Omuri: Kërkojmë shtesë fondi dhe përjashtim nga taksa e ndërtesës

    443
    Sigal

    Marrëveshja e Invalidëve të Punës me ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj

    Më në fund, pas shumë peripecish, personat me aftësi të kufizuar do të marrin pagesën e tyre për muajin dhjetor. Në datën 24 dhjetor, pra, nesër fillon shpërndarja e pagesës për personat me aftësi të kufizuar. Këtë e konfirmon për gazetën “Telegraf”, Abdullah Omuri, kryetari i shoqatës së Invalidëve të Punës së Shqipërisë, i cili tregon se me gjithë përpjekjet e tyre të vazhdueshme më në fund ia arritën që “nga dt.24.12.2013 të fillojë shpërndarja e ndihmës së paaftësisë për muajin dhjetor”. Z. Omuri tregon gjithashtu se sipas bisedave paraprake me ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj është vendosur që “muajt e prapambetur do të merren në fund të Janarit të vitit 2014”, ashtu siç edhe vetë ministri Veliaj ka deklaruar publikisht. “Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se për herë të parë është zhvilluar një dialog mes ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe  grupeve të interesit; si në lidhje me pagesat, po ashtu edhe me projektbuxhetin për vitin 2014”, shprehet Omuri. Sipas tij, në diskutimin për projektbuxhetin, ai kishte kërkuar një shtesë prej 400 milionë lekësh në buxhetin për invalidët e punës, për të përballuar një shtesë prej 1000 lekësh për secilin prej tyre, me efekt që nga muaji korrik 2014. Gjithashtu, ai ka kërkuar edhe përjashtimin nga taksa e ndërtesës për invalidët e punës, sipas legjislacionit në fuqi.

     Diskutimi për projektbuxhetin

     “Më datë 19.12.2013 në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, në prani të ministrit Veliaj dhe stafit të tij u diskutuan edhe shifrat e projekt buxhetit për vitin 2014. Ishte një diskutim konstruktiv, duke diskutuar me të gjitha grupet e interesit dhe me zërat përkatës të projektbuxhetit për secilën kategori të Personave me Aftësi të Kufizuara. Me këtë rast, më lejoni të them se është hera e parë, pas vitit 2000, që projektbuxheti diskutohet me shtresat në nevojë. Diskutimi ishte i hapur dhe vetëm për invalidët e punës, për vitin 2014, ishin planifikuar 2.6 miliardë lekë për ndihmën e paaftësisë që jepet për këtë kategori, që do të thotë 1 miliard lekë më shumë se në vitin 2013”, shprehet Omuri.

     Pretendimi

     Z. Omuri ka treguar pretendimet që kanë invalidët e punës në lidhje me projektbuxhetin. “Pretendimet tona ishin që çdo invalidi të punës t’i shtohet 1000 lekë në muaj për vitin 2014, e cila të implementohet të paktën në korrik të këtij viti. Pra, me gjithë shtesën prej 1000 lekësh, me efektin në korrik të 2014-s, i gjithë buxheti që nevojitet për invalidët e punës  duhet të jetë 2.9 miliardë lekë. Ministri Veliaj mbajti shënime dhe la të kuptojë se kjo shifër është e realizueshme”, deklaroi Omuri. Një element tjetër shumë pozitiv, sipas tij, ishte  dhe fondi i garancisë prej 10 milionë dollarësh, vendosur nga Ministria e Mirëqenies Sociale për çdo ndryshim që mund të ketë, veprime të papritura, që, në mënyrë të veçantë shtresat në nevojë të mos ngelen përsëri pa para në fund të vitit. “Të gjithë e mbajmë mend fundin e vitit 2012, kur Qeveria e asaj kohe, jepte shpërblim për administratën dhe invalidët e punës kishin 3 muaj pa marrë ndihmën e paaftësisë”, thotë Omuri.

     Diskutimi për Paketën Fiskale

     Në takimin e Ministrit Veliaj me grupet e interesit është diskutuar gjithashtu edhe paketa fiskale. “Personalisht, në mendimin tim, jam pro taksës progresive. Por, në diskutimin tim kërkova që në lidhje me taksën mbi ndërtesat, të mbahet parasysh përjashtimi nga kjo taksë, sipas legjislacionit në fuqi, për të gjithë invalidët e punës”, u shpreh Omuri.