Opozita: Ligji do të sjellë kosto për qytetarët

    309
    Sigal

    Legalizimet/ Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese miraton projektligjin vetëm me votat e maxhorancës. Ja ndryshimet

    Pas katër seanca diskutimesh, projektligji për legalizimet u miratua nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese vetëm me votat e maxhorancës. Opozita kundërshtoi dhe pasi nuk u pranuan amendamendet për legalizimin e ndërtesave mbi 5 katesh dhe ato pas vitit 2009. E krahas kësaj, sipas tyre, ligji nuk shkon kundër premtimit të legalizimit falas.

    Propozimet e bëra nga deputetë në komisionet parlamentare kanë sjellë ndryshim të ligjit të legalizimeve.

    Sipërfaqja e legalizimit, jo më shumë se 500 m2

    Në variantin e hartuar nga Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, që u miratua nen për nen ditën e djeshme, është vendosur që për ndërtimet informale me funksion banimi, të ngritura në tokë shtet apo tokë me pronarë, sipërfaqja që do të legalizohet duhet të jetë sa trefishi i sipërfaqes së bazës së objektit, por jo më shumë se 500 m2. “Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objektit pa leje bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i të drejtës së pronësisë, nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit dhe për ndërtimet pa leje me funksion banimi jo më shumë se 500 m²”, thuhet në projektligjin, që pritet të marrë aprovimin në seancë plenare.

    Ndërtimet e pas 2009-s

    Të drejtën për t’u pajisur me certifikatën e pronësisë, pas datës 15 janar 2009 do ta kenë vetëm objektet informale të ngritura në truall privat, por edhe këto nuk janë lënë pa afat. Kështu, është përcaktuar që në proces legalizimi të përfshihen ato objekte, që i takojnë kësaj kategorie, të ngritura deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Propozimi, i cili kufizon fushën e zbatimit të ligjit të legalizimeve, është bërë nga relatori Gentjan Bejko dhe është përfshirë në variantin që pritet të miratohet edhe në seancë plenare nga java që vjen.

    550 pallate pa legalizim

    Më herët në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese u ngritën disa shqetësime nga ndërtuesit. Janë rreth 550 pallate në të gjithë vendin që janë endur dyerve të institucioneve. 50 mijë familje nuk kanë mundur të marrin hipotekën për shkak të burokracive. Ndërsa kryetari të Komunës së Velipojës ka kërkuar që të legalizohen edhe objektet e ndërtuar pas vitit 2009, pasi Velipoja karakterizohet nga ndërtimet pa leje.

    Do të merren apo jo në konsideratë këto sugjerime, këtë do ta vendosë parlamenti