Opozita: Të ndalet projekti i zi i sundimit të Ramës

515
Partia Demokratike dhe aleatët e saj kritikojnë përfshirjen në qeveri të figurave të lidhura me komunizmin 
Partitë opozitare e kundërshtuan përbërjen e qeverisë së re të shpallur nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar atë si diçka të vjetër dhe vazhdim i keqqeversisjes. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi dhe drejtues të tjerë të partive të pakicës parlamentare kritikuan edhe përfshirjen në qeveri të atyre që i cilësuan si familjarë të figura të njohura të komunizmit. 

“Asgjë e re, vazhdim dhe thellim i së keqes. Kjo është qeveria e thellimit të korrupsionit dhe të krimit. Jo vetëm Edi Rama, por edhe Fatmir Xhafa, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri e pothuajse të gjithë ministrat e tjerë janë garancia e provuar për korrupsionin dhe krimin. Kjo është qeveria e konsolidimit të rikthimit në pushtet të elitës komuniste. Tridhjetë vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria sot drejtohet nga disa nga figurat famëkeqe komuniste ose pinjollët e tyre nga Edi Rama tek Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Bushati e Qato e qindra të tjerë në poste kyçe qeverisëse”, tha Basha. Sipas tij, kjo është qeveria e thellimit të sundimit privat të Edi Ramës dhe një grushti njerëzish. “Kush mendoi se “takimet me popullin” dhe ballafaqimi me hallet e rënduara të njerëzve e bënë Edi Ramën të reflektojë, sot kuptoi që kjo qeveri nuk do jetë kurrë qeveria e popullit dhe nuk do punojë kurrë për popullin. Opozita ka detyrën dhe përgjegjësinë që bashkë me qytetarët të mos lejojë të shkojë deri në fund ky projekt i zi për vendin tonë”, u shpreh Basha. Ndërkohë, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, tha se kabineti i ri është cikli i dytë i të njëjtit rreth vicioz. “Përtej ideve dhe personave, Rama vetë është garancia e plotë e një dështimi perfekt që në gjenezë!”, tha Dule. Ndërsa, Fatmir Mediu, kryetar i PR-së, tha se Rama konfirmoi, jo vetëm me përbërjen, por dhe me atë çka foli, se këto vite që vijnë do kemi vetëm një qeveri. “Ai është timonieri, Kushtetuta, ligjet, Parlamenti, asgjë nuk ka rëndësi. Fjalë dhe demagogji pa fund”, tha Mediu.
Sigal