Operacioni i Qershorit 1944

1332
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Mësymja gjermane

Komanda gjermane, për të garantuar suksesin e goditjes vendimtare për copëtimin e asgjësimin e forcave partizane, vendosi që para fillimit të mësymjes përfundimtare të ndërmerrte disa veprime paraprake për të mbledhur në një zonë gjithnjë e më të ngushtë forcat partizane në zonën Mesaplik-Kurvelesh-Bregdet. Komanda e Br. VIII S dhe Z.I.Op. manovruan forcat e veta në krahë e në shpinë të armikut duke mos i dhënë atij beteja ballore në drejtimet e lëvizjes së tyre. Bat. 2 Br. VIII S mbeti në territorin grek për të bashkëvepruar me Regj. 15 të ELAS-it për të dhënë goditje në shpinë të armikut. Forcat gjermane mësynë në mënyrë koncetrike nga disa drejtime për të dalë në Kurvelesh si epiqendër e operacionit: Gryka e Bënçës-Progonat; Luzat-Lekdush-Cepun-Gryka e Kardhiqit-Golem; Fushë Bardhë-Kapariel; Sarandë-Borsh-Fterrë-Lugina e Kalasës-Kuç; Salari-Gusmar; Vajzë-Gjorm-Kuç; Dukat-Mali i Çikës-Qafa e Shëngjergjit. Brenda unazës së rrethimit vepronin forca të Z.I.Op., Br. VI S. Por në Kurvelesh, në rezultat të trysnisë së madhe të forcave gjermane në operacionin bllokues dhe fshirës, kishin dalë edhe forca të tjera të paparashikuara si: Br. XII S, bat. 3 Br. III S, Br. VII S, një kompani e Br. IV S, gjithsej rreth 3.000 partizanë, krahas forcave territoriale të zonës. Sulmi i parë i forcave gjermane u ndërmor në luginën e Shushicës nga mbi 4.000 forca gjermane. U thye disa herë nga bat. 3, 4 Br. VI S, Gr. 1P dhe forcat territoriale. Forcat gjermane i detyruan forcat partizane të tërhiqeshin në thellësi, në një zonë gjithnjë e më të ngushtë në Kurvelesh dhe në Shur, vija mbrojtëse në këtë kohë kalonte Vranisht-Ramicë-Qafë Shkallë-Nivicë-Lekdush-Kapariel-Fterrë. Forcat gjermane arritën të ngjiten në Kurvelesh, duke thyer kështu qëndresën e forcave partizane. Në këtë fazë, ende të papushtuara nga gjermanët mbetën: një rrip i ngushtë malor: vargmali në lindje të Bolenës-Çipini-Kunjova dhe mali i Këndrevicës, gjithsej vetëm rreth 70 km2. 

Manovrimi i forcave partizane

Gjendja e forcave partizane paraqitej shumë kritike. Faktikisht komanda gjermane kishte arritur të realizonte idenë e përqendrimit të forcave të shumta partizane në një hapësirë të ngushtë. Mbetej të jepej goditja vendimtare për copëtimin dhe asgjësimin e tyre. Në këtë hapësirë të vogël, forcat partizane nuk e kishin të lehtë të manovronin. Komandat e njësive partizane, në këshillim me njëra tjetrën, morën vendimin më të drejtë të mundshëm për gjendjen: të shkëpusin kontaktin luftarak me armikun duke dalë në krahë e në shpinë të tij e më pas nëpër rajonet e tyre të veprimeve luftarake. U përcaktuan edhe sektorët e drejtimet nga mund të dilej nga rrethimi për çdo formacion. Br. VI S të delte në drejtimin e Gjirokastrës dhe pasi të kalonte në prapavijë, të përqendrohej me batalione në rajonin mali i Kocunit, Babrushit, Kaparjelit dhe të Zhulatit; Br. XII S të çante në verilindje dhe të delte në Golem e Cepo. Po kështu u caktuan hapësirat edhe për forcat e pakta të njësive të tjera. Forcat u vunë në lëvizje për të dalë nga rrethimi. Vetëm b3 Br. III S mundi të dalë pa u ndeshur me forca armike dhe u përqendrua në Progjëri. Forcat e Z.I.Op. manovruan në malet e Kurveleshit dhe dolën në rajonet e tyre.

Zbatim të parimeve të taktikës së luftës partizane

Me gjithë situatën e vështirë të krijuar në zonën e Kurveleshit e në Shur, forcat partizane, mbështetur në parimet e taktikës së luftës partizane dhe duke shmangur luftën ballore, kur ato viheshin në rrezik, arritën të dalin me sukses nga rrethimi. Por kishte edhe faktorë të tjerë, si ruajtja e qetësisë, njohja dhe shfrytëzimi me mjeshtëri i terrenit etj, që kushtëzuan daljen nga rrethimi. Me daljen e forcave partizane nga rrethimi në grykën e Shurit, në fakt mbaroi edhe mësymja e përgjithshme gjermane. Forcat partizane të Z.I.Op. dhe ato të UNÇSH në këtë zonë, nën trysninë e epërsisë së madhe të armikut dhe për ruajtjen e forcave të veta nga asgjësimi, lanë hapësira të konsiderueshme. Komanda e Përgjithshme dhe Z.I.Op., mbështetur në konceptet e taktikës së luftës partizane e duke i zbatuar ato në fushat e betejave, në zhvillimet konkrete të veprimeve luftarake, vlerësuan e realizuan, si një element të pandarë të veprimeve mbrojtëse, sulmet, kundërsulmet e kundërgoditjet deri në kundërmësymje. Pikërisht nëpërmjet këtyre veprimeve aktive dhe të pandërprera, komandat partizane rimerrnin hapësirat që pushtonte armiku gjatë mësymjes së përgjithshme. Më 14 qershor 1944, Komandanti i Përgjithshëm i UNÇSH, E. Hoxha urdhëron: përpara në ofensivë për të shfarosur armikun gjerman dhe kuislingët e tradhtarët. Në këtë kuadër forcat e Z.I.Op. dhe të brigadave që vepronin në Zonë, ndërmorën një sërë goditjesh kundër forcave gjermane, që vepronin në Kurvelesh, Mesaplik e Bregdet, veçanërisht kundër atyre që lëviznin gjatë luginës së Drinos dhe në grykën e Këlcyrës. Br. VIII S dhe forca të Z.I.Op. kaluan në mësymje në drejtimin Përmet-Këlcyrë dhe Çajup-Gjirokastër; Br. III S dhe forcat territoriale në Dangëlli. Forcat e tjera të Z.I.Op. dhe të njësive të UNÇ, që gjendeshin në Zonë, vijonin veprimet luftarake kundër grupimit të forcave armike në k-Kurvelesh e Bregdet. Në këtë mënyrë, ndërsa në këto hapësira luftohej me këmbëngulje për përballimin e mësymjes së forcave kryesore gjermane në çastet më kritike, forcat e tjera të UNÇSH, të Z.I.Op. dhe ato r, me veprime aktive çliruan krahinat e Përmetit, Zagorisë, Lunxherisë, Pogonit dhe dolën në front të gjerë nga Libohova në Dragot të Tepelenës.

Forcat partizane dalin nga situata e vështirë

Komanda gjermane, duke mos u pajtuar me gjendjen e forcave të veta që vepronin në Mesaplik-Kurvelesh e Bregdet që kërcënoheshin nga shpina, urdhëroi Div. 1 Malor që, me forca të Regj. 99 Gjuajtës dhe bat. 3 Regj. 27, të viheshin në gatishmëri për të spastruar rishtas vargun malor në mes të lumenjve Drino e Vjosa. Tereni, vihej detyrë nga komanda eprore të spastrohej nga Veriu në Jug. Në kushtet e epërsisë së armikut, forcat e Br. VIII S si dhe ato të Z.I.Op. dhe bat. 3 Br. III S, edhe pse përparuan me vështirësi në drejtimet e mësymjes të armikut, ai mundi të dalë në Zagori. Gjithsesi nuk mundi të asgjësonte forcat partizane, spitalet, depot e punëtoritë e Z.I.Op.. Pasi shkelën territoret, forcat gjermane u tërhoqën dhe kaluan në tërësi në Greqinë e Veriut, ku do të merrnin pjesë në një operacion spastrimi në pjesën Veriore të saj. Në hapësirën e Z.I.Op. në qendër të objektivit të operacionit u vu krahina e Mallakastrës, e cila u sulmua nga tre drejtime Sinanaj, Drashovicë nga një kolonë dhe dy kolona nga Fieri, për në thellësi të krahinës së Mallakastrës. Në dispozicion të forcave në operacion u caktuan vetën tri ditë. Për të dalë në vijat e caktuara, forcat gjermane lëvizën me kolona dhe pa u përpjekur të ndeshen me forcat partizane. Forcat partizane, në kushtet e epërsisë së armikut, manovruan në krahë të forcave gjermane. Në këtë mënyrë forcat partizane nuk u dëmtuan. Me largimin e forcave gjermane ato dolën sërish në rajonet e tyre. Në drejtimin e Sarandës, forca të Br. VI S, në bashkëveprim me forca të Z.I.Op. dhe forcat territoriale, spastruan zonën e Rrëzomës së Delvinës nga mbeturinat e armikut. Po kështu forca të Br. VI S, Z.I.Op. dhanë disa goditje kundër forcave gjermane në rrugën Sarandë-Himarë. Gjatë të zhvillimit të veprimeve luftarake të forcave gjermane në Kurvelesh-Mesaplik-Bregdet u angazhuan rreth 30.000 forca. Veprimet luftarake aktive të forcave partizane në këtë zonë, si dhe veprimet e mëparshme luftarake të Z.I.Op. që vonuan 10-15 ditë ecurinë e operacionit armik, ishin të një ndihmese të çmuar për Komandën e Përgjithshme, për të zgjeruar mësymjen e përgjithshme. Në urdhrin përkatës për D1S të UNÇSH, duke kërkuar të kalohej me shpejtësi në Veri të Lumit Shkumbin, evidenconte faktin që duhej përfituar nga angazhimi i forcave të shumta gjermane në Kurvelesh. Madje armiku u detyrua të organizonte dhe operacione plotësuese, duke mos lejuar atë të rigruponte forcat në drejtime të tjera. Herman Frank, oficer gjerman pjesëmarrës në këto luftime, në librin e tij kujton se forcat partizane mundohen përherë t’i shmangen luftës së hapur ballore kur mbi të sulmojnë forca superiore gjermane… Ata dinë të mbrohen me zgjuarsi të madhe dhe të dalin nga situata të vështira, sepse i ndihmon njohja e mirë e vendeve.