Ofroni kujdes shëndetësor 24 orësh për studentët grevistë, njihuni me aktet ndërkombëtare për grevën e urisë

    392
    Sigal

    Avokati i Popullit, Igli Totozani rekomandon ministrin Beqaj për grevën e studentëve të Universitetit të Mjekësisë

    Institucioni i Avokatit të Popullit ka filluar hetimin administrativ lidhur me protestën e rreth 30 studentëve të Universitetit Mjekësor të cilët po zhvillojnë grevën e urisë që prej ditës së pardjeshme. Këta studentë, të transferuar nga institucionet private të arsimit të lartë, të cilëve ju është hequr licenca, kontestojnë tarifat e shkollimit, pretendojnë se këto tarifa janë shumëfish më të larta për këtë grup se studentët e tjerë. Ata kërkojnë barazi në tarifa dhe jo diskriminim ndaj tyre. Ndër të tjera, nga ky grup është ngritur edhe shqetësimi i mungesës së shërbimit mjekësor në ambientet e grevës së urisë gjatë fillimit të saj.

    Boshllëk në aktet normative për të drejtën e grevës së urisë

    Aktet normative që janë në fuqi në vendin tonë nuk parashikojnë të drejtën e grevës së urisë. Pra marrëdhëniet juridiko-shoqërore që rregullojnë grevën e urisë nuk janë të rregulluara nga legjislacioni ynë dhe për këtë problem i kemi sugjeruar Ministrisë së Drejtësisë që të shikojë mundësinë e përgatitjes së një projekt-ligji dhe dërgimin e tij për miratim në Kuvend me qëllim plotësimin e këtij vakumi ligjor. Vendimi i tyre për të protestuar në këtë mënyrë e formë është personal dhe duhet respektuar nga çdo organ i administratës shtetërore, pjesë e të cilës është edhe Ministria e Shëndetësisë.

    Ja e drejta ndërkombëtare për të drejtën e grevës së urisë

    Në nenin 21 të Kushtetutës parashikohet se jeta e personit mbrohet me ligj. Pra Kushtetuta jonë është shprehur qartë për mbrojtjen e jetës me ligj dhe për garantimin e kësaj të drejte themelore dhe më të rëndësishme të njeriut kanë detyrim në radhë të parë organet e administratës publike, shërbimi mjekësor dhe policia si pjesë e saj. Një nga të drejtat themelore të njeriut të garantuara nga neni 25 i Kushtetutës dhe neni 3 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, për t’iu mos u nënshtruar torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.  Ndërkohë kujtojmë se sipas nenit 17 tё Kushtetutёs, kufizime të tё drejtave dhe lirive tё parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetё nё pёrpjestim me gjendjen që e ka diktuar atë. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në KEDNJ. Sjellim në vëmendje se për problemin e grevës së urisë, ndonëse ka vakum ligjor në të drejtën e brendshme, në fakt janë miratuar disa akte ndërkombëtare dhe rajonale sikurse mund të përmendim: “Deklarata për Grevën e Urisë (Deklarata e Maltës e vitit 1991 e rishikuar në vitin 1992)”, miratuar nga Asambleja e 43-të Botërore e Mjekësisë mbajtur në Maltë, në Nëntor 1991, e rishikuar nga Asambleja e 44-të Botërore e Mjekësisë mbajtur në Marbella të Spanjës, në Shtator 1992 dhe nga Asambleja e 57-të Botërore e Mjekësisë, mbajtur në Pilanesberg të Afrikës së Jugut, në Tetor 2006”.

    Mjekët duhet të ndihmojnë studentët grevistë

    Grevistët e urisë duhet të mbrohen nga shtrëngimi. Mjekët shpesh mund të ndihmojnë për të arritur këtë dhe duhet të jenë të vetëdijshëm se shtrëngimi mund të vijë nga grupi i kolegëve, autoritetet apo të tjerët. Mjekët ose personeli tjetër i kujdesit shëndetësor nuk mund të ushtrojnë presion të panevojshëm të çdo lloj grevisti të urisë për të pezulluar grevën. Kujdesi apo trajtimi i grevistit të urisë nuk duhet të kushtëzohet me pezullimin e grevës së urisë. Të ushqyerit artificial mund të jetë i përshtatshëm nga ana etike, nëse grevistët e urisë e pranojnë atë në mënyrë të ndërgjegjshme. Ajo gjithashtu mund të jetë e pranueshme nëse individët kanë lënë paraprakisht udhëzime për ta refuzuar atë. Të ushqyerit me forcë nuk është etike dhe e pranueshme. Edhe në qoftë se ka për qëllim të përfitojnë, të ushqyerit e shoqëruar nga kërcënimet, detyrimi me forcë apo përdorimi i kufizimeve fizike është një formë e trajtimit çnjerëzor dhe degradues. Mjeku duhet t’i japë informacion të plotë pacientit lidhur me përfitimet e mundshme nga mjekimi, alternativat e mundshme terapeutike si dhe ta paralajmërojë për rreziqet që sjell refuzimi i trajtimit mjekësor. Në çdo rast, duhet që pacienti të kuptojë në mënyrë sa më të plotë situatën e tij. Nëse të kuptuarit pengohet nga faktorë të tillë si gjuha që flet pacienti, duhet të kërkohet një përkthyes me përvojë”.  Nga përmbajtja e këtyre akteve rezulton e qartë se, kushtet e grevës së urisë i vendosin vetë grevistët, ndërsa menaxhimin e grevës e bëjmë vetëm mjekët dhe jo punonjësit e policisë apo ndonjë autoritet tjetër shtetëror.

    Rekomandimet e Avokatit të Popullit

     Për sa më sipër, bazuar në pikën 3, të nenit 63 të Kushtetutës, Avokati i Populli paraqet rekomandime për marrje masash për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi epror i organit që ka shkaktuar shkeljen, si dhe në vijim të përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga “Protokolli Opsional i Konventës kundër Torturës dhe Ndëshkimeve të tjera Çnjerëzore dhe Degraduese (OPCAT)”, i cili është ratifikuar nga Kuvendi ynë me ligjin nr. 9094 datë 03.07.2003, rekomandojmë:

    1. Të merren masat e nevojshme për ofrimin e kujdesit shëndetësor 24 orësh për studentët grevistë, të cilët ndodhen në ambientet e jashtme të Rektoratit të Universitetit, Tiranë.

    2. Njohjen e personelit mjekësor me aktet ndërkombëtare e rajonale, që trajtojnë grevën e urisë, të cilat i kemi përshkruar më sipër dhe të trajnohen lidhur me mënyrën e menaxhimit të grevave të urisë.

    3. Për shqyrtimin e këtij rekomandimi dhe qëndrimin që do të mbani ndaj tij, të vihemi në dijeni brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, konform nenit 22 të ligjit “Për Avokatin e Popullit”.