Omuri: Ministri Veliaj na garantoi shpërndarjen, shumë shpejt, të pagesës së paaftësisë

    434
    Sigal

    Protesta në Durrës, Korçë dhe Sarandë, 6 muaj pa marrë pagesën e paaftësisë

    Dhjetëra invalidë kanë dalë në protestë në qytetet e Durrësit dhe Korçës për të kërkuar pagesën e paaftësisë. Protestat po zhvillohen përballë prefekturave të qyteteve përkatëse. Invalidët e Korçës deklarojnë se kanë 6 muaj pa marrë pagesën e paaftësisë, ndërsa ata të qytetit të Durrësit deklarojnë se nuk e kanë marrë atë, prej 3-4 muajsh. Protestuesit kanë kërkuar të marrin sa më parë pagesën e paaftësisë, pasi ata janë të pa aftë për punë dhe kjo pagesë është e vetmja e ardhur, që kanë për të jetuar. I pyetur nga gazeta “Telegraf”, Abdulla Omuri, kreu i Shoqatës së Invalidëve të Punës në Shqipëri, shprehet se “e gjithë kategoria e njerëzve me aftësi të kufizuar, kanë të drejtë të protestojnë, pasi u është mohuar një e drejtë jetike për ta. Ata nuk kanë se ku të gjejnë të ardhura të tjera, ndaj është e turpshme t’u mohohet pagesa e ndihmës së paaftësisë, e cila në rrethe të caktuara ka 6 muaj që nuk jepet. Ne jemi në tratativa me Qeverinë për këtë problem, por edhe për të gjitha problemet e tjera që janë tepër shqetësuese për shtresën tonë”.

    Takimi i Veliaj me përfaqësuesit e njerëzve me aftësi të kufizuar

    Në orët e pasdites së djeshme, përfaqësuesit e 6 shoqatave që përfaqësojnë të gjithë shtresën e njerëzve me aftësi të kufizuar, kanë qenë në një takim me Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj. Abdulla Omuri, kreu i SHIPSH-së, tha për “Telegraf” se “gjatë këtij takimi është folur për të gjitha problematikat që shqetësojnë njerëzit me aftësi të kufizuar. Në veçanti është folur për pagesat e ndihmës së paaftësisë, të cilat kanë muaj pa u dhënë”. Pasi është diskutuar gjendja e vështirë financiare në të cilën ndodhet vendi ynë, “ministri Veliaj u ka thënë përfaqësuesve të njerëzve me aftësi të kufizuar, se me zbardhjen e Aktit Normativ për Buxhetin e Shtetit, në llogari të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të jenë edhe 80 milion lekë të reja për pagesat e shtresave në nevojë” u shpreh Omuri. Ai u ka garantuar përfaqësuesve të 6 shoqatave se pagesat e ndihmës së paaftësisë do të jepen shumë shpejt.

    Shteti të marrë masa. Faturat me kamatëvonesa, edhe pse nuk kanë marrë pagesën e paaftësisë

    Ndërsa ka muaj që nuk jepet pagesa e paaftësisë, këtyre njerëzve në nevojë faturat e energjisë, ujit apo telefonit u kanë ardhur çdo muaj. Në kushtet e vështira ekonomike në familjet e njerëzve me aftësi të kufizuar, edhe për shkak të mosmarrjes së pagesës së paaftësisë, këto fatura kanë ngelur pa u paguar. Por problemi nuk mbaron këtu, sepse duke kaluar koha, mbi këto fatura rëndon edhe kamatëvonesa. Kjo është e padrejtë, pasi nuk mund t’u kërkohet këtyre njerëzve të paguajnë fatura me kamatëvonesa, ndërkohë që vetë shteti nuk është korrekt dhe nuk u jep mundësinë këtyre njerëzve për të bërë pagesat e faturave në kohë. I pyetur për këtë problem, Abdulla Omuri u shpreh se “logjikisht dhe juridikisht unë s’kam si të paguaj, kur nuk më japin pagesën e paaftësisë. Askush nuk më detyron dot, të paguaj faturën, e jo më pastaj, kur bëhet fjalë edhe për kamatvonesën”.

    Veliaj: Gjatë 2013, rritje prej 8 % të përfituesve të skemës së P.A.K

    Në raportimin e tij të parë në Komisionin e Çështjeve Sociale, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj u ndal dhe tek situata e personave me aftësi të kufizuar. Ai  u shpreh se, “sipas formularëve të ardhura nga Njësitë e Pushtetit Vendor rezulton që numri i Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Invalidëve të Punës, për vitin 2013, është 165.089 përfitues”. Sipas tij, “vetëm gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti, deri më dt. 23 qershor, vihet re një rritje e madhe e numrit të PAK me rreth 6000 mijë persona. I krahasuar vetëm me vitin e 2012 rezulton që këtë vit kemi një rritje të paprecedentë me rreth 8 % të përfituesve të kësaj skemë. Në tetë vitet e fundit skema e përfituesve është rritur me rreth 65 për qind”. Ndërkohë, përsa i përket buxhetit për këtë shtresë të shoqërisë, Veliaj tha se, “për vitin 2013, Ministrisë i janë akorduar fonde në programin Mbrojtja Sociale, (Ndihmë Ekonomike dhe pagesat për PAK) vlera prej 17.4 miliard lekë”. Sipas tij, “deri në muajin Qershor nga ky fond është shpenzuar 11 miliard lekë. Nga kjo 9.4 miliard lekë kanë shkuar për PAK.  Ndërsa, për periudhën Janar-Qershor 2012, për pagesat në programin e Mbrojtjes Sociale janë disbursuar fonde në vlerën 8 miliard lekë”. Përsa i përket gjendjes aktuale të Personave me Aftësi të Kufizuara, ministri i MMSR, tha se, “duke analizuar gjendjen emergjente të pagesave të Personave me Aftësi të Kufizuar, kërkuam nga Ministria e Financave kryerjen e një rishpërndarje fondesh buxhetore. Sipas një plani paraprak, është duke u shqyrtuar ndërsa flasim rishpërndarja e këtij fondi me qëllim kryerjen vetëm të pagesave bazë për personat paratetraplegjike, të verbërit dhe PAK si dhe paketa higjeno-sanitare, për periudhën Shtator-Dhjetor 2013”. Veliaj shtoi ndër të tjera se, “nga ky fond, duhet të përcaktojmë edhe mbulimin e Ndihmës Ekonomike për familjet në varfëri ekstreme. Stafi teknik në Ministri po punon për përcaktimin e kësaj shume. Ndërkohë, jemi në konsultim të vazhdueshëm me Ministrinë e Financave për të siguruar rritjen e mundshme të këtij Fondi gjatë këtij viti”, tha Veliaj.