Onkologjiku, atje ku vdekja blihet me lekë

    454
    Sigal

      Tjetër skandal në QSUT, mjekët jashtë shtetit me muaj, firmosin në bordero. Prokuroria të nisë hetimet për milionat e grabitura

     Nuk kanë të sosur skandalet në sistemin shëndetësor, përkatësisht në QSUT. Me gjithë premtimet e qeverisë e ministrit Ilir Beqja për ‘shërbim shëndetësor falas’, ‘përmirësim të shërbimit e kushteve spitalore’, pothuaj asgjë nuk ka lëvizur në këtë drejtim. Mjekët, jo vetëm boshatisin xhepat e pacientëve (për vizitë, operime, e deri ilaçe), por nuk lënë gjë për të grabitur dhe arkën e shtetit, me mashtrime të hapura. Shefat e shërbimeve në QSUT e tregojnë hapur pangopshmërinë e tyre, duke rritur “kafshatën” e tyre çdo ditë e më tepër. Tashmë babëzia e tyre është drejtuar nga buxheti i shtetit. Burime të sigurta bëjnë me dije për “Telegraf” se njëri nga Shefat e Shërbimit të QSUT-së me iniciale DH.K. paguan rrogën e një specializanti, i cili ka ikur privatisht në Amerikë. Në vend që të deklaronte ikjen e këtij specializanti dhe ndoshta t’i jepte mundësinë tjetërkujt për këtë vend pune, Shefi i Shërbimit i jep rrogën një punonjësi në mungesë. Gjithashtu, sipas po të njëjta burimeve bëhet e ditur se është pikërisht një funksionar i spitalit që e tërheq këtë rrogë me anë të kartës së kreditit. Përpos parave nën dorë, përfitimeve nga klinikat private, përqindjeve nga marrëveshjet me kompanitë farmaceutike xhenerike etj., etj., tashmë “mashtrojnë” dhe shtetin. Është detyrë e Ministrisë së Shëndetësisë, Auditit, e Prokurorisë dhe KLSH-së që të hetojnë këto raste flagrante dhe të marrin masa për mjekë e shefa shërbimesh të babëzitur. Kjo “kafshatë” duhet t’u ngelë në fyt! Rasti i më sipërm, nuk është i vetëm. Në redaksinë e “Telegraf” kanë ardhur disa denoncime për skandale me paratë e shtetit në sistemin shëndetësor. Në ditët në vazhdim, këto denoncime do të sillen në faqet e gazetës. Por prokuroria, organet e  tjera të drejtësisë, duhet të ‘shkunden’ përpara këtyre skandaleve, pasi duket që në dikasterin e ministrit Beqja, ata kanë njerëzit që i mbrojnë…

     Skandal te QSUT, mungojnë barnat në shërbimet më kryesore. Mjekët jashtë shtetit për kualifikime private, titullarët u paguajnë rrogën. Beqja dhe protokolli i “sorollatjes

    Mungesa e barnave në spitalet e QSUT-së ka vënë me shpatulla pas murit ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja, i cili gënjen paturpësisht opinionin publik. Edhe pse ministri Beqja ka deklaruar se, në fund të muajit maj do të përfundonte prokurimi për furnizimin me ilaçe të spitaleve, duke i dhënë zgjidhje këtij problemi, situata (tani jemi në korrik) vazhdon të jetë e njëjtë, mos më keq. Burime të brendshme thonë për “Telegraf”, se pothuaj në të gjitha spitalet e QSUT-së ka mungesa të theksuara ilaçesh, madje në disa prej tyre ka edhe mungesa të medikamenteve më elementare si pambuku dhe dorezat. Shërbimet e QSUT-së po vuajnë mungesën e barnave dhe materialeve të tjera mjekësore që nevojiten për trajtimin e pacientëve. Krahas Onkologjikut, dhe Kirurgjisë, mungesa të theksuara janë konstatuar, në Urgjencën e Kardiologjisë, si dhe në shërbimin e infektivit, i cili gjatë verës, po ashtu përballet me një fluks të lartë pacientësh. Por ndërkohë, ata që luftojnë mes jetës dhe vdekjes në këto mure, janë pacientët, të cilëve u duhet të përballen padrejtësisht edhe me mungesën e medikamenteve.

    Onkologjiku

    Në spitalin e vetëm shtetëror ku trajtohen të sëmurët me tumore, situata është dramatike.  Përveç numrit më të lartë të vdekjeve mes pacientëve tek onkologjiku, mungojnë shumë barna jetike për terapitë trajtuese. Në krye të listës së mungesave janë citostatikët që kanë edhe çmimet më të shtrenjta, në shumë raste të papërballueshme për pacientët dhe familjarët e tyre.  Mungesa e barnave, ku duhet të marrin mjekim, jo pak por rreth 5 mijë pacientë të prekur nga sëmundjet tumorale, është kthyer në një makth për pacientët. Janë barna që kushtojnë shumë dhe për hatër të këtij çmimi të lartë, blerjen e tyre, në farmacitë jashtë spitalit, e kanë të pamundur ta përballojnë gjithë të sëmurët. Aq më tepër që, duke qenë pjesë shoqëruese e kimioterapive, barnat citostatikë merren në mënyrë ciklike. Mos të harrojmë që janë vetë qytetarët, që kanë të afërmit e tyre në Spitalin Onkologjik, të cilët kanë denoncuar në emisione investigative se janë të detyruar t’i blejnë vetë të gjitha barnat dhe e kanë të pamundur ta përballojnë koston e tyre. Pothuaj të gjithë familjarët ankohen se në spital nuk gjen asnjë bar, ndaj dhe ata detyrohen të shkojnë e t’i blejnë në farmacitë private me çmime shumë të larta, që janë të papërballueshme për xhepin e tyre. Kështu, për shembull, qytetarja Etleva Memia nga Pogradeci, ka prindin sëmurë, por nuk gjen asnjë ilaç në spital dhe detyrohet t’i blejë në farmaci. Veni Disha ka gruan sëmurë, merr çdo 20 ditë dy flakonë me ilaçin që kushton rreth 1 200 euro. Gjithashtu Spiro Zylali, ka motrën sëmurë dhe i duhet ta blejë ilaçin që kushton 35 mijë lekë. Ndërkaq në farmacinë e Onkologjikut, përgjigja që jepet është se mungojnë të gjitha, ndaj zgjidhja e vetme është t’i gjesh në farmacitë private. Mungesa e barnave në QSUT është një avaz i vjetër që vazhdon. Por në ndryshim nga repartet e tjera, në Onkologjik kurimi është ciklik. Mund të vazhdojë me gjashtë, shtatë, dhjetë seanca, duke përbërë kosto të papërballueshme për ata që nuk kanë t’i blejnë këto barna dhe për më tepër kur përballemi me premtimet e mjekimeve falas të sëmundjeve tumorale. Dhe për këtë arsye Onkologjiku nuk duhet ta ndjejë mungesën e ilaçeve. Gjë, që fatkeqësisht ka vazhduar dhe vazhdon të jetë kështu. Kjo ndodh pasi shëndetësia, përveçse aferave korruptive, asnjëherë nuk është parë si prioritet nga qeveritë. Ky është realiteti në një ndër spitalet, ku trajtohen pacientë me sëmundje të rënda dhe që flet qartë e hedh poshtë të gjitha deklaratat që mbeten mediatike për furnizimin e spitaleve me barna apo mjekësi falas.

    Urdhrin e Beqjes e “merr lumi”

    Me siguri, ministri Beqja e ka harruar urdhrin e tij ku thuhej se: “Që prej datës 1 tetor të 2013-s të sëmurët me sëmundje tumorale dhe gratë shtatzëna janë grupe të përjashtuara nga aplikimi i tarifave për shërbimet mjekësore”. Ai me siguri nuk ka informacione për familjarët e pacientëve të Onkologjikut, të cilët me receta në duar vrapojnë në farmacitë jashtë QSUT-së për të blerë mjekimet për seancën e radhës. Kurimi ciklik i sëmundjeve tumorale përbën një kosto të papërballueshme për të sëmurët dhe familjarët e tyre. Por, mesa duket, ministri i Shëndetësisë e ka harruar urdhrin e firmosur nga vetë ai. Komoditeti i zyrës dhe i jetës së tij, bën të harrojë shumëçka. Bën të harrojë ecejaket e dëshpëruara dhe xhepat e pacientëve që boshatisen sa herë hyjnë në QSUT, për të cilët ai duhet të flasë. Flet për shifra marramendëse, por harron të furnizojë me ilaçe Onkologjikun, të cilat sipas urdhrit të tij duhet të trajtojnë falas pacientët me sëmundje tumorale. Madje dhe shikimin e ka të kufizuar ministri ynë, se, nuk i sheh pacientët e Onkologjikut të shtrirë nëpër stolat e QSUT-së, në pritje që të zbatohet urdhri i ministrit për ta. Gjithsesi, ministri i Shëndetësisë është ngrohtë dhe rehat në kolltukun e tij.

    Mungesa e manifoldeve, mbyll repartin e Hemodinamikës

     Mungesa e manifoldeve ka mbyllur për 3 ditë repartin e Hemodinamikës në QSUT. Por Shefi i Kardilogjisë ka arritur “të zgjidhë problemin” duke deklaruar gjetjen e disave prej tyre privatisht dhe në këtë mënyrë ky repart fillon punën me 3 pacientë në ditë. Por mjekë në Urgjencën e kardiologjisë në QSUT kanë pikëpyetjet e tyre për këtë “zgjidhje”. Ata kanë frikë për sigurinë e jetës së pacientëve, ku do përdoren këto manifolde, pasi janë të paregjistruara. “Mbas tre ditë mbyllje të repartit të Hemodinamikës, sot (3 korrik) nga dreka Shefi i Kardiologjisë deklaroi që ka gjetur disa manifolde dhe puna do të vazhdojë me tre pacientë në ditë. Çfarë komedie, ose më saktë ç’tragjikomedi!

    Më lindin disa pyetje:

    1) Përse mungojnë gjithmonë manifoldet, kur përllogaritja bëhet e njëjtë për çdo aksesor/pacientë?

    2) Në çfarë qendre spitalore universitare në botë ndodh ky fenomen?

    3) Këto manifolde që nuk hyjnë të regjistruara në magazina, konform ligjeve, a duhet të përdoren, duke ditur që solucioni, që kalon në to, shkon direkt në gjak?

    4) Po pace-maker dhe valvula aortale ka QSUT?

    5) Çfarë shërbimi i kemi dhënë popullit shqiptar, kur QSUT bën tre koronarografi në ditë?

    6) Ky fenomen ka ndodhur dhe në muajin nëntor. A e ka analizuar Ministria e Shëndetësisë dhe a ka nxjerrë mësime?

    7) Përse nuk mungojnë manifoldet në spitalet private?

    Miqtë e mi, a mendoni që kjo është e qëllimshme dhe kush janë përgjegjësit?” shkruan në rrjetin social facebook mjeku i Urgjencës në QSUT, P.V.

    Infermierja L. Sh.

    Menjëherë pas statusit të tij reagon një infermiere e QSUT-së që e njeh nga afër problemin. “Po kjo dihet, o dr. Petriti, e sidomos për ne që kemi 30 vite pune. Modeli i shumë gjërave në QSUT është që më shumë se gjysma e pacientëve t’u drejtohen spitaleve private, meqë shumica e doktorë profesorëve të QSUT-së janë aksionerë në spitalet private. Ohu, kjo u bë modë! E tjetra është që unë kam 10 vjet infermiere në Tiranë, e po të njëjtët shefa shërbimesh, që kam gjet, janë akoma. Ishalla, po u bie kujt ndërmend me pa një herë nga hallexhinjtë!”, reagon infermierja.