Osman Terziu: Propozimi për rritjen e moshës, i lë qytetarët pa pension

    407
    Sigal

    Flet Osman Terziu, Kryetari i Shoqatës për Integrim të Pensionistëve: FMN dhe BB bëjnë diferencime në dhënien e sugjerimeve

    Qytetarët shqiptarë nuk arrijnë dot as moshën e propozuar për daljen në pension, jo më ta gëzojnë atë. Kështu shprehet në një intervistë për “Telegraf” Osman Terziu, Kryetari i Shoqatës për Integrim të Pensionistëve. “Nga përvoja jonë, mosha mesatare nuk mund të shkojë më shumë se 65 vjeç për burrat dhe 60 për gratë. Kështu që, ne jemi kundër këtij drafti për rritje moshe” shprehet Terziu. Më tej ai analizon shkakun e dështimit të skemës së sigurimeve shoqërore dhe masat që duhet të marrë qeveria për rimëkëmbjen e saj. Ndërsa për të, FMN dhe BB bëjnë diferencime në dhënien e sugjerimeve, përsa i përket vendeve të Europës, të cilat përveçse kanë një moshë më të vogël të daljes në pension, kanë dhe vite pune më të pakta për marrjen e pensionit të plotë.

    Paketa e re fiskale parashikon rritjen e moshës së pensionit 66 për burrat dhe 65 për gratë. Çfarë do të thotë kjo për pensionistët?

    Rritja e moshës së pensionit, sidomos për gratë, do të thotë që ky grup që pretendon për të dalë në pension, në moshën e tretë, të mos arrijë ta gëzojë këtë pension. Kjo vërtetohet dhe me faktin se në Shqipëri bëhen punë të vështira, punë krahu apo punë e zezë. Sidomos në zonat klimaterike veriore dhe verilindore në Shqipëri punohet në kushte shumë të vështira, në të ftohtë e në lagështirë. Por, këtu do të shtojmë që nuk figuron edhe sigurimi teknik, sidomos në miniera si në Bulqizë, Has, Martanesh etj., ku çdo ditë ndodhin aksidente deri me marrje jetë njerëzish. Përsa i përket problemit të grave, ato janë të mbingarkuara, përpos problemeve familjare si zonja shtëpie, edhe me punën shtetërore ose private, e veçanërisht ato që janë të punësuara në bujqësi. Nga mbingarkesa që ato kanë, gjatë gjithë viteve të tyre, si dhe kushtet e vështira, ato nuk arrijnë që ta gëzojnë pensionin në moshën e rritur, të parashikuar nga qeveria. Ndaj, ne mendojmë, se kjo nuk është rruga për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë. Në këtë aspekt, shkelet dhe Neni 52 i Kushtetutës që thotë: “Kushdo që mbetet i papunë, për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e përcaktuara me ligj”. Pra, FMN në këtë rast bën diferencime midis vendeve të Europës, të cilat, përveçse një moshe më të vogël, kanë dhe vitet e punës më të pakta për të përfituar pension. Marrim shembull Belgjikën, Danimarkën, Italinë, Greqinë, ku kjo e fundit, edhe pse ka 8 vjet në recesion dhe kërkon ndihma nga BE, pensionet nuk i ka prekur në mënyrë drastike, siç pretendon BB dhe FMN tek ne. Kushtet ekonomiko-sociale janë shumë të disfavorshme ose diskriminuese, në raport me vendet e BE-së, ku pretendojmë të shkojmë.

    Cilat janë sipas jush arsyet e rritjes së moshës së pensionit, duke pasur parasysh edhe faktin që skema e sigurimeve shoqërore është e dështuar?

    Nuk janë shkaqe këto për të rritur moshën e pensionit, por është, thjesht, një shkelje e legjislacionit, e vitit ’93, kur qeveria e asaj kohe, me shkrirjen e ndërmarrjeve ekonomike, kooperativave bujqësore, minierave, uzinave, fabrikave, punonjësit, pavarësisht nga mosha, nuk kaluan në ndihmë sociale, por dolën në pension, duke ngarkuar në këtë mënyrë skemën e sigurimeve shoqërore. Për pasojë, ndryshoi dhe raporti midis kontribuuesve dhe përfituesve, që më vonë, qeveria ka qenë e detyruar ta mbushë këtë boshllëk me financimet buxhetore. Një problem tjetër, sipas nesh, i cili ka sjellë qeverinë në këtë propozim, është ajo e skemës së sigurimeve shoqërore. Për ndërtimet e komplekseve turistike, pallateve, investimeve madhore publike që janë  kryer këto vite në Shqipëri, parashikohen kontributet e sigurimeve shoqërore, të cilat rezultojnë se nuk janë derdhur në skemë. Pra janë ndërtuar komplekse turistike vetëm me dy punonjës të siguruar, duke shmangur kontributet shoqërore, fenomen që është shumë problematik për shoqërinë shqiptare, duke favorizuar në këtë mënyrë punën e zezë dhe duke i shkaktuar humbje kolosale sigurimeve shoqërore dhe duke rënduar edhe buxhetin e shtetit.

    Si duhet vepruar me këto raste, sipas jush?

    Këto objekte, që janë kudo në Shqipëri duhet të kontrollohen nga tatimet, të verifikohen dhe të detyrohen subjektet për të bërë derdhjen e kontributeve. Vetëm në shoqërinë e transportit urban dhe interurban, faturinot dhe kontrollorët janë të pasiguruar, që vetëm në Tiranë kapin shifrën e 1000 e mos më shumë vetëve, të cilët nuk derdhin kontribute. Pra, qeveria që është në pushtet, sot i ka të gjitha mundësitë dhe format kontrolluese për të krijuar të ardhura në buxhetin e sigurimeve shoqërore pa patur nevojë të rrisë moshën e pensionit. Në Shqipëri ekzistojnë 4 shtylla të sigurimeve shoqërore, ku një ndër to janë dhe sigurimet private, dhe shpeshherë në analizat që bëhen për problemet e sigurimeve shoqërore, drejtori i ri i Institutit të Sigurimeve Private, z. Naim Hasa, shpeshherë i mëshon Institutit Privat, të cilën e ka ngritur vetë duke kaluar nga ai shtetëror në atë privat. Ne nuk jemi kundër këtyre formave të pensioneve, por gjithsesi duhet të udhëheqë dhe drejtojë shteti dhe kontributet të derdhen në rrugë shtetërore. Një e ardhur tjetër kontribuuese për sigurimet shoqërore janë asetet e ish bashkimeve profesionale të punëtorëve, që qeveria ia ka lënë në përdorim sindikatave dhe konfederatës dhe të ardhurat e tyre nuk dihen se ku ndodhen. Prandaj ne i kemi kërkuar qeverisë që të gjitha këto t’i rikthehen Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ose Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe të ardhurat e tyre të kalojnë për llogari të sigurimeve shoqërore. Gjithashtu një tjetër mënyrë për të krijuar të ardhura në buxhetin e sigurimeve shoqërore është dhe punësimi. Qeveria e sotme, gjatë fushatës elektorale ka premtuar hapjen e 300 mijë vende pune dhe sigurisht vjelja e kontributeve këtyre të punësuarve, sipas premtimeve elektorale, do të ndihmonte në mbushjen e buxhetit të sigurimeve shoqërore. Gjithashtu, të mos harrojmë dhe investimin që duhet t’u bëjë qeveria, fermerëve, që duke vjelë kontributet e tyre, gjithashtu, ndihmon në rimëkëmbjen e sigurimeve shoqërore.

    Sipas konstatimeve të juaja, sa është mosha mesatare e gruas dhe e burrit në Shqipëri?

    Studimet që janë kryer, për ne janë fiktive, kut thuhet se mosha mesatare për femrat shkon 80 vjeç, ndërsa por burrat 75 vjeç. Kjo moshë mund të arrihet në kushte jetese normale, jo në këto kushte që jemi në sot. Në Shqipëri kemi një varfëri ekstreme, ku hahet bukë ende me lista dhe ku, së fundmi janë shtuar edhe listat farmaceutike, ku ushqimet dhe medikamentet janë të pakontrolluara dhe në këto kushte, qytetarët shqiptarë nuk mund të jetojnë kaq sa thonë studimet. Nga përvoja jonë, mosha mesatare nuk mund të shkojë më shumë se 65 vjeç për burrat dhe 60 për gratë. Kështu që, ne jemi kundër këtij drafti për rritje moshe.