Orikumi & Karaburuni

    75

    Veç detit, diellit dhe rërës, rrethuar edhe me histori
    Orikumi dhe Karaburuni ndodhen midis Gjirit të Vlorës në Lindje dhe Detit Jon në Perëndim. Lartësia e Karaburunit shkon nga 15-30 m deri në 800 m mbi nivelin e detit. Pikat më të larta janë Maja e Flamurit (826 m) e ajo e Caderes (839 m). Kjo Zone ka statusin: “Rezervat Natyror i Menaxhuar”, kategoria e IV. Zona e Karaburunit karakterizohet nga një diversitet biologjik dhe pejzazhor, i cili i dedikohet pozitës gjeografike, orografisë, hidrografisë, vertikalitetit, kushteve tokësore dhe klimatike të ndryshme. Kjo zonë mban habitate të ndryshme, të cilat nga ana e tyre përdoren nga një numër i konsiderueshëm kafshësh (shpend e gjitarë) të një rëndësie kombëtare dhe rajonale për ruajtje. Zona e Karaburunit aktualisht gjendet afër një popullate të konsiderueshme ku qendra më e madhe urbane është qyteti i Orikumit. Mjedisi social ekonomik i zonës është pothuajse agrar, ndërsa në verë merren me turizëm. Banorët përreth zonës së Karaburunit merren kryesisht me pemëtari, vreshtari, bimë foragjere, blegtori. Brenda zonës Karaburun gjatë periudhës së dimrit, është zhvilluar aktiviteti i blegtorisë (dhi e dhënë). Duke qenë në një pozicion të ndërmjetëm në rrugën e vetme nacionale që lidh Vlorën me Orikumin, Himarën e me tej deri ne Sarandë, ajo ka favorin të ofrojë pika me interes historik si Vlora, Kanina, Amantia, Mavrova, Orikumi, Himara etj. Të dhënat historike, shume gjetje arkeologjike dhe 19 monumente kulture, evidentojnë se rajoni ka qenë ndër me të zhvilluarit dhe të civilizuarit në Shqipërinë e Jugut. Kjo vërtetohet me gjetjet në shtatë qytete antike mjaft të pasura me vepra arti, arena, objekte kulti, varre monumentale, etj. Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që ndan një lagunë të vogël nga gjiri (Pasha-Liman). Një kanal, tani i shndërruar në një kënetë lidhte lagunën me detin. Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme. Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri në nerv me vërshimine turistëve të shumtë vendës dhe të huaj. Orikumi ka akoma mundësi dhe resurse të tjera turistike të pashfrytëzuara. Ende një pjesë e tij, më e bukuara, mbahet nga repartet ushtarake në një vijë të gajtë bregdetare. Por Orikumin nuk duhet ta marrësh të shkëputur nga e gjithë zona për rreth që fillon nga Lugina e Llogarasë deri në Pasha-Liman (tek Gjiri i Bristanit) duke u kufizuar me Gadishullin e Karaburunit, me luginën e Llogarasë dhe Dukatit fushë duke përfunduar me lagunën e Orikumit. E vendosur midis Parkut Kombëtar Llogara dhe Rezervatit Natyror të Menaxhuar Karaburun kjo zonë shërben si një urë lidhëse midis dy ekosistemeve natyrore, dhe është pjesë e pandarë natyrale e tyre. Disa nga objektet me vlerë historike në këtë zonë janë:
    Kisha e Marmiroit
    Në fund të gadishullit të Karaburunit, aty ku ai bashkohet me luginën e Dukatit gjendet një objekt kulti i vetmuar, i ndërtuar mbi një kodër fare pranë bregut të detit. Është një kishë bizantine me kupole, ndërtimi i së cilës datohet diku ne shek. XII. Për të vizituar Kishën e Marmiroit ndiqet rruga që përshkon qytetin e Orikumit deri tek pompat e ujësjellësit dhe prej andej ndiqet rruga që të çon në rreze të kanalit.
    Gramata
    Gjiri i Gramatës (ose siç thirret nga vendasit, Gjiri i Gramës) ndodhet rrëzë shpatit perëndimor të Gadishullit të Karaburunit. Në një zonë të pabanuar ku mund të me vështirësi në rrugë këmbësore. Ne antikitet që nga shek. VI p.e.r. shkëmbinjtë masivë që gjenden në këtë gji kanë shërbyer si gurore për ndërtimin e qyteteve. Në muret e tij të gurta, gjenden shkrime të marinarëve që i shprehin falenderimin perëndisë Poseidon. Sot përbën një vlerë unikale për detin e Mesdheut. Në këtë zonë ndodhet gjithashtu edhe shpella e Gramës, muret e gurta të së cilës përmbajnë vizatime dhe shkrime, shumica e të cilave i referohen mikpritjes se vendasve.
    Kalaja e Gjon Boçarit
    Kalaja mesjetare e shekullit XV, e lokalizuar pranë fshatit Tragjas. Përbëhet nga dy kulla gjashtëkëndore në skajet veriperëndimore dhe juglindore. Ka një gjatësi prej rreth 50 metra, me mure 5 metër të lartë dhe 1.25 metër të gjerë. Në këtë kala Princesha e Kaninës dhe e Vlorës, Rugjina e Balshajve, pati rezidencën e fundit ndaj pushtueseve Osmanë në vitin 1417. Për të vizituar këtë monument kulture ndiqet rruga që të çon në fshatin Tragjas.
    Kullat e Dervish Aliut në Dukat
    Kullat e Dervish Aliut në afërsi të fshatit Dukat ndodhet një kompleks ndërtimor
    me vlera historike. I ndërtuar në fillim të shek. XIX ky kompleks mban emrin
    e Dervish Aliut, personazh i njohur si organizator i revoltave fshatare kundër
    reformave të Tanzimatit në Shqipëri gjatë viteve 1847-1848.Banesa është e tipit Kullë, që i ngjan një keshtjellëze të fortifikuar.
    Shpella e Haxhi Alisë.
    Ndodhet në gadishullin e Karaburunit në afërsi të kepit të Gjuhëzës. Shpella e Haxhi Alisë është quajtur ndryshe shpella ilirike. Thuhet se një luftëtar dhe detar i shquar Ulqinas i quajtur Haxhi Ali u strehua bashkë me të birin në këtë shpellë. Prej aty ata sulmonin piratet e detit dhe duke bashkëpunuar me barinjtë, mbronin tregtaret dhe udhëtarët që kalonin nga ato anë. Edhe sot anijet që kalojnë pranë shpellës i bien sirenës në nder të tij.
    Rrepet e Izvorit
    Në fund të Tragjasit janë shtatë rrepe të mbjellë, ndoshta, para 250 vjetesh. Përmasat e rrapit më të madh janë: lartësia 60 m, diametri maksimal 2 m, perimetri i trungut 10 m dhe kurora e rrapit ka një diametër pre 40 m. Në rrepet e Izvorit organizoheshin takime dhe kuvendet e popullit. Rrepet e Izvorit janë lehtësisht të dallueshëm nga rruga kryesore.
    Shpella e Dukë Gjonit
    Kjo shpellë ndodhet në faqen jugore të Gadishullit të Karaburunit në vendin e quajtur Petrunë, 400 m mbi nivelin e detit. Atë e ndajnë në disa salla e kate stalaktidet e stalagmitet. Në sallën e parë ndodhet një burim i vogël që ka ujë gjatë gjithë vitit. Kjo shpellë ka bukuri të rralla, vlera shkencore, kulturore e turistike.