Nonda Buxhuku/ Pensionet, ja formula ideale për pensionistët, por edhe për shtetin

    465
    Sigal

    Minimumi jetik dhe tabela e llogaritjes së pensioneve. Pensionet suplementare, shtetërore të posaçme, të invaliditetit dhe ato familjare të hiqen nga buxheti i sigurimeve shoqërore

    Kanë kaluar 20 vjet kur Ligji i Sigurimeve Shoqërore hyri në fuqi. Gjatë këtyre 20 viteve janë bërë shumë ndërhyrje drejt përmirësimeve duke marrë dhe mjaft mbingarkesë përsipër që e kanë bërë të domosdoshëm rishikimin në tërësi dhe në veçanti pjesën që bën fjalë për pensionet e pleqërisë. Pra, reforma që do të kryhet kërkon një studim të plotë të kujdesshëm që të shërbejë jo sot për nesër, por për disa 10 vjeçarë. Në këto kushte reforma e pensioneve, në veçanti, nuk duhet të ketë parasysh vetëm zbutjen apo zgjidhjen e problemit deficitar financiar, që ka sot buxheti i sigurimeve shoqërore, por në radhë të parë, nëpërmjet përfitimeve (pensionit), të sigurohet një jetë normale e pensionistëve, në radhë të parë e atyre që kanë paga të ulëta, mbasi pensioni për ta është mjeti i vetëm i jetesës. Dhe kjo për më tepër që skema e re e pensioneve parashikon të rritet vjetërsia e punës së siguruar nga 35 në 40 vjet, vjetërsi kjo që jo të gjithë do të mund ta sigurojnë. Kjo jo vetëm nga niveli i lartë i papunësisë ashtu dhe nga problemet që paraqet vetë sistemi kapitalist i ekonomisë së tregut me ulje-ngritjet e tij, nga falimentimet, krizat e konkurrenca si dhe zgjedhjen e punonjësve jo vetëm nga niveli arsimor e profesional por edhe nga fiziku, mosha e deri në pamjen në disa vende pune. Duke u rritur edhe mosha e daljes në pension si për burrat dhe për gratë, ato pak vite që ngelen për të jetuar të mos jenë të dhimbshme e të vështira nga ana financiare, sidomos për ata që kanë pasur paga të ulëta.

    Pensionet që rëndojnë buxhetin e sigurimeve

    Buxheti i sigurimeve shoqërore nga viti në vit është bërë më deficitar. Por kjo jo vetëm nga rritja e numrit të pensioneve, por edhe nga shumë pagesa të tjera që paguhen nga ky buxhet dhe që janë të diskutueshme. Ndofta disa pagesa duhet të veçohen nga ky buxhet dhe të dalin si zëra të buxhetit të shtetit. Një pjesë tjetër të hiqen fare dhe të mos figurojnë as në të ardhura dhe as në shpenzime. Sot, nga buxheti i sigurimeve shoqërore paguhen pensionet suplementare të zyrtarëve të lartë dhe ushtarakëve, pensionet shtetërore të posaçme, pensionet e invaliditetit dhe ato familjare, pagesat e papunësisë, pagesat për lindje fëmije dhe vdekje të një anëtari të siguruar të familjes etj, përveç pensioneve të pleqërisë, pagesa për paaftësi të përkohshme, barrë-lindje etj..

    Pa të bëjmë një shikim të shkurtër të disa prej këtyre pagesave:

    Pensionet suplementare

    Këto pensione i gëzojnë nëpunësit e lartë të shtetit dhe të nivele të tjera më të ulëta që punojnë në dikastere e institucione publike, ushtarakët, minatorët për trajtim të veçantë, profesorët etj.. Numri i tyre ka arritur sot mbi 31 mijë persona dhe vjen çdo vit në rritje. Një pjesë nga këta paguajnë kontribut shtesë që të përfitojnë pension suplementar. Dhe përfitimi është në kushte shumë të favorshme, ku me pagesat e bëra nuk mbulohen të ardhurat. Këto pagesa nuk ka pse të ngatërrohen me pensionet e pleqërisë, duke i rritur artificialisht ato. Mendoj që si derdhjet (pagesat suplementare, ashtu dhe përfitimet të veçohen dhe të kenë të bëjnë me buxhetin e shtetit. Bile në kushtet që me skemën e re të pensioneve, hiqet tavani i shumës që përfitohet, mirë do të ishte, të mos ketë fare pensione suplementare. Edhe kjo kategori punonjësish të paguajnë kontribute si gjithë të tjerët dhe sipas dëshirës këto pagesa ose dhe më shumë mund t’i depozitojnë në formë kursimi në bankë ose t’i kalojnë në Institutet Private të Pensioneve. Nuk ka, mendoj, detyrim shteti të mbajë llogari për kontributet dhe pagesat e tyre.

    Pensionet shtetërore të posaçme

    Këto pensione jepen me vendim të Këshillit të Ministrave për persona me merita të larta patriotike, për rezultate të dallueshme në punë, në fushën e shkencës, kulturës, artit, etj.. Megjithëse me ligj këto pensione mbulohen nga buxheti i shteti, duke dalë në zërin e pensioneve fryjnë artificialisht pagesat për pensionet e pleqërisë.

    Pensionet e invaliditetit dhe ato familjare

    Numri i këtyre pensioneve vjen gjithmonë në rritje dhe zënë peshë jo të vogël në fondin e pensioneve në tërësi. Kjo kategori e përfiton pensionin në kushte shumë të favorshme dhe nuk mbulohet nga kontributet e paguara. Si të tilla, këto shtojnë pagesat për pensione dhe krijohet ideja që po thellohet gjithmonë e më shumë disniveli midis kontributeve dhe pagesave për pensionet. Pra, duhet parë.

    Të gjitha këto pagesa që u përmendën më lart duhen veçuar nga pensionet e pleqërisë me qëllim që të jenë të qarta mbi shpenzimet që rezultojnë sot për pensionet e pleqërisë. Pra, sa janë të ardhurat nga kontributet dhe sa janë shpenzimet për këtë kategori pensionesh duke mos e ngatërruar me totalin e të ardhurave e shpenzimeve në tërësi të buxhetit të sigurimeve shoqërore. Kjo bën dhe më transparente shqetësimin nëse deficiti buxhetor sot vjen nga pensionet e pleqërisë, apo dhe nga shumë pagesa të tjera që bëhen sot dhe që duhen veçuar apo diskutuar për t’u hequr fare, siç u përmendën më lart. Prandaj kujdesi për skemën e re të pensioneve të pleqërisë rritet dhe më shumë dhe duhet treguar shumë kujdes mbasi ka të bëjë me moshën e tretë dhe më të pambrojtur deri tani.

    Përcaktimi i minimumit jetik

    Mirë do të ishte që reforma në pensione të fillonte nga përcaktimi i minimumit jetik, i kërkuar shpesh nga shoqatat dhe sindikatat e pensionistëve. Kjo do të thotë që pasi të caktohet minimumi jetik, baza (minimalja) që të sigurojë të paktën një standard jetese minimal, mbi këtë bazë të jepet shtesa për kontributet e dhëna gjatë viteve të siguruara të punës, duke e kombinuar këtë, që kush ka kontribuar më shumë të marrë më shumë. Një kombinim i tillë përfitimi shpreh edhe solidaritetin midis punonjësve, po ashtu humanizmin e shtetit ndaj shtresave të varfra.

    Meqenëse, mungon përcaktimi i minimumit jetik në formulën e mëposhtme që jap në llogaritjen e përfitimeve të pensioneve të pleqërisë, po e quaj të mirëqenë si bazë llogaritjeje pensionin minimal, që është sot 12 024 lekë.

    Të dhënat në tabelën e mëposhtme i referohen përfituesit të pensionit të plotë të pleqërisë, që plotëson kushtet (moshën e vjetërsisë të siguruar në punë), i cili përfiton përveç pensionit minimal dhe shtesës prej 1 % për çdo vit pune të siguruar mbi pagën mesatare mujore.

    Tabela e llogaritjes së pensioneve

    Formula: Pension minimal + 1 % për çdo vit pune të siguruar mbi pagën mesatare mujore = Përfitim (pension)

    Paga mesatare mujore

    Llogaritja e pensionit të plotë të pleqërisë

    Pensioni

    bazë

    Shtesa 1% për çdo vit pune të siguruar

    Për 35 vjet Shuma në lekë Për 40 vjet Shuma në lekë Raporti pagë/pension
    22 000 12 024 7 700 19 724 8 800 20 824 94,6
    30 000 12 024 10 500 22 524 12 000 24 024 80,1
    40 000 12 024 14 000 26 024 16 000 28 024 70,0
    50 000 12 024 17 500 29 524 20 000 32 024 64,0
    60 000 12 024 21 000 33 024 24 000 36 024 60.0
    70 000 12 024 24 500 36 524 28 000 40 024 57,2
    80 000 12 024 28 000 40 240 32 000 44 024 55,0
    90 000 12 024 31 500 43 524 36 000 48 024 53,4
    100 000 12 024 35 000 47 024 40 000 52 024 52,0
    110 000 12 024 38 500 50 524 44 000 56 024 50,9
    120 000 12 024 42 000 54 024 48 000 60 024 50,0
    130 000 12 024 45 500 57 524 52 000 64 024 49,2
    140 000 12 024 49 000 61 024 56 000 68 024 48,6
    150 000 12 024 52 500 64 524 60 000 72 024 48,0

     Interpretimi i tabelës

    -llogaritja e përfitimit të pensionit, paraqitur si më sipër, bazohet në formulën bazë të përcaktuar në pikat 1, 2 dhe 3 të Nenit 32 të Ligjit në fuqi të Sigurimeve Shoqërore, ku përcaktohet se pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Pensioni bazë përfaqëson pensionin minimal, ndërsa shtesa llogaritet 1 % mbi pagën mesatare mujore për çdo vit pune të siguruar. Kjo llogaritje nuk kushtëzohet me pikën 4 të Nenit 32 që nuk lejon që shuma e llogaritur si më sipër të jetë sa dyfishi i pensionit bazë ose 75 % e pagës neto mesatare të 3 vjetëve rresht të 10 viteve të fundit të punës, cila të jetë më e vogël.

    – Sipas kësaj formule llogaritjeje, çdo pension është 6 871 lekë më shumë nga pensioni i llogaritur sipas skemës së re të prezantuar, ku si pension bazë merret pensioni social prej 5 153 lekë.

    – Pensioni i llogaritur mbi pagën mesatare minimale prej 22 000 lekë (që fillon në vitin 2015) rezulton të jetë me 35 vjet punë, 19 724 lekë dhe me 40 vjet vjetërsi 20 824 lekë ose sa 94,6 % e pagës, pension ky i arsyeshëm.

    – Pensioni me pagë mesatare mujore 30 000 lekë dhe me vjetërsi pune 40 vjet arrin shumën 24 024 lekë apo sa është pensioni maksimal, që me Ligjin në fuqi të Sigurimeve Shoqërore nuk siguron dot.

    – Me pagë mesatare mujore 50 000 lekë, me 35 vjet punë, sipas formulës që rekomandoj, pensioni rezulton 29 524 lekë ose 5 476 lekë më shumë se pensioni maksimal sot prej 24 047 lekë; ndërsa në 40 vjet punë, pensioni rezulton 32 024 lekë ose 7 975 lekë më shumë se pensioni maksimal sot.

    – Me pagë mesatare mujore 100 000 lekë dhe 40 vjet vjetërsi pune, pensioni rezulton 52 024 lekë, pra më shumë se dyfishi i pensionit maksimal sot ose 27 976 lekë më shumë. Pra, ndihet rritja e pensioneve me pagat e larta.

    – Dhe me pagën mesatare mujore 150 000 lekë e 40 vjet vjetërsi pune pensioni rezulton të jetë 72 024 lekë ose sa trefishi i pagës maksimale sot.

    Llogaritja e pensionit të pleqërisë sipas formulës së mësipërme me rritjen e vjetërsisë në punë nga 35 në 40 vjet dhe me pagesat e kontributeve në masën 21,6 % (për pensionet e pleqërisë) mbi të gjithë pagën që merr më të ardhurat mbulohen shpenzimet dhe shteti nga viti në vit lehtësohet nga subvencionet për pjesën e pensioneve të pleqërisë.

    Me përjashtim të pensionit që përfitohet nga paga mesatare mujore minimale prej 22 000 lekësh, që me kontributet nuk mbulohen plotësisht përfitimet, duke filluar nga paga 300 000 lekë, me një përfitim pensioni mesatarisht për 10 vjet (kujtojmë se mosha e daljes në pension rritet, ndërsa përfitimi në vite zvogëlohet) pagesat e kontributeve mbulojnë dhe tejkalojnë shpenzimet për pagesat e pensioneve.

    Shembulli

    30 000 lekë paga mesatare mujore

    21,6 % kontributi për pensionet e pleqërisë mbi pagën bruto

    10 vjet mesatarisht jetëgjatësia, pas daljes në pension

    Atëherë:

    30 000 * 21, 6 % = 6 480 lekë kontribut mujor

    6 480 * 12 muaj * 40 vjet =3 110 400 lekë kontributi për 40 vjet

    3 110 400 / 10 vjet = 311 040 / 12 = 25 920 lekë

    Diferenca rezulton në plus kundrejt pensionit, që do të përfitojë prej 24 024 lekë për 1 896 lekë. Kuptohet që kjo diferencë thellohet pozitivisht më shumë me pagat më të larta, duke mbuluar diferencat negative të pagave nën 30 000 lekë në muaj.

    Kuptohet që për ata persona që mbushin moshën për daljen në pension, por nuk kanë siguruar vjetërsinë në punë të siguruar, pensionin do ta marrin pension në raport të drejtë me vjetërsinë në punë.

    Ndoshta, grupi i punës që punon për reformën e pensioneve mund të gjykojë për ta patur parasysh në draftin përfundimtar diçka nga mendimet e propozimet e parashtruara më lart.