Nuk kërkojmë as mëshirë, as lëmoshë, por pronën tonë ndër breza

    361
    Zoti Kryeministër! Ne pronarët e ligjshëm kemi një hall të përbashkët. Ju jetësuat ligjin 7501, një ligj vëllavrasës, antizakonor e antishqiptar, antikushtetues e tërësisht në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Me këtë akt, ju i dhunuat e i shpërfillët me cinizëm e kryeneçësi këto të drejta, megjithëse e dini mirë se kështu nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës. Nuk ka ndodhur që t’i merret prona me ligj, pronarit trashëgimtar dhe t’i jepet një individi tjetër, falas, megjithëse ai nuk ka asnjë të drejtë kushtetuese e as zakonore mbi atë pronë. Ju faktikisht keni jetësuar vëllavrasjen. Ne e rrëzuam komunizmin, për të fituar lirinë dhe liria në thelb ka primare të drejtën e pronës, por ai fatkeqësisht u zëvendësua me një PSEUDODEMOKRACI zhgënjyese, në të cilën nga vetë shteti i grabitet prona pronarit dhe lulëzon kleptokracia e korrupsioni. Zullumet më të mëdha për pronat shihen aty, ku janë pleksur interesat e pushtetarëve, sidomos nga Kalaja e Ujit të Ftohtë në Vlorë dhe më në Jug, duke përfshirë Dukatin, Himarën, Sarandën. Kjo ndodh në këtë zonë, ndërkohë që në më shumë se gjysmën e territorit të vendit pronarët kanë marrë tokën e tyre, madje kanë zaptuar edhe prona të të tjerëve, në zona bregdetare. Zoti kryeministër, ne, shumica e pronarëve kemi votuar në vazhdimësi për të Majtën, veçanërisht kur në fushatën elektorale premtuat nga Shkodra, zgjidhjen e pronës, ne angazhuam tërë farefisin tonë, për të fituar JU. Ne shpresuam shumë, por Ju na zhgënjyet, premtimi nuk u mbajt. Jo vetëm nuk u zgjidh çështja e pronave në përputhje me rekomandimet e Europës, por përgatitët një ligj edhe më të zi se ligji 7501. Ligji i ri u përgatit, pa u konsultuar me grupet e interesit, hartuesit dhe Ju nuk zbatuat Kushtetutën, u tallët me të drejtën tonë të pronësisë, si dhe me vendimin unifikues të kolegjeve të bashkuara të Gjykatës së Lartë, në mars 2002 dhe me vendimin pilot të GJEDNJ Manushaqe Puto… Ne përsëri do ankohemi dhe nëse shteti nuk kthen pronën tek pronari i ligjshëm, se politikanët duan të përvetësojnë pronat tona dhe nuk zbatojnë detyrimet që i ka ngarkuar Gjykata e Strasburgut. Ne nuk e njohim dhe nuk do ta njohim këtë ligj, bile as qeverinë, sepse na ka grabitur. Nuk jemi pak. Zoti kryeministër! Unë jam tetëmbëdhjetë breza autokton në Dukat e historikisht familjes time ndër breza nuk ia mori njeri pronën. Pas vitit 1991, ne nuk na është kthyer prona. Sot, unë me vëllezërit dhe fëmijët e mi, nuk kemi pronë në Dukat dhe kemi 25 vjet që nuk jemi më nga Dukati! Kurrkush nuk e ka tagrin ligjor, kushtetues e kanunor që të më heq mua identitetin e fshatit tim. Moskthimi i pronës ka krijuar edhe probleme sociale. Ata që kanë marrë pronat tona falas me këtë ligj të zi, na përçmojnë, na provokojnë, na bëjnë karshillëk. Siç duket qeveritë tona të majta e të djathta nuk janë ngopur me gjakun e mbi 8.000 të vrarëve për pronën. Ne sot jemi muhaxhirë në fshatrat tona, ne jemi çamët e kohëve moderne. Ne pronarët autoktonë, nuk kërkojmë mëshirë e as lëmoshë, por kërkojmë pronën e prindërve tanë të trashëguar ndër breza. Për këtë do të luftojmë sa të kemi frymën, pasi është prona jonë. Ju po na detyroni të shkojmë drejt mosbindjes civile. A keni bindje ju, se do të mashtrohet Gjykata e Strasburgut me këtë ligj?! Zoti kryeministër! Kini guximin e vullnetin të anuloni ligjin e zi, ndryshe mos u përgjëroni për Kushtetutën. Kthimi i pronës nuk ka fare kosto financiare. Ato 50 miliardë të buxhetit të shtetit, që do të kompensoni për 10 vjet dhe nga afro 600 milionë Euro nga gjobat e Strasburgut bëjani popullit dhuratë, me kopshte, çerdhe, shkolla, ura, pensione, spitale etj. Edhe njëherë, zoti kryeministër, nuk kërkojmë as mëshirë, as lëmoshë, por pronën tonë ndër breza. 
    Merko Bozhanaj
    Sigal