Nuri Plaku: Vagullimi i historisë fierake

    748
    Tashmë trajtimi i temave historike me rëndësi thjesht lokale nuk përbën më problem diferencimi në fushën studimore. Gjeografia e një “përroi” kulturor do na çojë natyrshëm në “lumin” e kulturës kombëtare. Studimi i historikut të një qyteti sado të vogël, krahine, kantieri apo zone të caktuar industriale përbën një kontribut të konsiderueshëm historiografik. Pikërisht në këtë aspekt, historia e trevës së Fierit lë për të dëshiruar pasi shfaqet ende në një gjendje vagullimi. Nuk ka një hulumtim të thelluar, të mbështetur në dokumente autentike arkivore e të krahasuara midis tyre nga burime të ndryshme për të nxjerrë konkluzione të plota e serioze. Si rrjedhojë nuk ju bëhet jehonë disa ngjarjeve kyçe të cilat për nga rëndësia që kanë, marrin përmasa dhe ndikim kombëtar. Mendoj se kjo mangësi ka ndodhur si pasojë e tre arsyeve kryesore. 
    Tre arsye për mungesën e një historie të plotë
    Së pari, fondi i periudhës osmane është djegur nga lëvizja rebele e Haxhi Qamilit në vitin 1914. Në një dokument të vitit 1937 që përmban tekstin e një kërkese të Ministrisë Botore drejtuar gjithë Bashkive të vendit për të kremtuar 25 vjetorin e Pavarësisë, kërkohen materiale ndihmëse si dokumente apo foto të kësaj periudhe që disponohen prej tyre dhe qytetarëve të ndryshëm. Përgjigja e Bashkisë Fier është negative dhe justifikohet me një shprehje konkrete, “Dokumentet tona janë djegur nga Haxhi Qamili”. Dhe kjo është plotësisht e vërtetë pasi në Arkivin Qendror të Shtetit mungon ky dokumentacion. Si rrjedhojë, tashmë në Fier mungojnë të dhëna mbi punonjësit e bashkisë në periudhën osmane, cilët ishin, numri dhe funksioni i tyre, pagat që merrnin, etj. Këtë vakuum e plotësojmë disi me të dhëna publicistike të vjela nga numrat e gazetës “Përlindja e Shqypniës”. Nga kjo gazetë marrim informacion edhe për personalitete të ndryshme fierake si Llazar Kilica i cili ka qenë koordinator dhe ka luajtur rolin e një “konsulli” të Ismail Qemalit në qytetin e Brindisit. Mungesa të tilla janë dëshpëruese për zbardhjen e këtyre ngjarjeve. Një dëshpërim të tillë e ndjente edhe Jakov Milaj, i cili kur shkruan për Kilicën hedh idenë se duhet punuar e gërmuar më tej për të plotësuar figurën e këtij personaliteti të shquar fierak. Përmes një vagullimi të tillë historik na shfaqet edhe figura karizmatike e Omer pashë Vrionit. Eshtë e rëndësishme se nga 21 pashallarë që ishin në Shqipërinë e asaj periudhe, dy prej tyre ishin në Fier. Omeri dhe Galip Vrioni. Karizma e këtyre personaliteteve ishte me rëndësi për jetën e qytetit dhe duhet njohur pasi përbën thelbin e përfaqësimit të tij historik. Galip Pasha ka qenë kryetar bashkie pas Tonç Kilicës, ndërsa me Omer Pashën në Fier lidhen shumë ngjarje të kohës. Aq i rëndësishëm ishte autoriteti dhe ndikimi i tij në jetën e qytetit sa kur forcat patriotike zbritën pas Kuvendit të Sinjës në Fier, në korrik 1912, Omeri u ngjit në karakollin e Mbyetit (posta ushtarake turke) dhe ndikoi që mbi ta të mos zbrazej asnjë armë. Dhe çetat e patriotëve hyn në qytet pa zjarr dhe “zgjodhën Zija Zavalanin komandant të tyre”. “Asnjë veprim, – thuhet në gazetat italiane të kohës, korespodentët e të cilave kishin ardhur për të ndjekur zhvillimet e Luftës Ballkanike, nuk bëhet në Fier pa dijeninë dhe aprovimin e Omer pashës.” Madje edhe karrocën për të udhëtuar drejt Vlorës, Ismail Qemalit ja dha vet Omer Vrioni. Por mjerisht këto të dhëna na vijnë në mënyrë të pjesëshme dhe në rrugë anësore. Arsyeja e dytë është lufta. Pas Haxhi Qamilit Fierin e “zaptoi” Lufta e Parë Botërore, e cila duke patur frontin në lumin Vjosë, kishte zhvillime intensive në qytet. Këto zhvillime nuk e lejuan Bashkinë të kishte aktivitet të lirë, ashtu si në qytetet e tjerë të vendin, Lushnje, Elbasan apo gjetkë. Funksioni administrativ ka qenë aq apatik, sa edhe në Arkivin Qendror të Shtetit, koleksioni i dokumentave të bashkisë Fier fillon mbas Kongresit të Lushnjes. Arësyeja e tretë e vagullimit të ngjarjeve historike në Fier është mungesa e një universiteti. Janë katedrat universitare ato që kryejnë studime të thelluara dhe të mirorganizuara në një territor të caktuar urban. Në Fier kan kaluar disa ekspedita shkencore. Në fushën e gjuhësisë, treva është krehur nga programe të veçanta studimore dhe tashmë arkivi i të folmes sonë është një pasuri e vyer arkivore e cila orienton shumë studjues të rinj në zhvillimin e tyre shkencor. Studimet e Jorgji Gjinarit në vitin 1953 janë një dëshmi e rrallë gjuhësore nga kjo fushë. Madje më vonë kemi studimin serioz të së folmes së Semanit realizuar nga akademik Jani Thomai i cili mbetet një kontribut i vyer i kësaj treve. Kostumografia dhe elementet e kulturës së materialeve popullore jan studjuar gjithashtu nga kapacitete të rëndësishme shkencore si; Llambrini Mitrushi apo Mark Tirta. Kjo ka bërë që ecuria e fushës etnografike të ketë një kuotë të lartë studimore të karakterit shkencor që nuk të lejon hallakatje ordinere në interpretime të mëvonshme. Madje aq hulimtime serioze jan bërë në këtë fushë sa deri më sot nuk është bërë asnjë ndërhyrje korigjuese. 
    Studimet në fushat e tjera
    Studimet shkencore të terrenit, gjeografia, relievi, ujrat e deri në thellësinë e nëntokës kan mar gjithashtu “krehje” studimore të kualifikuar. Kjo fal zonave industriale të rezervave naftëmbajtëse dhe rilevimeve dhe nevojave hartografike që kan kryer institutet e ndryshme shkencore dhe kabinetet ushtarake për nevojat e mbrojtjes. Madje studimet hartografike kan një arritje të tillë sa përfshijnë edhe ndryshimin artificial të reliefit si sistemi i irrigacionit dhe veprat e ndryshme ujitëse. Janë studjuar gjithashtu burimet arkeologjike vendbanimet e hershme dhe harta e zbulimeve dhe iventari i tyre pasurohet gjithmonë e më tepër, shoqëruar pa ndërprerë nga studimet përkatëse. Por fusha e historisë, mjerisht nuk ka tërhequr vëmendjen e studjuesve për ngjarje rajonale. Studimet për Kryengritjen antiosmane të Alush Frakullës dhe Rrapo Hekalit kan ngelur në kuadrin e konferencave lokale dhe jan mjaftuar me rezultatet e grupeve të punës që kanë mbledhur të dhëna të trashëguara në kujtesën e banorëve të zonës. I tillë është takimi i 7 gushtit 1912, i cili deri në periudhën e Mbretërisë Shqiptare, është quajtur me një përcaktor tepër sinjfikativ; “Kongresi i Fierit”. Pra autorët e këtij takimi të rëndësishëm, sa ishin gjallë e vlerësonin atë me peshën reale të kohës, ndërsa më vonë jehona e kësaj ngjarjeje bije natyrshëm së bashku me ikjen natyrore të autorëve të saj. Fieri ka edhe ngjarje të tjera të mbetura “jetime” pa dosjen e tyre të plotë arkivore. Por përkundër këtij vakumi dokumentar, dashamirës të ndryshëm marin nisma shkrimore dhe dalin me libra gjithfarësh dedikuar figurave apo ngjarjeve të ndryshme historike. U është lënë dorë abuzimeve me faktet dhe jan ngritur atribute të pamerituara për individ të caktuar aktiviteti i të cilëve nuk shoqërohet me referenca dokumentare. Ndërkohë kur lihen në harresë shumë ngjarje të rëndësishme zbardhja e të cilave do t’i jepte vendin e duhur traditës patriotike të këtij qyteti. Pikërisht në ndihmë të kujtesës historike kryebashkiaku Subashi ka shprehur angazhim mjaft efektiv për të ndihmuar në pasurimin e fondit arkivor të Muzeut Historik të këtij qyteti me dokumenta të vjelë nga arkivat e huaja. Kjo nismë është e para e këtij lloi që merret në fushën historike nga pushteti lokal i Fierit. Para pak kohësh z. Subashi firmosi autorizimin për studiuesin dhe botuesin italian z. Françesko Amato, i cili do të hulumtojë në arkivat e Vatikanit për dokumente që lidhen me Fierin dhe trevën e Myzeqesë. Pas botimit të katalogut të specializuar të filatelisë shqiptare të cilën ja bëri dhuratë Muzeut të Fierit, vitin e kaluar, tashmë z. Amato po punon për objektet e kultit në trevën tonë. Ky do të jetë një kontribut i rëndësishëm për pasurimin e fondit arkivor të krishterimit. 
    Projektet e kryebashkiakut të ri
    Ditët e fundit, z. Subashi shfaqi idenë e hulumtimit në arkivat e Stambollit për të të pasuruar me dokumente origjinale osmane Muzeun e Fierit. Dihet se, krahas Arkivit Qendror të Tiranës, këto dy qendra, Roma dhe Stambolli, përbëjnë një burim të rëndësishëm arkivor për historinë tonë. Një tjetër fakt i rëndësishëm është edhe aprovimi i një projekti ambicioz për kremtimin e datës së themelimit të qytetit të Fierit. Në mbledhjen e tij të muajit qershor 2015, Këshilli Bashkiak i mëparshëm zyrtarizoi datën e festimit të këtij përvjetori, 10 dhjetorin. Ish Kryebashkiaku z. Baftjar Zeqaj, realizoi kështu një ambicje shumë të rëndësishme, festimin e 150 vjetorit të themelimit të qytetit dhe me zyrtarizimin e kësaj date, vuri një gur të rëndësishëm në themelin e historiografisë së këtij qyteti. Z. Subashi ka fatin të jetë i pari Kryebashkiak pas zgjedhjeve të reja vendore, që ta festojë këtë datë pikërisht pas zyrtarizimit të saj. Dhe për këtë aktivitet të rëndësishëm të këtij viti, tashmë përgatitjet kanë filluar. Konkretisht po punohet për dokumentarin historik dhe botimin e një libri dy gjuhësh, shqip – anglisht. Ky botim do të jetë një hap i mëtejshëm për njohjen e qytetit, jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë kufijve të tij, nëpërmjet delegacioneve të huaja që do vijnë në Fier e do ta marrin atë si dhuratë. Më vonë kjo iniciativë do konkretizohet edhe me ngritjen e bustit të Kahreman pashë Vrionit. Është e natyrshme tashmë se me zyrtarizimin e kësaj date busti i themeluesit të qytetit përbën një domosdoshmëri reale për të ardhmen. Dhe ky është një hap i rëndësishëm në rrugën e pasurimit dokumentar të qytetit të Fierit nga burimet e huaja arkivore dhe njohjen e mëtejshme të kësaj historie që duhet të përbëj një sihariq jo vetëm për Muzeun Historik, por edhe për gjithë personat e interesuar dhe komunitetin fierak në tërësi.
    *Drejtor i Muzeut Historik Fier

    Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 04.12.2015
    Sigal