërkombëtare të Moshimit një vit më të plakur, më të lodhur, më të sëmurë, më të varfër dhe më të brengosur, pasi në vitin që lamë pas, u ndanë nga jeta një numër i konsiderueshëm i bashkëmoshatarëve dhe moshatareve tona, që ne do i kujtojmë për jetë.

    Jeta e të moshuarve shqiptarë sa vjen e përkeqësohet, jo vetëm nga ana shëndetësore, por dhe ajo ekonomike e sociale, për faktin se me pensionin që ata marrin sot, që në ditën e marrjes së tij, detyrohen të shlyejnë detyrimet e prapambetura të medikamenteve si dhe marketeve ushqimore, që të fitojnë të drejtën e pacientit apo të klientit të rregullt për marrjen në vazhdimësi të medikamenteve dhe të produkteve ushqimore me listë.

    Është deklaruar nga qeveria për medikamente të rimbursuara dhe shtimin e gamës së tyre, por është për të ardhur keq se këto lloj medikamentesh që qeveria ka rimbursuar, edhe sikur t’i përdorësh brenda ditës të gjitha rimbursimet mujore nuk japin asnjë efekt, qoftë dhe ato anësore. Mosha e Tretë në Shqipëri sot, për fat të keq, është shtresa më e varfër dhe më e persekutuar nga ana sociale, ekonomike dhe ajo shëndetësore. Ajo, sot, është shtresa më e zhvlerësuar e shoqërisë shqiptare, ndonëse, shtresa e kësaj moshe për 40-45 vjet me radhë kontribuoi në çlirimin e vendit nga okupatorët nazifashistë, në rindërtimin dhe në zhdukjen e pasojave të luftës, në ndërtimin dhe në themelimin e strukturave shtetërore të vendit. Për dekada me radhë ata punuan në frontet më të vështira të punës si në: tunele, uzina, fabrika, kombinate, hidrocentrale, arsim, shëndetësi, ushtri dhe në sfera të tjera të ekonomisë shqiptare, duke u përballur me vështirësi të jetës dhe duke shfrytëzuar fuqinë fizike, fuqitë e krahëve, sepse siç e dimë, në atë kohë nuk kemi patur në përdorim teknologji ashtu si sot dhe në këto punë të vështira mjaft punonjës dhanë dhe jetën në këto ndërtime, të cilët u shpallën dhe Heronj të Punës. E sot, këta heronj, të këtyre punëve kaq të vështira dhe kontribuues në skemën e pensioneve, i gjen të dergjur trotuareve dhe të rraskapitur, të parespektuar, duke u përpjekur të mbijetojnë me një pension qesharak që nuk u mjafton vetëm për nevojat shëndetësore, pa llogaritur të gëzojnë ditët e fundit të jetës në normalitet. Mosha e tretë gjendet e braktisur nga vetë shteti i tyre, nga shoqëria, nga brezi i ri, nga mungesa e solidaritetit të ambientit rrethues e në shumë raste dhe nga fëmijët e tyre.

    Shteti sot është i distancuar nga mosha e tretë me një disproporcion ekonomiko – social, me një raport 1:26 herë, për pasojë po shtohet dhe distanca në të gjitha sferat e jetës ekonomiko-shoqërore, kulturore dhe për fat të keq strukturës qeveritare e asaj parlamentare. Qeveria prej vitesh nuk miraton shtesa të pranueshme të pensionistëve as dhe miratimin e projektligjit për moshimin, me pretendimin e mungesës së buxhetit, duke theksuar se me përmirësimin e buxhetit dhe me mbushjen e arkës së shtetit do të mundësojmë dhe këtë projektligj. Por theksojmë se kjo arkë e shtetit nuk mund të mbushet, sepse i është hequr fundi i arkës dhe asnjëherë nuk do të përmirësohet ky buxhet, asnjëherë nuk do t’i teprojë shtetit dhe financës shtetërore për të mbështetur këtë shoqëri të përvuajtur. Qeveria e shteti shqiptar kanë kërkuar dhe kërkojnë here pas here aderimin ne Bashkimin Europian duke kërkuar Statusin e vendit tonë për në BE, por harron se akoma nuk ka status 1/3 e popullsisë shqiptare nga kjo qeveri, pa të cilin nuk mund të shkojë në Europë.

    Qeveria këtë vit përfundoi reformën e pensioneve dhe siguroi buxhetin për ata qytetarë që nuk kanë punuar asnjë ditë, në asnjë lloj pune dhe do të gëzojnë pension në 1 janar 2015, por nuk siguroi buxhetin për pensionistët aktualë që punuan prej 45 vitesh në punë të vështira dhe kontribuuan në skemën e sigurimeve shoqërore po kaq vite.

    Europa ka të tjera kushte për moshimin, ajo ka të ngritura Qendra Sociale në çdo lagje e komunë, por edhe pensionet në vendet europiane janë në nivele të konsiderueshme dhe mosha e trete atje bën jetë normale në pension deri në vitet e fundit të jetës. Atje është në nivelin e duhur dhe solidariteti mes brezash, por mosha e tretë nuk ka nevojë për të. Ndryshe ndodh në Shqipëri e cila vjen me kultura dhe me tradita të veçanta, prandaj dhe ne shqiptarët kemi qene krenarë përballë Europës dhe këto tradita ne vend që t’i theksojë, sot po i zbehim dhe harrojmë, duke i çuar ato drejt zhdukjes.

    Prandaj, ne u bëjmë thirrje qeverisë, parlamentit, e të gjitha strukturave të shtetit shqiptar, brezit të ri, që të kthejnë sytë nga historia dhe nga brezat paraardhës.

    I bëjmë thirrje qeverisë, parlamentit dhe dikastereve të linjave: Miratoni Ligjin e Moshimit; Përafroni shpërblimet e pagave, nga 1:26, të paktën, në 1:10 herë. Është në nderin tuaj, pasi mosha e tretë është nisur në vagonat e trenit drejt botës tjetër dhe ajo nuk ka kohe të presë, kur ju të ndërgjegjësoheni, kur ju t’ju teprojnë kapitalet. Prandaj, respektojini këto martirë, që nesër t’ju respektojnë ju brezat pasardhës!

    *Kryetari i Shoqatës për Integrim të Pensionistëve të Shqipërisë