Nonda Buxhuku/ Reforma e pensioneve. Të rishikohet formula e llogaritjes së pensioneve!

    419
    Sigal

    Pas miratimit në Këshillin e Ministrave të projektligjit “Për disa shtesa e ndryshime të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, nga media të ndryshme u bë i njohur për publikun ky projektligj, kaq shumë i pritur. Në shtyp u bënë edhe komente që më shumë përqendroheshin mbi rritjen graduale të vjetërsisë në punë të siguruar, që kalon nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2029. Si dhe për rritjen e moshës së pensionit, fillimisht për gratë deri në vitin 2032 me nga 2 muaj për çdo vit dhe më pas do të vazhdojë të rritet edhe për burrat dhe për gratë deri në vitin 2056, ku mosha për pension të plotë do të arrijë në 67 vjeç. Natyrisht, qëndrimet janë të ndryshme. Ata që janë në punë të vështirë, të pasigurt dhe me paga të ulëta (dhe këto përbëjnë shumicën) nuk i kanë pritur mirë këto masa, ndërsa të tjerë me punë komode, të lehta dhe me paga të larta (kryesisht nëpunësit) i kanë mirëpritur ato.

    Komente të ndryshme, por me karakter të përgjithshëm, ka patur edhe për përfitimet nga skema e re e formulës së llogaritjes së pensionit. Shkurt, thuhet se sipas kësaj formule, kush kontribuon më shumë, merr më shumë dhe kush kontribuon më pak, merr më pak. Sipas ndryshimeve të paraqitura në projektligj, baza e pensionit nga shuma e pensionit minimal që merret në llogaritje sot, zëvendësohet me pensionin social, që është më i vogël. Ndërsa hiqet tavani që kufizon pensionin (jo më shumë se dyfishi i pensionit minimal), duke hapur rrugën për pensione pa kufi, gjithashtu hiqet dhe kufizimi tjetër “prej jo më shumë se 75 % e pagës neto të tre vjetëve rresht, gjatë 10 viteve të fundit”. Me kaq sa thuhet e komentohet nuk del e prerë nëse me formulën e re, në radhë të parë, qytetari që del në pension me pagë të ulët deri në pagë të mesme, merr më shumë apo më pak se me ligjin në fuqi. Ose ku fillon kufiri i pagës mesatare, që sipas formulës së re do të përfitojë më shumë nga sa mund të marrë sot ai. Pra lindin disa pyetje që kërkojnë më shumë shpjegime, kërkohet më shumë transparencë. Se kjo në fund të fundit, u intereson më shumë qytetarëve që do të dalin në pension.

    Pra, Ministrisë përkatëse apo Institutit të Sigurimeve Shoqërore u takon të bëjnë më shumë sqarime për këtë problem dhe më e mira të jetë që të bëjë një pasqyrë, ku të jepen shembuj konkretë të përfitimit të pensioneve me dy formulat dhe me paga nga më e ulëta deri te më e larta. Ashtu si pasqyrat analitike, ku kërkohet vjetërsia në punë dhe mosha për çdo vit për të dalë në pension që flasin qartë, le të hartohet dhe një pasqyrë me shembuj për llogaritjen e pensionit. Mungesa e transparencës mbi llogaritjen e pensionit të lë të dyshosh, prandaj është në të mirën e të gjithëve që formula e re e pensioneve që penalizon punonjësit me paga të ulëta dhe të mesme dhe favorizon vetëm punonjësit me paga të larta, mendoj de duhet riparw me shumë kujdes. Fakti që baza e pensionit të sotëm prej 12 024 lekë zëvendësohet me pension social prej 5 153, apo 6 600 lekë, të lë të kuptosh se punonjësi me pagë të ulët do të marrë më pak, ndërsa në pagat e larta, nuk influencon, për faktin se masa e 1 %-shit për çdo vit pune mbi pagën mesatare të lartë, jep një shumë më të madhe lekësh se 1 %-shi i llogaritur mbi pagën e ulët.

    E ilustrojmë me pasqyrën më poshtë:

    Shtesa në lekë e 1 % mbi pagën mesatare mujore

    Me 35 vjet vjetërsi pune

    Me 40 vjet vjetërsi në punë

    Paga mesatare mujore

    Shuma e shtesës

    Paga mesatare mujore

    Shuma e shtesës

    20 000

    7 000

    20 000

    8 000

    40 000

    14 000

    40 000

    16 000

    60 000

    21 000

    60 000

    24 000

    80 000

    28 000

    80 000

    32 000

    100 000

    35 000

    100 000

    40 000

    Pra, shtesa nga 1 % rritet në raport të drejtë me pagën dhe përfitimi shtohet, duke zënë peshën më të madhe të pensionit në tërësi. Ndërsa për pagat e ulëta 1 për qindëshi nuk ngre peshë dhe kryesore ngelet shuma bazë e pensionit. Prandaj, ashtu siç e kam propozuar edhe më parë (shif shkrimin e datës 26 maj 2014 në gazetën “Telegraf”), unë i qëndroj llogaritjes, ku si bazë e pensionit të mos merret pensioni social, por pensioni minimal, që është sot në fuqi.

    Dhe disa arsyetime të tjera, pse i qëndroj këtij propozimi:

    Së pari, para se të vendosej tatimi progresiv mbi të ardhurat, mbi pagat, diskutimi përqendrohej në parimin që kush merr më shumë, të paguajë më shumë dhe kush merr më pak, të paguajë më pak. Sipas pasqyrës që u miratua, pagat e ulëta u përjashtuan fare nga pagesa. Por, edhe pagat e mesme u favorizuan. Tani për pensionet, thuhet kush kontribuon më shumë, të marrë më shumë e kush kontribuon më pak të marrë më pak. Pra, asnjë favorizim për punonjësit me paga të ulëta. Asnjë kufizim në përfitim për punonjësit me paga të ulëta. Asnjë kufizim në përfitim për punonjësit me paga të larta. A nuk ka një mospërputhje parimi, një kontradiktë? Pagat dhe pensionet janë një kategori ekonomike. Paga merret kur punon, ndërsa pensionet merren në moshën e pleqërisë si shpërblim i punës dhe kontributit të dhënë. Të dyja janë edhe mjet jetese, veçanërisht për ata që zënë pozicione të ulëta dhe nuk kanë të ardhura të tjera.

    Së dyti, për çdo punonjës të punësuar në sektorin publik dhe në atë privat në buxhetin e Sigurimeve Shoqërore paguhet kontribut 24,5 % mbi pagën bruto. Por jo e gjithë kjo paguhet nga i punësuari. Pjesën më të madhe të kontributit, ose 15 % e paguan punëdhënësi dhe 9.5 % e paguan punëmarrësi. Pra, në rastin e të punësuarit publik, pjesën më të madhe e paguan buxheti i shtetit dhe në rastin e të punësuarit privat e paguan punëdhënësi privat. Ndërsa të vetëpunësuarit, kontributin e paguajnë të gjithë vetë.

    Nga sa më sipër, rezulton se për punonjësit me paga të larta, buxheti i shtetit paguan më shumë, ndërsa për punonjësit me paga të ulëta, buxheti i shtetit paguan më pak. Atëherë ky korrelacion nuk duhet të mbahet parasysh në përfitimin e pensioneve? Pra, një pjesë punonjësish të përfitojnë pa kufi, ndërsa një pjesë tjetër dhe që përbën shumicën të penalizohet? Prandaj, në llogaritjen e pensioneve (përfitimeve) duhet gjetur një rrugë e mesme, ku të gërshetohet kontributi i secilit me solidaritetin. Dhe në rastin konkret, llogaritja e masës së pensionit të fillojë nga pensioni minimal dhe jo nga pensioni social, i panjohur deri më sot dhe që s’ka të bëjë me pensionin real, që lidhet me punën dhe kontributin e dhënë në vite.

    Diferenca në masën e pensionit sipas dy formulave

    Shembull: një punonjës me 35 vjet vjetërsi pune dhe pagë mesatare mujore 40 000 lekë, sipas ligjit në fuqi, siguron pension maksimal prej 24 500 lekë (së bashku me kompensimin prej 500 lekësh)

    Ndërsa sipas formulës së re do të marrë 3 900 lekë më pak

    Konkretisht: 6600 lekë+ 14 000 lekë shtesa ( 40 000 x35%= 14 000) = 20 600 lekë.

    Diferenca del 24 500 -20 600 = 3 900 lekë më pak.