Sigal

Fëmijët dhe moshat e reja janë frekuentuesit më të shpeshte të lojërave elektronike. Por kur dëshira për të luajtur në lojërat online, na kthehet në një obsesion, duhet të bëjmë kujdes sepse tashmë kjo është një sëmundje…

Psikologia Entela Binjaku u shpreh për TV Klan se: “Arsyeja se pse është parashikuar tashmë edhe ligjërisht si sëmundje, lidhet me faktin se tiparet që shfaq një individ që frekuenton lojërat online janë tipare që flasin për çrregullime të shëndetit mendor, gjendje të paqetë, padurim për të shkuar një orë e më parë për tu bërë pre e kësaj loje, koha e gjatë që kalohet, pasioni i pakontrolluar”.

Referuar përhapjes së këtyre lojërave në nivel global dhe varësisë që krijohet prej tyre bëri që  Organizata Botërore e Shëndetësisë, ta përfshij në listën e sëmundjeve të gjeneratës së re.

“Të gjithë ata individë që kalojnë një kohë të gjatë, që në mungesë të kësaj kohe të kaluar nuk ndihen mirë, humbasin qetësinë e brendshme, edhe në përditshmërinë e tyre kanë rendiment të ulët në punë, sepse gjithë energjia psikike shkon në drejtim të përmbushjes së dëshirës për të luajtur”, thotë psikologia Binjaku.