Njeriu që ka studiuar në “auditorët” e profesioneve

    385
    Sigal

    Mjeshtri 70-të vjeçar që kryen të gjitha llojet e profesioneve, marangoz, gurë skalitës, hidraulik, xhenerik etj., pa studiuar për to

    Haxhi Liçollari nuk ka mbaruar ndonjë shkollë profesionale, por zotërimi nga ana e tij i disa profesioneve me një mjeshtëri të rrallë duket sikur ai ka studiuar në “auditorët” e profesioneve, dhe në Skrapar i thonë “mjeshtër duar artë”. Nuk më rrihej pa e takuar, i ndriti fytyra nga ajo buzëqeshje e ëmbël ku mund të dalloje vetëm mirësi e dashuri. Një burrë me shtat mesatar, fytyrë zeshkan, flokë zinj që kanë filluar ti zbardhen nga vitet që mban  në shpinë dhe me mendje të mprehtë. Ka mbi 40 vjet që zotëron disa profesione, si: marangoz, gurë skalitës, hidraulik, xhenerik etj.. Pra, siç thotë populli “Ç’i sheh syri ia bën dora”. Studioja e punës së tij, ngritur pranë shtëpisë së tij private është e thjeshtë, pa pajisje moderne por me famë të madhe për shërbimet që ai kryen. Dhe ato kanë vetëm një emër, emrin e Haxhi Liçollarit. Në Skrapar, për problemet që hasin në vështirësi qytetaret, dëgjohet dendur pyetja: A ke shkuar te Haxhiu? Vetëm ai ia njeh të fshehtat zanatit. Ai tashmë ka hyrë në memorien e bashkëqytetarëve të tij. Ai kalon rrugës nëpër qytetin e Çorovodës dhe të gjithë e shohin, ndalin hapat, i flasin, e respektojnë, sepse respektojnë punën e tij, shpirtin e tij prej artisti. Haxhiu ka ardhur përmes vorbullave të jetës, vështirësive të saj, vjen nga një fis i varfër por i njohur për mirë, fise fisnike, dhe “varfëria nuk e dobëson fisnikërinë por e pasuron”. Haxhiu falë zgjuarsisë dhe profesionalizmit të tij i është përgjigjur situatave të jetës. Sot marangoz, nesër xhenerik, pasnesër hidraulik, gurë skalitës e etj. Duke mësuar nga jeta vuajtjet, sakrificat dhe përvoja e tij i dha rëndësi profesionalizmit të dy djemve. Me kujdesin e tij dhe me vullnetin e djemve Vermoshit dhe Valmirit të cilët u bënë marangozë të shkëlqyer ku sot zotërojnë linjën e mirënjohur që prodhon kade e vazo me diametër të ndryshëm dhe me dru lisi ku për nga cilësia kanë çarë edhe tregjet evropiane me të cilat ambalazhohet vera dhe rakia. Haxhiu thotë: “Rruga e shtruar me lule, kurrë nuk të çon tek lëndina”. Dhe Haxhiu është një portret i vërtetë prej artisti, një profesionist me autoritet të veçantë, e kësisoj kaluan mjaft vite e në çdo njërin prej tyre mbeti diku një shtëpi e ndërtuar bukur, një portë e ndërtuar me qemer guri, një vazo vere që qëndron nëpër banakët e lokaleve apo edhe në ambiente familjare, dhe kudo duket dora e tij, shpirti i tij krijues. Kështu që Haxhi Liçollari, ky profesor i profesioneve jep leksione se, në këtë botë paska edhe mjeshtër të tillë që i zbulojnë të fshehtat zanatit.

    SEFEDIN METHOXHA