Nonda Buxhuku: Ja si mashtrohen 600 mijë shqiptarë me rritje pensioni

    408
    Që në fillim të shkrimit dua të theksoj: Nuk ka rritje pensionesh as këtë vit që po mbyllet dhe as vitin tjetër. Këto dy vitet e fundit, pensionet nuk janë rritur, vetëm janë indeksuar. Kështu, në vitin 2014, pensionet u indeksuan në masën 2 për qind, ndërsa këtë vit në masën 1.4 për qind. Efekti i këtij indeksimi për pensionet minimale, që përbëjmë rreth 60 për qind të të gjithë pensioneve, kap shumën 151 lekë të rinj. Edhe për vitin 2016 nuk është parashikuar që të rriten pensionet. Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, që i është përcjellë Kuvendit të Shqipërisë për shqyrtim e miratim, është parashikuar vetëm indeksimi i pensioneve. Pra, rritje nuk ka. Ndokush mund të thotë që indeksimi rritje është, ndofta në masë të vogël. Por, nuk është kështu. Indeksimi mban në nivel të njëjtë pensionin nominal midis dy periudhave, por nuk sjell rritje reale të tyre. Indeksimi i pensioneve është parashikuar me ligj (në ligjin e sigurimeve shoqërore) dhe qeveria e ka për detyrim ta bëjë atë çdo vit, ndërsa rritjen nuk e ka me detyrim (me ligj). Rritja e pensioneve varet, së pari, nga zhvillimi ekonomisë dhe rritja e të ardhurave në buxhet, gjithashtu varet dhe nga vullneti që ka qeveria për t’i ardhur në ndihmë kësaj shtrese të varfër të shoqërisë. Siç duket edhe ekonomia, së bashku me të ardhurat, por edhe vullneti i qeverisë, edhe pse propagandohet pozitivisht, në fakt nuk do jetë e tillë. Pra e përsëris: rritje pensionesh nuk ka. Ka vetëm indeksim të tyre. Por çfarë më shtyn që të bëj këtë shkrim, ku pensionistët mund të ngelen të zhgënjyer? Ka disa ditë me radhë që organet e përditshme të shtypit, botojnë me shkronja të mëdha, në faqen e parë, mbi mënyrën e llogaritjeve të pensioneve të pleqërisë, duke dhënë me pasqyra, koeficientet që duhen për korrektimin e pagave gjatë viteve të ndara para dhe pas 1994, ka pasqyra mbi pagat referuese për punë deri në vitin 1993, që duhen për llogaritjen e pagës mesatare mujore, për llogaritjen e pensioneve. Ka edhe pasqyra që tregojnë moshën dhe vjetërsinë në punë ndër vite, që duhen për daljen në pension, veç për burrat dhe veç për gratë. Të gjitha këto të dhëna dhe shpjegimet që bëhen, vlejnë vetëm për ata persona që dalin tani e në vazhdim (ka filluar qysh me 1.01.2015) dhe jo për të gjithë ata që kanë dalë në pension deri me 31.12.2014. Pra, të gjitha çka pasqyrohen në faqet e ndryshme të gazetave dhe shpjegimet që bëhen, nuk kanë të bëjnë me ndonjë rillogaritje të re të pensioneve apo të ndonjë përfitimi (rritje të pensioneve), për personat që kanë aplikuar deri në fund të vitit të kaluar. Pensionistët, duke parë çdo ditë botime të kësaj natyre nëpër gazeta, shpresojnë për ndonjë rritje, prandaj shkojnë e blejnë gazetat, por dalin të paqartë, bisedojnë gjatë me njëri-tjetrin dhe në fund dalin të zhgënjyer. Por edhe organe të ndryshme të shtypit, jo pa qëllim i botojnë e i ribotojnë këto ndryshime, që iu bën vitin e kaluar ligjit të sigurimeve shoqërore, veçanërisht për pensionet. Unë shoh këtu edhe një farë komerçializmi. Pensionistët janë mbi 600 mijë veta dhe kurioziteti për ndonjë shtesë në pensione, i nxit për të blerë gazetën. Pra, ka qenë kjo arsyeja që më nxit të bëj këtë shkrim. Pra të sqaroj kolegët e mi pensionistë, të rrinë të qetë, të bëjnë mirë llogaritë me aq sa marrin, se rritje pensionesh nuk ka. Kjo, natyrisht me keqardhje. 
    Sigal