Organet e specializuara: 315 lojtarë, drejtues e arbitra futbolli janë “të tymosur”

603
Këto ditë, shoqëria shqiptare është gjendur përballë një fenomeni të përsëritur dhune në futbollin e të çdo niveli, sidomos në kategorinë e parë, të dytë e madje edhe në kategorinë superiore, pa llogaritur “dajakun” e përhershëm jashtë çdo kontrolli, që lojtarë e tifozë i japin njeri-tjetrit, madje edhe drejtuesve të ekipeve dhe gjyqtarëve në ekipet fundore, ku dhuna merr përmasa “fshatçe”. Por këto ditë, dhuna ishte tepër ekstreme, dhunë që ka pasur si objekt sulmi barabar fizik edhe mbi gazetarët sportivë në mjediset jashtë stadiumeve. Kemi dëgjuar këto ditë, “analiza mediatike” të atyre që kanë detyrë të analizojnë shkaqet e kësaj dhune e jo të tallen me fenomenin, dhe kemi konstatuar një përpjekje të sektorit zyrtar të futbollit, për ta trajtuar dhunën në stadiume si “rastësi e gjaknxehtësi tifozësh, apo presidentësh klubi”. Por rastet e fundit të dhunës në stadiume nuk ishin “gjaknxehtësi”, por ishin thjeshtë dhe vetëm shprehje dhune për të diktuar fitore me dajak, ose shfryrje zemërimi për humbjet. 


Takimet e fundit të futbollit në Tiranë, Pogradec, Peshkopi, Gramsh etj, janë kthyer në arena dhune fizike mes stafeve drejtuese dhe tifozëve të ekipeve! Kjo dhunë reciproke gjatë e pas ndeshjeve të futbollit, ka ndodhur në pothuajse të gjithë qytetet, sidomos në qytete të vogla, periferike e në rastet kur ekipet ose rrezikojnë të bien nga kategoria, ose duan të ngjiten në kategori më lartë! Ndërsa shoqëria shqiptare e konsideron “alarm”, institucionet shtetërore e konsiderojnë “punë tifozësh”. Ata që kanë përgjegjësi të administrojnë ndeshjet e futbollit, sidomos klubet pritëse të takimeve, kanë detyrimin të garantojnë normalitet, mirëpo ndodh që dhuna nis dhe vazhdon pikërisht prej “vendalinjëve” dhe siç tentohet të justifikohet, kjo dhunë nuk është as “punë tifozësh të çmendur”, as “punë të fortësh”, as “punë rrugaçësh”, por është punë ligji, rregulli, kontrolli të atyre që futen në stadium edhe si lojtarë, edhe si administratorë e drejtues klubesh, edhe si trajnerë e si tifozë edhe si police rendi, edhe si gjyqtarë e vëzhgues! Pyetjet shtrohen kështu: Cilët janë ata që luajnë në fushën e futbollit? Cilët janë ata që drejtojnë ekipet e futbollit? Kush i toleron 1, 2,10 e 100 herë në raste dhune dhe i lë përsëri në krye të ekipeve, në krye të tribunave, në vijën kufizuese gjatë ndeshjes, ose të futen me forcë në “stolin” e vëzhguesve dhe dhomën e gjyqtarëve, madje edhe t’i vërsulen gjyqtarit brenda fushës gjatë ndeshjes e ky i fundit t’ia mbath nën breshëri grushtesh, shqelmash e sendesh goditëse që i hidhen nga tifozët? Përse ndodh ky “tërbim” i drejtuesve të klubeve dhe i një “çete” tifozësh që ushtrojnë dhunë e kthejnë në gërmadhë mjediset e stadiumeve? 
Policia zbardh “sekretin”: 315 lojtarë, drejtues e arbitra futbolli janë “të tymosur”
Dhuna në stadiume e paska një shkak. përveç interesave të bosëve që financojnë ekipet, duket se ka edhe një shkak tjetër që “ndez gjakrat” e çon palët deri në dhunë fizike e cila shpesh del jashtë kontrollit dhe ndalon kur palët gjakosen e lodhen së rrahuri me njeri-tjetrin, ose kur në mbrojtje të trajnerëve, shefave të klubeve, lojtarëve, gjyqtarëve e vëzhgueseve vihet policia e shtetit dhe pjesë jo konfliktuale nga turma! Cili është shkaku tjetër, i cili prej disa vitesh prezence dhune e në vazhdim po mbahet i fshehtë edhe prej institucioneve kontrolluese, parandaluese e ligj-zbatuese të shtetit? Nisur prej një raporti sekret të Policisë së Shtetit dhe shërbimeve të hetimit të krimit, dërguar konfidencialisht për gazetën “Telegraf”, policia kriminale dhe shërbimet e tjera të specializuara, kanë përcaktuar si shkak përdorimin e lëndëve narkotike, që përdorin drejtuesit e klubeve, lojtarët e madje edhe grupe tifozësh që janë prezent në çdo ndeshje brenda e jashtë qytetit të tyre, grupe individësh që njihen si përdorues lëndësh narkotike! Sipas raportit, rezulton se kemi të bëjmë me gjendjen e “tymosur” të tyre përpara se të futen në fushë si drejtues, si lojtarë, si arbitra e si tifozë. Nisur prej rasteve të fundit të dhunës ekstreme e masive në futbollin shqiptar në disa qytete e në qendër të Tiranës, policia kriminale është detyruar të hap “letrat” dhe të informojë krerët e lartë të Ministrisë së Brendshme, kjo e fundit të bëj me dije krerët e lartë të shtetit. drejtuesit e lartë të shtetit, janë informuar se përmasat e dhunës në stadiume, kanë si shkak faktin që një numër i madh drejtuesish të futbollit, lojtarë e madje edhe arbitra e vëzhgues të kategorisë superiore, të kategorisë së parë e të dytë, por edhe të niveleve të tjera të këtij sporti, përdorin substanca lëndësh narkotike, të cilat u “ndezin gjakrat” e i bëjnë të humbin kontrollin dhe vetëdijen duke kaluar në dhunë ekstreme. Sipas skedës së policisë kriminale, rezulton se janë 315 lojtarë, drejtues klubesh futbolli, sponsor (presidentë) e drejtues ekipesh, trajnerë, por dhe arbitra, të cilët futen në fushë të “tymosur” e për rrjedhojë, me qëndrimet e tyre e kthejnë stadiumin në “tym” dhune e shkatërrimesh. Eshtë fakt, që prej lojtarëve, drejtuesve të klubeve e “të fortëve” janë rrahur shumë arbitra. Janë rrahur me njeri-tjetrin trajnerë, shefa klubesh, vëzhgues, drejtues pushteti lokal e politikanë, lojtarë e tifozë! Ky dajak vazhdoi edhe në takimet e fundit, në disa qytete! Shteti, sipas raportit sekret të policisë e shërbimeve inteligjente e paska ditur dhe e di shkakun e kësaj dhune, por nuk ka vepruar për të bërë parandalimin, duke mos ndaluar të futen në fushë të droguarit e të hashashizuarit, qofshin këta edhe lojtarë e presidentë, drejtues klubesh e për më keq gjyqtarë dhe vëzhgues! Pikënisja e dhunës, sipas policisë e paska edhe tek të “tymosurit” që sponsorizojnë, organizojnë, monitorojnë, luajnë e gjykojnë “futboll-dajakun” në Shqipëri! Këtë kategori njerëzish “me gjak të pluhurosur e të tymosur”, me ligj e me rregullore e kanë detyrë institucionet ta ndalojnë, duke mos i lejuar të jenë pjesë e futbollit. Institucionet e futbollit shqiptar. Edhe këta, si në çdo lloj sporti, duhet kalojnë në “filtër” të gjithë “personazhet” e stafeve të ekipeve të futbollit që futen në fushë për të luajtur, drejtuar, organizuar, vëzhguar dhe gjykuar ndeshjet e futbollit. Por kjo nuk bëhet, duke u mjaftuar vetëm me një miratim formal që mjeku i ekipit u bën vetëm lojtarëve përpara se të futen në fushë, ose kur goditen me njeri-tjetrin në fushë! Në vijim, gazeta “Telegraf”, do të trajtoj problemin skandaloz që drejtuesit e klubeve, lojtarët e gjyqtarët nuk i nënshtrohen “testit të pastërtisë” jo vetëm çastit përpara fillimit të ndeshjes, por as në mënyrë rutinë, gjë për ët cilën do të kemi prononcime ekspertësh të futbollit!
Ja masat ndëshkimore, të dhëna prej dhunën në futboll
1. Lojtarët e FC Kevitan, Eridion Vataj, Emirjon Hajdari, Aldi Pjetri Elio Rapo dhe Arnold Hyseni, per dhune ndaj zyrtareve te ndeshjes dhe kundershtareve, bazuar në nenet 22, 48/1/e; 49/1/b te KDS, dënohen secili me përjashtimin nga të gjitha veprimtaritë futbollistike për 36 muaj. 
2. FC Kevitan, për sjellje jo sportive duke ushtruar dhunë ndaj zyrtarëve dhe lojtarëve të ekipit kundërshtar, bazuar në nenin 28, 56/1 te KDS, dënohet me përjashtim nga veprimtaritë futbollistike për Sezonin Futbollistik 2016-2017. 
3. Detyrimin e FC Kevitan, të paguaje dëmin e shkaktuar në ambientet e Stadiumit të Qytetit të Gramshit në masën 150.000 lekë.
4. KF Pogradeci, për mos përmbushjen e përgjegjësive ne organizimin e ndeshjes, bazuar ne Nenin 65/3/a te KDS, dënohet me zhvillimin e 4 ndeshjeve pa spektatorë. 
5. Zyrtari i KF Pogradecit, Gentian Stojku, për sjellje ofenduese ndaj zyrtarit të ndeshjes, bazuar në Nenin 56/1/a të KDS, pezullohet për dy ndeshje nga aktiviteti.
6. Lojtarët e KF Pogradecit, Vangjel Zguro dhe Hermes Shkulaku për goditje me grusht ndaj kundërshtarit, bazuar në Nenin 48/1/e të KDS, dënohet me 6 ndeshje pezullim secili.
7. Zyrtarët e KF Pogradeci, Altin Prifti dhe Elton Kllogjri, për goditje me grusht ndaj kundërshtarit, bazuar në Nenin 48/2/b te KDS, dënohen me 10 ndeshje pezullim secili.
8. KF Korabi, për lejim të hyrjes në fushë të spektatorëve pas përfundimit të ndeshjes, duke shkaktuar grindje dhe goditje me ekipin kundërshtar, në baze të Nenit 12 dhe 66 të KDS, dënohet me ndalimin e zhvillimit tëndeshjeve në stadiumin e qytetit të Peshkopisë, për sezonin futbollistik 2016-2017.
9. Zyrtarët e KF Kastriotit, Gazmend Vogli dhe Alban Vogli, per nxitje të akteve të dhunes dhe përfshirje në grinde, në baze te Nenit 11/1/e, 50, 52/1, 136/1/a të KDS, dënohen secili me ndalimin e hyrjes në stadiume për 12 muaj dhe gjobë në masën 150.000 lekë.
10. Lojtari i K.F Tirana, Gentian Muça, për nxitje publikisht të urrejtjes, bazuar ne Nenin 52/1, te KDS pezullohet per 12 muaj nga aktiviteti. 
11. K.F Laçi, për sjelljen e gabuar te spektatorëve duke hedhur mjete ndezëse në fushë pa shkaktuar akte dhune, dënohet me një ndeshje pa spektatorë, bazuar në Nenin 66/3/a të KDS.
12. Ekipi i Elbasanit U17, per hedhje të sendeve të forta në fushë me pasoje ndërprerjen e lojës, dënohet me ndalimin e zhvillimit të katër ndeshjeve pa spektator në stadiumin përkatës në bazë të Nenit 66/3/b të KDS.
13. Lojtari I KF Vlora U17, Mateo Mataj, për goditje me shkelm te kundërshtarit, dënohet me 5 ndeshje pezullim nga aktiviteti në bazë të Nenit 48/1/e të KDS;
14. K.F. Porto U19, për mosparaqitje në ndeshjen kunder K.F Tirana U19, në bazë të Nenit 55 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0. 
15. K.F. Bylis U19, për mosparaqitje në ndeshjen kundër K.F Flamurtari U19, në bazë të Nenit 55 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavoline me rezultatin 3-0. 
16. K.S. Vlora U19, për mosparaqitje në ndeshjen kundër K.F Tirana B U19, në bazë të Nenit 55 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavoline me rezultatin 3-0. 
17. K.F. Terbuni U19, për mosparaqitje në ndeshjen kundër K.F Kukësi U19, në bazë të Nenit 55 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavoline me rezultatin 3-0.
Sigal