Objektet pa leje pengojnë zgjerimin e Portit të Durrësit

758
Sigal

Bashkia  dhe APD kërkesë Ramës dhe INUK për prishjen e 16 objekteve, vila dhe pallate

Të gjitha objektet dhe pa leje, që janë ngritur fare pranë murit rrethues të Portit të Durrësit, do të prishen. Por jo vetëm kaq, penalitete do të kenë edhe autorët e miratimit të lejeve të ndërtimit , ish-kryetarët e Bashkisë, ish-anëtarët e KRRT dhe ish-shefja e Urbanistikës, ku nuk përjashtohet edhe ish-drejtori Ekzekutiv i APD. Objektet e ndërtuara fare pranë murit rrethues të Portit të Durrësit, dhe sidomos ato pranë portit të ri të peshkimit, do të prishen , për ti hapur rrugën zgjerimit të tij. Prej afro 15 vitesh, objektet e ndërtuara, me leje të rregullt ndërtimi nga KRRT e Bashkisë, por në shkelje të plotë të ligjit, po mbajnë peng zgjerimin e portit dhe investimet e huaja. APD dhe Bashkia e Durrësit i kanë kërkuar prej një jave Kryeministrit Rama dhe INUK, jo vetëm prishjen e këtyre objekteve, por edhe nisjen e çështjes penale për çdo person që ka shkelur ligjet, duke penguar investimet dhe projektet e portit, dhe duke miratuar lejet e ndërtimit për pallate dhe objekte të tjera sociale. Vonesat e qëllimshme , zvarritjet për zbatimin e projekteve të investimeve nga Banka Botërore, BERZH dhe Banka Islamike për zgjerimin e Portit kanë ardhur nga persona që prej vitesh janë kamufluar, mbrojtur dhe kanë vegjetuar nën ombrellën e ndonjë politikani apo ministri. Ndjekje penale APD dhe Bashkia kanë kërkuar edhe për ish-kryeregjistruesin e Durrësit që ka certifikuar objekte të tilla, të cilat pavarësisht lejes së ndërtimit, kanë pasur odise të gjata dhe konflikte ligjore me institucionet e shtetit. Të gjitha objektet e ndërtuara janë ngritur mbi “truall” të përfituar nga mbushja e detit dhe ky padyshim mbetet një tjetër krim makabër ndaj natyrës dhe mjedisit. Ka vite që jo vetëm bregdeti, por edhe deti është kthyer në shesh ndërtimi. Herë me leje të përhershme e herë me leje të përkohshme, një pjesë e mirë e bregdetit dhe detit të Durrësit është mbushur me ndërtime, duke filluar që nga Plepat e deri në Porto Romano, ndonëse më të dukshme janë deri në Currila. Por mbushja e murit rrethues dhe pengesat për zgjerimin dhe investimet e tij, janë një skandal që Prokuroria duhet të ndalet urgjentisht. Deti nuk është pjesë e territorit të njësive të qeverisjes vendore, kështu që rregullimi i ndërtimeve në det i ka kaluar kompetencat e organeve vendore. Shkelja ligjore ka nisur  buzë rrethimit të portit duke e mbushur detin me inerte dhe duke e kthyer atë në tokë, një veprim ky për të cilin kuadri ligjor ka qenë disi i pasaktë. Derdhja e ujërave të zeza në det duhet urgjentisht të ndërpritet dhe Inspektorati Shëndetësor, Higjiena, Ujësjellës-Kanalizimet të vendosin sanksione dhe të jenë pjesë e vendimmarrjes për prishjen e tre pallateve që po mbajnë peng miliarda investime në shërbim të durrsakëve.

Si nisi katrahura

Në Durrës, ndërtimet në bregdet nisën furishëm pas vitit 1997 dhe kuptohet se zonat më të lakmueshme  ishin Plazhi, Currilat dhe shëtitorja “Vollga” buzë detit, ku minimalisht nuk ka pronë jo sot, por që nga koha e Zogut 100 metra nga vija bregdetare. Falsifikatorët e letrave dhe lejet fantazma të dhëna nga Kryetarët e Bashkive duhet të ndëshkohen me burg për investitorët dhe të prishen urgjentisht këto pallate pasi është koha të zgjerohet porti i jahteve në sheshin “Taulantia”. Duke pasur mungesë të një plani rregullues Bashkia e Durrësi ka ecur deri vonë me planin e vjetër rregullues të para viteve ‘90. Etja për zaptimin e detit ka nisur prej vitesh, por shkelja ligjore në rastin në fjalë mbetet flagrante. Objektet buzë murit rrethues të APD kanë penguar dhe mbajtur peng investimet dhe kjo ka ndodhur për të plotësuar dëshirat dhe teket e ndonjë dështaku që bënte presione mbi ish-kryetarët e Bashkisë, duke trilluar lloj-lloj historish për t’i përbaltur ata. Duke mos qenë profesionistë, ish-kryetarët e Bashkisë lejuan dhe pranuan të shkelin ligjin, duke toleruar mbushjen e detit, dhe duke miratuar madje edhe lejet e ndërtimit për objekte të tilla. Presioni për të ndërtuar u rrit u bë i papërballueshëm nga ish-kryetarët e Bashkisë, të cilët duhet të përgjigjen penalisht edhe pse ka kaluar kaq vjet. Mjafton të përmendim rastet të tilla në Europë dhe ai i Kraksit në Itali. Veprime të tilla klasifikohen si shkelje ligjore me efekte kriminale. Asokohe rregullimi i ndërtimeve kryhej përmes ligjit nr. 8405, datë 16.09.1998, “Për urbanistikën” (ligj i shfuqizuar më 15 janar 2011), i cili përcaktonte se “Njësitë e qeverisjes vendore kishin KRRT si institucione përgjegjëse për ndërtimet”. Nisur nga kjo KRRT e Bashkisë së Durrësit, duke përfituar nga kjo paqartësie ligjore herë e quante “zonë turistike” e herë “zonë urbane”, sipas interesave klienteliste. Paralelisht me shkatërrimin e projekteve për investimet e portit, në bregdetin e Durrësit , sidomos në aksin rrugor Ura e Dajlanit- Plepa, filluan njëri pas tjetrit të ngrihen pallatet e larta, duke ju afruar bregdetit. Realisht këtë katrahurë e nxitën, organet e qeverisjes vendore. Para disa vitesh, pati një përpjekje të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për të shembur objektet buzë murit të Portit, pas një kërkese ultimative nga BB dhe Banka Islamike, por gjithçka mbeti vetëm një përpjekje. Mbushja e detit me inerte për të përfituar tokë dhe ndërtimi i objekte brenda në det janë funksione të KRRTRSH, por jo të Bashkisë. Durrësi është një qytet bregdetar, me portin më të madh të vendit, por zhvillimi kaotik ka bërë që të shpërfytyrohet gjithçka. Nuk ka politikan dhe qeveritar të mbrojë ata që penguan ardhjen e mbi 1.5 miliardë euro investime nga donatorët e huaj për Portin kryesor të vendit. Askush nuk mund të fshihet pas kostumit të politikanit, duke hipotekuar objekte pa leje, askush nuk mund të përdorë emra politikanësh për të ndërtuar pallate të paligjshme, askush nuk mund të trajtohet me dy standarde. Ndoshta kjo vlen si kujtesë për Kryeministrin Rama dhe INUK.