Operacioni për të pasuruar kastën e qeveritarëve të sotëm

    443
    Sigal

    Rihapen dyert e kazinove, operacioni “Fund Marrëzisë” një show mediatik

    Të gjitha lojërat e fatit dhe kazinotë që u bllokuan gjatë operacionit “Fund Marrëzisë” janë rihapur sërish në Tiranë e kudo. I gjithë ky show mediatik, mesa duket, u krye për të ndryshuar tregun e lojërave të fatit dhe jo për t’i mbyllur ato siç e trumbetoi me bujë Qeveria. Ky operacion u përdor më së shumti për të pasuruar një kastë të qeveritarëve të sotëm, si dhe për t’ua dhënë këtë biznes fitimprurës njerëzve të afërt të qeverisjes. Pak ditë pas bllokimit të kazinove dhe lojërave të fatit në Tiranë, sipas burimeve konfidenciale, një deputet i PS-së, i cilësuar si miliarderi në radhët e tyre, futi 5500 kompjutera kazinosh, të cilët kanë filluar aktivitetin në Tiranë dhe disa qytete të vendit. Kështu pra, “Fund Marrëzisë” u kthye në fillim i marrëzisë, pasi kazinotë jo vetëm që nuk u mbyllën, por u shtuan edhe më shumë. E gjithë Tirana gumëzhin nga rihapja e kazinove me pronarë të rinj. Thuhet gjithashtu, se aksioni i ministrit Tahiri ka patur qëllim mbylljen e aktiviteteve të kompanive të veçanta, të cilat ushtronin deri më sot aktivitetin e tyre dhe hapjes së dritës jeshile për marrjen nën kontroll të këtij biznesi fitimprurës nga eksponentë socialistë. Gjithashtu mësohet, se në monopolin e lojërave të fatit do të favorizohen të tjerë miq të ngushtë të qeverisjes, ku njeri prej tyre, njihet dhe si pronar i rrjetit të madh të kazinove “Regency Casino”.Mendësia e vetë shqiptarëve shkon në kahun e kundërt të ligjit. Mesa duket do të ketë një ri-formatim të këtij biznesi, i cili nuk do të anulohet por do të vijojë. Fitimet e shtetit nga ky biznes janë shumë të larta kështu që aksioni i urdhëruar nga ministri i Brendshëm ka qenë një “Show”  për shqiptarët.

    Operacioni “Fund Marrëzisë”

    Operacioni “Fund Marrëzisë” në kuadër të lojërave të paligjshme të fatit, nisur që më datë 14 tetor, ka çuar në procedimin penal 341 persona që operojnë në këtë fushë dhe sekuestrimin e 1810 pajisjeve. Ministria e Brendshme njofton se janë bllokuar 350 subjekte, janë kontrolluar 1047 kazino e lojëra fati; janë proceduar penalisht 343 subjekte dhe 341 persona. Në të gjithë vendin janë sekuestruar 1810 makineri lojëra fati e pajisje; 148 kompjuterë dhe 468 monitorë. Vetëm në qarkun e Tiranës janë bllokuar 216 subjekte, janë kontrolluar 156 pika, janë proceduar penalisht 69 subjekte dhe 67 persona. Në kuadër të operacionit “Fund marrëzisë” janë marrë masa edhe për punonjësit e policisë të sektorit të Krimit Ekonomik. Policia e Shtetit bën me dije se janë marë 38 masa disiplinore.“Operacioni policor “Fund marrëzisë” përveç goditjes së paligjshmërisë në aktivitetin e lojërave të e fatit ka shërbyer edhe për të nxjerrë përgjegjësitë konkrete të punonjësve të policisë në sektorët e Krimit Ekonomiko-Financiar pranë të gjitha Drejtorive të Policive në Qarqe, për të cilët pas verifikimeve të detajuara janë dhënë në total 38 masa disiplinore, prej të cilave 21 masa të rënda dhe 17 masa më të lehta, – bën me dije Policia e Shtetit. 80 punonjës të Antikrimit Ekonomik u pezulluan më 16 tetor nga ministri i Brendshëm. 36 efektivë kanë marrë masa disiplinore nga SHKB. 21 efektivë kanë marrë masa të rënda disiplinore nga “përjashtim nga Policia e Shtetit”, “ulje në gradë për një vit”, “pezullim pa pagesë” deri në “shtyrje të afatit për një vit”. 17 efektivë kanë marrë masa më të lehta disiplinore nga “vërejtje me paralajmërim” deri në “gjobë sa paga e punonjësit në 5 ditë”.71 raste të lojërave të paligjshme të fatit janë referuar në Prokurori në periudhën janar-tetor 2013. 494 raste të lojërave të paligjshme të fatit janë referuar në Prokurori vetëm gjatë operacionit “Fundi i Marrëzisë”.

    Zgjidhja përfundimtare

    Ndërsa zgjidhja e këtij problemi social do të ishte mirë që të ndiqet modeli amerikan i funksionimit të kazinove. Ato duhet të përqendrohen në zona periferike dhe çdokush që preferon t’i frekuentojë le të shkojë. Poshtë pallatit apo afër institucionit njerëzit janë të joshur për të hyrë qoftë edhe njëherë të vetme dhe ta shndërrojnë provën e parë në ves. Duhet ditur se askush nuk është i prirur për të thënë që këto biznese janë të nevojshme. Bile, edhe vetë lojtarët e pranojnë se nuk duhet të ekzistojnë. Ka njerëz që nuk duan t’i shohin me sy kazinotë, por duke qenë të tunduar nga ekzistenca e tyre poshtë pallatit, ata vijojnë të luajnë me fatin.