Omuri: Nëse shteti nuk reagon, do vendosim zbatimin e ligjit me trupat tanë

    416
    Sigal

    Skandali/ Shkodër, invalidët zbriten me dhunë nga autobusët, ndërsa në Europë udhëtojnë falas

    Invalidët, në vend të një urimi për fillimvitin e ri, janë përballur me diskriminimin edhe në ditët e festave. Kreu i invalidëve të punës, z. Abdulla Omuri denoncon publikisht shoqërinë e transportit urban në qytetin e Shkodrës se ka shkelur ligjet e shtetit, duke zbritur me dhunë invalidët nga autobusët, me pretendimin se nuk janë rimbursuar nga Qeveria. “Në vend që të fillosh punën me urimin: ‘Një vit më i mbarë!’, na duhet të përballemi me diskriminim e invalidëve edhe ditën e festave. E turpshme! E patolerueshme! Më e turpshme është për Bashkinë Shkodër, ku një shoqëri transporti delegjitimiton edhe vetë këtë institucion, duke thyer haptas ligjet e shtetit. Në 1 Janar 2015, kur të gjithë ishin munduar për të përcjellë urimin e festave, te miqtë të afërmit, ku tradita shqiptare është e kultivuar në shekuj, përfshi këtu edhe invalidët në Shkodër, ku të mos mjaftonin sëmundjet e tyre që i kanë pllakosur prej vitesh, ndodhin edhe veprime antiligjore, antinjerëzore, diskriminuese, por edhe poshtëruese ndaj invalidëve. Shoqëria e Transportit Urban në Shkodër e licencuar nga Bashkia Shkodër që nga data 1 Janar 2015 zbret invalidët nga urbanët, duke përdorur edhe forcën, me pretendimin se nuk më ka dhënë lekët Qeveria”, shprehet për “Telegraf” z. Omuri. Sipas Omurit, këto shoqëri transporti nuk janë të specializuara për të kryer shërbimin urban në bazë të legjislacionit në fuqi. “E kam përsëritur disa herë, po e përsëris përsëri, këto shoqëri transporti nuk janë të specializuara për të kryer shërbimin urban në bazë të legjislacionit në fuqi. Këta pronarë që kanë kërkuar për t’u futur në tregun e transportit urban po dhunojnë invalidët edhe fizikisht. Nëse kanë probleme me Qeverinë, të mbyllin aktivitetin dhe të mos dhunojnë invalidët!”, shprehet Omuri. Njëkohësisht, nëpërmjet “Telegraf” ai i drejton një pyetje deputetëve të Shkodrës: “Deri kur do ta leni këtë shoqëri të dhunojë dhe të shkelë të drejtat e njerëzve tuaj haptas dhe në sy tuaj? Çfarë bëjnë njerëzit e mbrojtjes së ligjit në Shkodër ndaj këtyre abuzuesve?”. Omuri kujton se e drejta e invalidëve për të udhëtuar në mjetet e komunikacionit qytetas falas është e përcaktuar në të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore në vend, por një e drejtë e tillë është përcaktuar qartë edhe në Konventën e OKB-së për Personat me Aftësi të Kufizuara. Ndërsa nënvizon se në të gjitha vendet europiane, ku, aktualisht, invalidët e Shqipërisë edhe shkojnë si turistë, me dokumentet që kanë udhëtojnë falas në të gjitha mjetet e shërbimeve publike si në: Itali, Greqi, Holandë, Gjermani, Kroaci, Belgjikë, Francë e të tjerë. Kurse e kundërta ndodh në vendin tonë, shprehet Omuri, ku dalin disa të “fortë” dhe përdorin dhunë tek të pamundurit. “Këto të fortë janë të përkohshëm. Ata dhe individët që i mbështesin në rrugën e antiligjit do të marrin ndëshkimin që u takon. I bëjmë thirrje që të ndalë këtë diskriminim Prefektit të Qarkut Shkodër, Drejtorit të Policisë së Qarkut Shkodër dhe Drejtorit të Inspektoratit të Punës Shkodër. Në të kundërt, reagimi ynë do të jetë shumë i ashpër. Në ditët në vazhdim do të ndërmarrim masa për bllokimin e këtyre autobusëve. Do të vendosim zbatimin e ligjit me trupat tanë”, përfundon kreu i invalidëve të punës.