Nuri Plaku*/ Rreth masakrës së 13 shtatorit 1943 në Fier

    1008
    Sigal

    Më 13 shtator të këtij viti, mbushen 70 vjet nga ngjarja më e tragjike për popullsinë civile të Fierit, masakra e kryer nga nazistët gjerman ditën e vrasjes së kriminelit Isa Toska. Qyteti i Fierit, ashtu si edhe gjithë rrethinat e tij, kishin muaj që përjetonin ankthin e terrorit masiv të kriminelit Isa Toska i cili kishte marr edhe gradën “gjeneral” nga pushtuesi fashist dhe i ndihmuar prej tij me forca ushtarake, armë dhe mjete të motorizuara, mundohej të disiplinonte zonën nga lëvizja e “bolshevikëve” dhe sidomos të siguronte garancinë e qarkullimit rrugor për fashistët që lëviznin nga Lushnja, Berati e deri në Mallakastër. Për këtë qellim krimineli angazhonte gjithë forcën e tij efektive në të cilën përfshiheshin burra të rekrutuar nga Luari, fshati i tij i lindjes, Kumani, Kuqani, Drenija, Roskoveci e deri në Vlosh e Ngjeqan. Në funksion të sigurisë së tij fashistët kishin vënë edhe një autoblindë, me të cilën Isai lëvizte lirish dhe kërcënonte popullsinë civile me reprezalje, mblidhte armë, bastiste banesat dhe rekrutonte me forcë burra të rinj në radhët e veta. Ky terror i egër ushtruar për gati dy vjet mbi popullsinë civile të kësaj zone, që ngjasonte me aksionet antisemite hitleriane, pati një bilanc tepër të hidhur për të. Një numër i konsiderueshëm aktivistësh dhe pjesëmarrës të luftës kapeshin tradhtisht dhe torturoheshin në burgun famëkeq të Luarit, një godinë e ngritur enkas pran banesës së tij dhe më pas ekzekutoheshin tek “Shkëmbi i Saraçit”, një pikë dominuese mbi bregun e Përroit të thellë të Siqecës. Vetëm në këtë vend janë ekzekutuar 43 burra. Edhe bilanci i vrasjeve nëpër fshatra është tepër rrëqethës. Në Marinëz janë vrarë 2 persona pas torturave masive të burrave të fshatit për grumbullimin e armëve, në Zharrëz 12 persona nga fisi i Klosajve, duke përfshirë edhe fëmijët e djepit, ndërsa në Lapulec 33 persona. Ky bilanc arrin një shifër tronditëse mbi 200 persona të ekzekutuar nga dora e tij kriminale.

    Gjithë strukturat funksionale të kohës ishin preokupuar për eliminimin e tij, por aksionet e ndërmarra nga forcat partizane asnjëherë nuk kishin dhënë rezultatin e duhur për shkak të mbrojtjes italiane. Divizioni fashist instaluar në Kuman vihej në dispozicion të tij menjëherë sapo të merrej sinjali i parë, duke shfrytëzuar të gjithë arsenalin e tyre ushtarak deri në përdorimin e aviacionit. Madje edhe Ministria e Brendshme e qeverisë kuislinge të Tiranës kishte nxjerrë një urdhër arresti në adresë të tij duke caktuar edhe një shumë shpërblimi për personin që do ta arrestonte apo ekzekutonte atë, por asgjë nuk ishte mundur të realizohej, pikërisht për shkak të mbrojtjes së sofistikuar italiane.

    Sikur të mos mjaftonin këto krime të shëmtuara, bilancit të tyre tragjik ju shtuan edhe 13 të vrarë të tjerë nga popullsia fierake më 13 shtator të vitit 1943. Kjo është dita kur Isa Toska erdhi në Fier në përpjekje për të shkuar në Vlorë e të hidhej në Itali së bashku me ushtarët italian, fill pas tërheqjes së tyre kapitulluese nga lufta më 8 shtator të këtij viti. Ngjarja zbardhet në dimensionin e saj të plotë nëpërmjet një dokumenti që kemi mundur ta nxjerrim kohët e fundit nga fondi i Ministrisë Punëve të Brendshme në Arkivin Qendror të Shtetit, përmbajtjen e të cilit po e publikojmë për herë të parë në shtyp. Sipas këtij dokumenti, më datën 11 shtator 1943 nga Vlora erdhi në Fier një kolonë gjermane e cila u instalua në qendër të qytetit, në godinat e xhandarmërisë( aty ku sot është Universiteti “Ufo”) dhe filloi menjëherë marrëveshjen me Komandën Italiane për dorëzimin e materialeve dhe armatimit të tyre të rëndë. Të nesërmen në datën 12 shtator natën, ushtria italiane u nis për në Vlorë. Ndërsa vazhdonte evakuimi i ushtrisë së kapitulluar, në mesditën e 13 shtatorit, Isa Toska vjen në Fier së bashku me 50 bashkëpunëtorët e tij të veshur me uniformën ushtarake fashiste të Divizionit Brenere, i përzier me kolonën ushtarake italiane të Kumanit dhe grumbullohet së bashku me bashibozukët e tij në fushën e sportit, (sot Gjimnazi “Janaq Kilica”), në pritje për tu nisur për në Vlorë.

    Ardhja e kriminelit të shumëkërkuar mu në mes të qytetit u vu re me shqetësim nga populli dhe efektivi i xhandarmërisë dhe midis tyre filluan menjëherë reagimet. Në orën 15, Komandanti i Xhandarmërisë së Rrethit Kapiten Hilmi Beluli së bashku me oficerët Abas Sevranin dhe Rushit Çarçanin, njoftuan nënprefektin z. Zef Pepaj për ardhjen e Isa Toskës dhe i propozuan atij të vinin së bashku në Komandën Gjermane, t’ju kërkonin atyre dorëzimin e kriminelit dhe vëllait të tij, Faslli Toskës pranë xhandarmërisë shqiptare, pasi për të, “kishte  edhe një letër rreshtimi të përhershëm”. Më pas thirret edhe Kryetari i Bashkisë z. Arshi Shehu dhe përkthyesi z. Abedin Hoxha së bashku me vëllanë e tij, togerin Fiqiret Hoxhën dhe të gjithë në grup shkojnë në Komandën Gjermane. Sapo u informua për problemin e tyre, Komandanti thirri menjë herë tre ushtarë të tij dhe kërkoi ti shoqëronte dikush nga xhandarmëria, “sa për tu treguar se kush ishte Isai dhe Faslli Toska”. U duk sikur komandanti gjerman nuk i kushtoi shumë rëndësi arrestimit të tyre dhe z. Hilmi Beluli insistoi të sqaronte se dy vëllezërit ishin persona shumë të rrezikshëm dhe të dy të armatosur, kurse shokët e tyre mund të kishin bomba dhe armë xhepi. Por komandanti gjerman ju tha se “nuk ka gajle, ju vetëm na tregoni se kush janë”. Atëherë komandant Beluli u detyrua të merrte masa në nivel xhandarmërie. Urdhëroj aspirant Çarçanin të organizonte me xhandarët disa prita nga mendohej se mund të ikte krimineli në rast se do t’i shpëtonte arrestimit. Pas urdhrit të ngritjes së pritave, komandanti, së bashku me nënprefektin dhe sekretarin e tij Zybi  Goxhin, Kryetarin e bashkisë Arshi Shehun dhe me dy vëllezërit Abedin dhe Fiqiret Hoxha, u drejtuan për në komandën e xhandarmërisë rrethit.

    Ndërkohë, aspirant Abas Sevrani së bashku me komandantin e postës së qendrës kapteri parë, Selami Baruti e rreshter Qemal Hapshi, shoqëruan tre ushtarët gjerman për në fushën e sportit ku ishin grumbulluar Isa Toska me të vëllanë dhe ndjekësit e tyre.  Isa Toska sapo pa grupin që po vinte në drejtim të tij, ai e kuptoi qëllimin e tyre dhe reagoi duke sharë e fyer rëndë Abas Sevranin dhe njëkohësisht i drejtoi pushkën dhe e zbrazi në drejtim të tij. Në moment Abazi ju përgjigj flakë për flakë goditjes së kriminelit “duke gjuajtur vetëm një herë me revolverë në drejtim të tij”. Në moment Isa Toska u largua me “shpejtësinë dhe zotësinë e një tigri e merr ikjen tue e dërgue mallkimet e një krahine drejt kazermës Xhandarmërisë, ku u prit me plumbat e xhandarmërisë e tue mbet i shtrirë e i larë në gjak pikërisht para portës së kazermës”. Ky shpërthim i papritur qe ndërkohë edhe një befasi e paimagjinueshme për komandën gjermane. Ushtarët u mobilizuan menjëherë dhe u hodhën në sulm kundër bandës së kriminelit duke vënë në përdorim të gjithë arsenalin e armatimit. Mitralozat villnin zjarr nga të katër anët. Ushtarët gjerman së bashku me xhandarët shtrijnë për tokë edhe 16 kriminelë të Isait ndërsa i vëllai, Faslliu iku përmes plumbave dhe kaloi Gjanicën mbrapa godinës së bashkisë, (Prefekturës së sotme) duke shpëtuar për momentin, por u arrestua nga forcat partizane brenda disa orëve, i strehuar në një fshat pran qytetit.

    Por, në këtë përleshje mbetën të vrarë nga popullsia civile edhe 13 burra të kositur nga “plumbat e mitralozave gjerman”. Viktimat e popullsisë ishin punonjës të shërbimit tregtar, kalimtarë apo banor të cilët i kapi rrezja e zjarrit në lëvizje e sipër. Rrezja e sulmit gjerman u zgjerua në ndjekje të kriminelëve të shpërndarë nga brigjet e Gjanicës deri tek “Hani i Velos” në veri të fabrikës së miellit.

    Trembëdhjetë viktimat fierake të kësaj dite ishin: Gor Bitri, Kozma Plaku me të birin Miço Plaku, Marko Çala, Ndoni Toska, Velo Xhafo, Lil Rrapi, Musa Sherifi, Vasil Stefani, Pilo Bana, Selim Boriçi, Jani Prifti dhe një lypës bullgar i paidentifikuar.

    Ndërsa nga ana e xhandarmërisë mbeti i vrarë rreshter Sinan Agolli nga katundi Moçaj i Pogradecit dhe i plagosur lehtë tetar Safet Kapua nga Përmeti.

    Në letrën që i dërgonte Ministrisë Punëve brendshme, nënprefekti i Fierit Zef Pepaj, kërkonte ndër të tjera që shuma e caktuar për vrasjen e kriminelit Isa Toska të vihej në dispozicion të Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë për tu përdorur si fond ndihme për familjarët e xhandarëve të rënë në krye të detyrës. Nënprefekti kërkonte nga shteti gjithashtu një ndihmë prej 2000 Franga Shqiptare për çdo të vrarë civil “në mbylljen e tragjedisë së Isa Toskës”.

     Kështu u mbyll 13 shtatori i vitit 1943 në Fier duke shënuar një nga ditët më tragjike e më të zeza të këtij qyteti, vrasjen e 13 njerëzve të pafajshëm nga popullsia e tij civile.

    *Drejtor i Muzeut Historik Fier