Omuri: Ja pse rritja e pensioneve për invalidët me 4% është qesharake, qeveria po na diskriminon

    389
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës Abdulla Omuri, për problemet e invalidëve

    Mbetet një problem i pazgjidhur çështja e pensioneve për invalidët e punës. Rritjen e pensioneve prej 4% për invalidët e punës kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës Abdulla Omuri e cilëson qesharake, pasi me aq para nuk blen dot as një litër vaj.

     -Zoti Omuri, qeveria ka bërë të ditur se do të bëjë rritje të pagave dhe pensioneve. Konkretisht për invalidët rritja do të jetë 4%. Si e shihni këtë masë që do rritet për invalidët?

    -Ashtu si edhe vitet e kaluara mendoj që do të bëhet edhe kjo rritje e pensioneve dhe pagave. Por po ta mendosh dhe të bësh një krahasim me rritjen e pagave që bëhet pesë për qind kjo është një diskriminim që i bëhet invalidëve të punës që sot e kanë të vështirë të ushqehen, pasi marrin një pagesë shumë të vogël. Ngritja e një pensioni 4% për një invalid që merr 7200 lekë të reja në muaj, do të thotë që të ketë një shtesë qesharake prej 2800 lekësh të vjetra në muaj. Me këtë shtesë prej 2800 lekësh në muaj nuk mund të blesh as një litër vaj. Po të bëjmë një krahasim me punonjësit e tjerë shtetërorë rritja që bëhet për invalidët është shumë qesharake. Pasi nëse një nëpunës shteti merr një rrogë  prej 300 mijë lekësh, nga rritja atij mund ti shtohet 15 mijë lekë në muaj ndërsa një invalidi vetëm 2800 lekë të vjetra. Po kështu edhe pensionet e fshatit ngrihen me 5%, por edhe kjo është një tjetër padrejtësi që bëhet.

     -Përse thoni që është padrejtësi për ngritjen me 5% të pensioneve të fshatit?

    -E them që është një padrejtësi dhe një kontradiktë me ngritjen prej 5% të pensioneve të fshatit. E them që është gabim pasi një minator ka pas bërë një punë të vështirë në minierë për shembull në fshat dhe një njeri në qytet ka pas punuar në ferma apo punë më të lehta. Dhe nuk është e drejtë që të rriten kaq pak për fshatin, pasi kanë pasur punë më të rëndë. Unë e njoh mirë ligjin e sigurimeve shoqërore dhe e di shumë mirë që nuk mund të përdoret e njëjta rritje për të gjitha kategoritë. Këtë edhe konventa e fundit e OKB-së, për invalidët e trajton në një këndvështrim më të veçantë. Po kjo konventë bën të ditur që askush nuk mund të diferencohet për shkaqe ekonomike. Por unë mund të them që invalidët janë shtresa më e diskriminuar përsa i përket trajtimit financiar që po i bëhet.

     -Para disa kohësh është folur për nevojën e një reformimi për ligjin për invalidët. A keni diskutuar me institucionet përkatëse?

    -Së pari, unë dua të theksoj që ka pushuar së funksionuari mbledhja e Këshillit Kombëtar të Aftësisë së Kufizuar dhe kjo është një e padrejtë. Dhe nga mosfunksionimi i këtij këshilli ne nuk kemi ku i ngremë problemet tona dhe nuk na dëgjojnë institucionet.

    -Një problem shqetësues për këtë kategori ka qenë edhe rimbursimi i ilaçeve, a po zbatohet kjo pjesë e ligjit, e cila parashikon rimbursimin e ilaçeve?

     -Po, edhe çështja e rimbursimit të ilaçeve është një problem shqetësues më vete, i cili nuk ka marrë ndonjëherë zgjidhje. Në ligj thuhet që invalidët e plotë i përfitojnë ilaçet falas dhe invalidët e pjesshëm i përfitojnë me gjysmë çmimi. Pra mund të flas vetëm për invalidët e punës dhe unë mund të them që në 90% të rasteve nuk zbatohet kjo e drejtë ligjore për invalidët e punës. Ajo mund të zbatohet vetëm 8 % në rastin e vizitave që bëhen në spitalet publike apo qendrat shëndetësore publike. Pra janë shumë kategori që u takon marrja e ilaçeve falas por kjo nuk zbatohet. Një problem tjetër që hasin invalidët e punës ka të bëjë me shpërndarjen e pagesave për invalidët e punës.

     -Konkretisht, ku qëndron problemi me shpërndarjen e pagesave për invalidët që ju përmendët më lart?

    -Po, ne kemi pasur herë pas here në fund të vitit për marrjen e pagesave në fund të vitit. Dhe këto kanë ardhur për arsye se pushteti vendor administron fondet që vijnë nga Buxheti i Shtetit dhe që janë të destinuara për personat me aftësi të kufizuara. Kjo është një shkelje e hapur e legjislacionit, sepse nuk mund të administrohet një zë vendor që nuk është i destinuar për pushtetin vendor. Ndërsa në lidhje me shpërndarjen e pagesave tani po ecet normalisht, por problemi më i madh qëndron në fund të vitit. Dhe kjo për arsyen se në fund të vitit kujtojnë se po i disbursojnë këto persona. Tani për tani nuk kemi probleme, por niveli i të ardhurave lë shumë për të dëshiruar. Sepse është e përcaktuar në ligj që sa herë të rriten çmimet në treg, aq herë duhet të ketë indeksim të pagave, por kjo nuk bëhet dhe kjo është mungesa ligjore. Ne i kemi kërkuar, por asgjë nuk është bërë. Aktualisht nuk ka vullnet për ta zbatuar këtë.

     -Ka pasur abuzime më marrjen e KEMP-it, a mendoni se duhet të bëhen ndryshime në këtë drejtim?

    -Duhet të kemi parasysh që është folur për përgatitjen e ndryshimeve për kriteret mjekësore për përfitimin e KEMP-it. Kjo bëhet më shumë për personat që përfitojnë nga ligji 9355, që trajtohen nga shërbimi social shtetëror. Do të ishte shumë e favorshme që të shtohet edhe punonjësi social në KEMP dhe mendoj që do të përfshihet. Por është dhe një nismë tjetër që nëse personi që ka humbur një dorë apo një këmbë nuk përfiton pension të plotë, të bëhen disa kategorizime të tjera që janë të rëndësishme dhe të futen tek invalidët e pjesshëm. Unë uroj që këto propozime të mos ngelen në letër, të ketë një vullnet për t’u parë, profesionalisht unë jam i mendimit që duhen bërë, për t’u ardhur në nevojë këtyre shtresave.