Njerëzit s’kanë as 80 lekë që të blejnë vitaminën C, i marrin ilaçet me listë

    85
    Kriza e thellë ekonomike që ka pllakosur qytetarët në Elbasan, veç pikave të shumicës ku qindra familje marrin ushqime me listë, tani po u shtohen edhe qindra familje të tjera që po marrin edhe ilaçet me listë në farmacitë e qytetit. Dëshmia tronditëse vjen nga një farmaciste në këtë qytet, që tregon se “edhe vitaminat C tablet, që kushtojnë vetëm 80 lekë të reja, ose refuzohen ose merren me listë dhe paratë i sjellin kur marrin asistencën ose pensionet”. Duke folur për “Telegraf” farmacistja nga Elbasani me emrin Fatmira thotë se “prej 22 vitesh kam farmaci në qendër të qytetit, por si ka ndodhur muajt e fundit nuk ka ngjarë asnjëherë. Vijnë së fundi me receta dhe refuzojnë të marrin 100 % të ilaçeve, pasi nuk kanë para, por më tragjikja është kur thonë se “nuk kemi 80 lekë të reja për vitaminën C, hiqe nga receta”. Fatmira tregon se “ka disa muaj që jo vetëm të papunët, jo vetëm ata që marrin asistencë për të jetuar, por edhe pensionistët, vijnë dhe marrin ilaçet me listë, pasi ata shprehen se “ilaçet që marrin me librin e shëndetit dhe që janë të rimbursueshme, nuk u bëjnë efektin e duhur, ose janë të skaduara”. Fakti është se, kriza e thellë që ka mbërthyer vendin, ka rrënuar qindra e mijëra familje në qytetin e Elbasanit, dhe kjo duket tek shikon çdo ditë hallexhinj tek ulen bërdurave dhe trotuareve, apo tek dergjen në institucionet e shtetit me shpresën për të gjetur ndonjë vend pune qoftë edhe sezonal. Rritja e varfërisë ka prekur në 2 vitet e fundit pothuajse edhe shtresat e mesme të popullatës. Elbasani mbetet sërish qyteti me probleme të shumta, që akoma nuk kanë shansin të marrin zgjidhje, si papunësia e cila po gërryen ekonomikisht dhe po fundos qindra e mijëra familje. Ajo ç’ka po ndodh me shtresat e varfëra në Elbasan, tek stepen të marrin edhe vitaminat në recetat e tyre të ilaçeve , tregon se gjithçka ka marrë tatëpjetën. Dëshmia e farmacistes, dhe fletorja e saj e mbushur me emra hallexhinjsh që kanë disa muaj që marrin edhe paracetamolin dhe vitaminat tashmë me listë, tregon se situata po agravon për keq. Në ambulancat dhe qendrat shëndetsore, në spitale dhe klinika private, njerëzit pasi vizitohen , pyesin dhe japin porosi mjekut “të mos u jape ilaçe të shtrenjta”. Kjo gjë po ndodh edhe me të sëmurët kronikë, por duke mos përjashtuar edhe nënat kur vizitojnë fëmijët e tyre të sëmurë. Gjithçka në treg është shtrenjtuar, por më kryesorja ushqimet dhe ilaçet, dhe kjo ka vështirësuar dhe bërë madje të pamundur jetesën e qindra mijëra familjeve në Elbasan. Vetëm duke qëndruar pak minuta në farmacinë e Fatmirës, u bëmë dëshmitarë të asaj ç’ka ndodh çdo ditë me hallexhinjtë kur vijnë të marrin ilaçet. Pothuajse të gjithë pyesnin për çmimet e ilaçeve të recetës, pastaj pyesnin sërish për ti konvertuar ato me ilaçe më të lira pasi nuk kishin t’i paguanin. Por shpesh farmaciste Fatmira tregohej edhe bujare, pasi u shënonte emrin në listë dhe nuk u linte afate për t’i paguar. Ajo u shpreh se “pavarësisht se nuk kanë lekë, hallexhinjtë janë më korrektët, sapo marrin asistencën apo ndihmën ekonomike, vijnë dhe paguajnë një pjesë të borxhit dhe kjo është e dhimbshme, tek i shikon ashtu të veshur keq dhe të paushqyer”. Kjo shtresë më shumë se kurrë ka nevojë për ndihmën e shtetit, për kujdesin e institucioneve të shëndetit, për tu krijuar mundësinë të paktën të shërohen me ilaçe pa listë, por duket se kjo zgjidhje është e pamundur, nga ata që premtuan “shëndetsinë falas”.