Opozita bllokon foltoren e Kuvendit të Kosovës, ndërpritet seanca parlamentare

421
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të fillojë as seancën e sotme plenare, ngaqë deputetët opozitar sërish kanë bllokuar foltoren.
Në pamundësi që të vazhdojë seancën në rrethana normale, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli po i fton mediat që të hyjnë në sallë.
Nga aty ai tha se janë 30 deputetë të opozitës që po e pengojnë punën e 90 deputetëve tjerë.
Sipas tij, kjo bllokadë nuk do të lejohet dhe u zotua se pas një pauze, do të rifillojnë punimet e Kuvendit.
Ai e ftoi opozitën që në vend se të bllokoj Kuvendin të shkojë para qeverisë dhe të protestojë, pasi që qeveria ka nënshkruar marrëveshje dhe jo Kuvendi.
Gjatë kohës saq Veseli fliste, deputetët opozitarë i fishkëllonin atij.
Bllokimi i punës së Kuvendit të Kosovës është një masë që tashmë opozita po e zbaton në kundërshtim të marrëveshjes që qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë me ndërmjetësimin e Brukselit kanë arritur për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Si dhe po kundërshtohet marrëveshja me Mlain e Zi për demarkacionin e kufirit.
Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe është arritur më 25 gusht, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Zhbllokimin e punës së Kuvendit, opozita po e ndërlidh me tërheqjen e nënshkrimeve nga ana e kryeministrit Isa Mustafa prej këtyre marrëveshjeve.
Sipas marrëveshjes, serbët në Kosovë do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural, si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi./REL/
Sigal