Osman Terziu*/ Pensionet e ulëta dhe shëndetësia “vrasin” çdo ditë moshën e tretë

    418
    Sigal

    Shteti lë në mëshirë të fatit moshën e tretë. Mbështetja e LSI-së dhe Projektligji për të moshuarit. Ja kërkesat tona

     Shoqata për Integrimin e Pensionistëve të Shqipërisë mbron interesat e moshës së tretë, që përbën 1/3 e popullsisë, e shprehur në shifra 572 000 pensionistë. Mosha e sotme e tretë është kontribuues në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, ajo bëri luftën për çlirimin e vendi, një pjesë e të cilëve janë dhe dëshmorë të atdheut. Kjo moshë, padyshim, që është edhe kontribuuese për zhdukjen e pasojave të luftës dhe rindërtimit dhe ndërtimit të vendit. Pas luftës ky vend u shkatërrua dhe kjo moshë me mund e me sakrifica të mëdha arriti të ngrejë ura, rrugë, fabrika e uzina, kombinate, hidrocentrale si dhe të ngrejë strukturat shtetërore si ato ushtarake, administrative arsimore, shëndetësore, ekonomike, domethënë, ngriti shtetin ligjor.

    Skema e Sigurimeve Shoqërore

    Mosha e tretë, përveçse sa më sipër, ishte dhe kontribuuese në skemën e Sigurimeve Shoqërore dhe raporti kontribuues-përfitues para viteve ‘90 ishte 5 kontribuues dhe 1 përfitues. Përmbysja e sistemit komunist pas ‘90-s, përveçse solli shkatërrimin e gjithë fabrikave e uzinave, minierave, shëndetësisë, arsimit, kooperativave bujqësore, duke vjedhur, djegur e shkatërruar apo tjetërsuar këtë pasuri të ndërtuar me aq mund, por, njëkohësisht, solli edhe papunësinë e të gjithë këtyre personave që ishin të punësuar në këto objekte shtetërore, tashmë të shkatërruara. Këtu e ka zanafillën dhe rënia e skemës së sigurimeve. Pasi qeveria e asaj kohe në bazë të Ligjit për Sigurimet Shoqërore të vitit 1993, të gjithë këta të papunë, në vend që t’i kalonte në asistencë sociale, i kaloi në skemën e Sigurimeve Shoqërore, duke rënduar padrejtësisht këtë skemë dhe duke përmbysur raportet kontribuues-përfitues nga 5 me 1 në 1 me 5, pasojë kjo që hapi një gropë të zezë në Sigurimet Shoqërore, duke rënduar thellë buxhetin e shtetit, që vazhdon dhe sot e kësaj dite.

    Shqipëria larg Europës

    Mosha e tretë, edhe pse është përballur më shumë me lodhjen fizike për 4,5 dekada, është lënë në harresë, me gjithë kontributet e saj, nga qeveritë e pas viteve ’90, si të majtë, ashtu dhe të djathtë. Për fat të keq, Shqipëria edhe sot qëndron e fundit në Europë për mbështetjen ndaj moshës së tretë. Bashkëmoshatarët e tyre në vendet e Europës, por edhen ato fqinje, me pensionet e tyre përballojnë një jetë normale, ndërsa ndryshe ndodh këtu tek ne, ku shpenzimet mujore i tejkalojnë shumë herë pensionet e tyre dhe mosha e tretë sot lufton për mbijetesë. Për vetë kushtet e vështira të punës së tyre, ata vuajnë sot nga një sërë sëmundjesh; si ato kardiake, kardiovaskulare, diabeti, sëmundje reumatizmale, veshka, sëmundje profesionale etj., sëmundje të cilat janë shumë të vështira për t’u trajtuar në këtë sistem shëndetësor që ne kemi sot.

    Shëndetësia nuk shëron, por rrjep pensionistët

    Theksojmë se shëndetësia sot, e cila është primare për këtë moshë, është kthyer në një biznes ku shefat e spitaleve dhe specialistë të ndryshëm të shëndetësisë, duke përfituar nga ligji i dypunësimit kanë hapur e krijuar biznese private si: klinika, laboratore, farmaci, radiografi, ekografi e deri tek skanerat, ku për fat të keq këto lloj shërbimesh nuk i gjen të afruara në sistemin tonë të shëndetësisë. Dhe kur pacienti i moshuar paraqitet në institucionin shëndetësor shtetëror, mjekët i përcjellin te klinikat private, të disponueshme prej tyre, nga ku ato detyrohen të paguajnë për shërbimin. Kjo për ne është e papranueshme, por edhe e pamundur, pasi me të ardhurat nga pensionet e tyre nuk mund t’i përgjigjen dot këtij lloj shërbimi privat, pasojë e këtyre arrijnë deri në flijimin e njerëzve dhe humbje jetësh.

    Në shërbimin farmaceutik me gjithë rimbursimet e herëpashershme të medikamenteve mjekësore, vihet re se barnat janë jashtë standardeve duke mos dhënë efektet e duhura, por në ndonjë rast shoqërohen edhe me efekte anësore. Pensionistët i përgjysmojnë edhe këto medikamente duke ekzekutuar gjysmën e recetës dhe këtë, duke e shënuar në librin e borxheve, të cilat për fat të keq, përveçse në dyqane ushqimore, markete, supermarkete, kanë filluar të aplikohen dhe në farmacitë me kontratë me ISKSH-në. Pra, këtu shohim një problem madhor social, për të cilin shteti bën një vesh shurdh e një sy qorr, pasi ne i kemi paraqitur gjithmonë problematikat e moshës së tretë përpara institucioneve shtetërore. Gjithashtu dua të bëj të ditur se barnat në listën e rimbursueshme nuk shiten me uljen e çmimeve sipas ligjit, por vazhdojnë të shiten në farmaci me çmimet e mëparshme.

    Projektligji për moshën e tretë, bashkëpunimi me LSI-në

    Shoqata për Integrimin e Pensionistëve, në bashkëpunim edhe me ato homologe, edhe grupin e deputetëve të LSI-së ka hartuar një projektligj, i cili për fat të keq ka 10 vite që endet zyrave të ministrive të linjave, veçanërisht të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, e cila është përgjegjësja kryesore për moshën e tretë dhe akoma nuk ka kaluar për miratim në Qeveri dhe Kuvend. Kjo, sipas tyre, për mungesë fondesh. Për sa më sipër theksojmë se, edhe pse ky projektligj u hartua në bashkëpunim edhe me ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, krasitjet e këtij draft/ligji të mëvonshëm janë bërë pa praninë tonë. Gjithashtu pretendimi i një fature, e cila endet dikastereve të Ministrisë së Mirëqenies dhe asaj të Financës, ne akoma si grup interesi nuk ia dimë vlerën. Pra, këtu është vepruar në prapaskenë dhe mendojmë se vetëm me të ardhurat nga shitja e skrapit, po të jetë evidentuar, mbulon faturën për të cilën ne kemi paraqitur në këtë projektligj prej vitesh.

    Kërkesat

    1. Kalimin e projektligjit të moshës së tretë në Qeveri e Parlament, brenda vitit 2014

    2. Shërbimin shëndetësor spitalor falas

    3. Shërbimin shëndetësor familjar falas

    4. Shërbimet laboratorike, eko, grafi, skopi, skaner falas për moshën e tretë

    5. Transport urban falas

    6. Transport interurban të të gjitha llojeve, brenda dhe jashtë vendit me ½ e çmimit, siç e kanë vendet europiane

    7. Shpërblim një pension në fund vit

    8. Heqja e tarifave doganore për mjetet e motorizuara deri në 250 kubik për të moshuarit

    9. Ngritja e qendrave sociale, multisociale në të gjitha bashkitë me mbi 36 mijë banorë

    10. Shtimi i kapaciteteve të shtëpive rezidenciale të moshuarve

    11. Mbështetje me ndihma sociale, ushqimore për të vetmuarit, çiftet e vetmuara dhe braktisura të ndihmohen me pako me ushqime për çdo muaj

     

    Shpenzimet mujore të nje pensionisti dhe pamundësia për të mbijetuar:

    Për fshatin

    Pensioni për fshatin 55-72 dollarë

    Energji elektrike 36 dollarë

    Barna jo të rimbursueshme 45 dollarë

    Nevoja shëndetësore 11 dollarë

    Për qytetin

    Pensioni për qytetin 80-130 dollarë

    Energji elektrike 55 dollarë

    Ujë 12 dollarë

    Transport 12 dollarë

    Barna të parimbursueshme 45 dollarë

    *Kryetari i Shoqatës për Integrim të Pensionistëve të Shqipërsië