Njihen pensionet e emigrantëve Shqipëria marrëveshje me Çekinë

    384
    Përfundoi në Pragë raundi i tretë i takimit të ekspertëve shqiptarë dhe çekë për finalizimin e detajeve teknike të marrëveshjeve mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes sociale, për pensionet dhe sigurimet shëndetësore.Sipas njoftimit zyrtar të MPJ-së, në ditën e tretë e të fundit, kryetarët e të dy delegacioneve, Itena Ndroqi, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe Jiři Bauer, nënshkruan protokollin e takimit që finalizon draft-marrëveshjet në fushën e pensioneve dhe sigurimeve shëndetësore mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Çeke.
    Negociatat u ndoqën nga Ambasadori i Shqipërisë në Republikën Çeke, Riza Poda dhe këshilltari i Ambasadës, Lulzim Çota, të cilët i kishin paraprirë këtij raundi me takime në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Republikën Çeke.
    Marrëveshja për pensionet, pas ratifikimit nga parlamentet respektive, do t’u mundësojë shtetasve shqiptare dhe çekë , që kanë punuar në të dy vendet, mbrojje sociale pavarësisht se ku jetojnë, apo do të jetojnë në të ardhmen. Gjithashtu marrëveshja në fushën e sigurimeve shëndetësore do t’u sigurojë trajtim të barabartë shëndetësor personave të siguruar, pavarësisht se në secilin nga të dy shtetet ata u nënshtrohen trajtimit shëndetësor të nevojshëm.
    Bayer dhe znj. Ndroqi vlerësuan se të dy delegacionit kanë bërë një punë intensive dhe të dobishme, duke finalizuar një marrëveshje në shërbim të mbrojtjes sociale të qytetarëve të vendeve të tyre respektive, për sot dhe për të ardhmen.
    Pas nëshkrimit të Protokollit të takimit, Ambasadori, z. Riza Poda pritet të takohet me Ministren e Punës dhe Çështjeve Sociale, Marksova dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Republikës Çeke, për të eksploruar hapësira të tjera bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes sociale, për shkëmbim përvojash, si dhe shkëmbimin e vizitave mes institucioneve respektive dhe ministrave që mbulojnë fushat e mbrojtjes sociale.
    (Marrë nga ATSH)  
    Sigal