Njerëzit po japin shpirt, Ministri Beqja krihet

    570
    Kineasti Abaz Hoxha në një letër të dërguar në redaksinë e Gazetës “Telegraf” drejtuar ministrit të shëndetësisë Ilir Beja, ka renditur problematikat dhe shqetësimet që hasin pacientët çdo ditë nëse kanë probleme shëndetësore. Hoxha i bën thirrje ministrit Beqja që të lënë propagandën dhe ti shërbej popullit, pasi sistemi i shëndetësisë në vendin tonë është i shoqëruar nga korrupsioni dhe mungesa e ofrimit të shërbimeve më minimale. Në letër është trajtuar mungesa e medikamenteve, aparaturave në zonat më të populluara të Tiranës, si dhe mungesa e mjekëve specialist në ambulancat e Kryeqytetit. Po ju dërgoj një shqetësim për Ministrinë e Shëndetësisë që nuk është vetëm shqetësimi im por i qindra qytetarëve dhe sidomos pensionistëve.
    Ministrit të shëndetësisë zotit Beqja
    Zoti Ministër ! Lëreni propagandën, bujën e reklamën. Lërini pallavrat se çdo gjë e keni filluar nga zero. Jeni zgjedhur për ti shërbyer popullit dhe jo të na ushqeni me pallavra. Mos harroni se drejtoni një nga ministritë me problematike të vendit, që ka problem të mëdha dhe të shumanshme që kanë të bëjnë me jetën e popullit që ju ka dhënë votën. U ngopëm me akuzat tuaja se për çdo gjë na e paska fajin Berisha. Ju vazhdoni me një frazeologji sikur të jeni në opozitë dhe harroni se jeni në pushtet dhe votat ju janë dhënë për t’i shërbyer popullit, për të korrigjuar shumë gjëra që sipas jush na i paskan fajin të tjerët. Keni dy vjet që po na tregoni se keni marrë një milion vota. Këto vota ju janë dhënë për ta shpënë çdo gjë përpara. Mos harroni se Ministrinë e Shëndetësisë që ju drejtoni sot e kanë drejtuar për 13 vjet partia juaj dhe aleatët tuaj të sotëm që po na bilbiosin nëpër mitingje dhe në parlament, dhe nuk po u hyn asnjë gjemb në këmbë. Mos harroni se ai që është sot numri dy i aleatëve tuaj edhe në qeverinë Berisha e ka drejtuar atë ministri. Atë ministri, sikurse edhe Ministrinë tjetër më të rëndësishme të Ekonomisë, energjetikës dhe privatizimit për të cilën ka me shumë vërejtje në shtyp i kanë drejtuar ata që edhe sot janë në kabinetet tuaja duke përfshirë edhe kryetarin e tyre sot kryetar parlamenti. Nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë, asnjë akuzë për ata që sot i keni aleatët më të fuqishëm. Por le të hidhemi tek disa fakte konkrete nga përvoja personale.
    Ambulanca në Tiranën e Re prej më shumë se 50 vjetësh ka mbetur në një apartament
    Jam banor i Njësisë administrative Nr.5, që quhet edhe Tirana e Re. Kjo njësi ka popullsinë më të madhe në Tiranës dhe pothuajse sa Fieri që është qyteti i tretë në Shqipëri. Në këtë njësi keni banuar edhe ju, ndonëse si një familje e privilegjuar keni banuar në apartamentet më luksoze të kryeqytetit të ndërtuara nga italianët ( Pallatet e Aviacionit, të vjetrat). E njihni ambulancën tonë. Ajo prej më shumë se 50 vjetësh ka mbetur në një apartament, dhe me ndonjë zbukurim të jashtëm, korridore e dyer të sponsorizuara, është po ajo e 50 vjetëve më parë ku nuk jepet asnjë shërbim i specializuar dhe pensionistët duhet të bredhin qoshe më qoshe të Tiranës me ditë të tëra dhe nëpër radhët sfilitëse. Dikur kishte dhe një repart të radiografisë dhe radioskopisë të vendosur në një qoshe midis plehrave që sot nuk ekziston fare, ndonëse edhe më parë punonte me filma të skaduar. Dikur në të njëjtin apartament ishte edhe një klinike dentare që ka 25 vjet që është zhdukur, aty bëheshin edhe protezat. Është skandaloz fakti që në gjithë kryeqytetin që përbën rreth një të tretën e popullsisë të vendit nuk ka aparate ekzaminimi për fibrogastroenteroskopi, fibrokolonografi, biles as edhe një aparat të okulistikës.
    Spital nuk kanë aparat, kur në çdo qoshe të Tiranës ka klinika private të specializuara për çdo analizë
    Po ju flas nga përvoja ime. Një vit më parë shkova për të kontrolluar sytë, të paktën të më përcaktonin numrin e syzeve. Mjekja më tha se nuk kemi aparate, bile edhe ky aparat që përdor për kontroll është personal. Po kështu aparat për fibrocolonografi dhe duhet të shkosh në spitalin Nënë Tereza ku bëhet çdo analizë me planifikim dhe ky planifikim të vjen mbas disa javëve dhe nganjëherë edhe me muaj duke pritur nëpër radhët sfilitëse. Me ra te fiket kur shkova për analize mbasi duhet te pija para ndërhyrjes rreth tre litra solucion për pastrimin e zorrëve që më ngritën shume tensionin dhe u rrezova shkalleve. Po kështu kam shkuar ( jo në ambulancën tonë se nuk ka specialist) në repartin e Neurologjisë ku përpara derës së mjekes në Ambulancën në rrugën e Kavajës është tmerr se grumbullohen me dhjetëra vetë dhe nuk ka vend ku të ulesh duke pritur me orë. Shkova para disa ditëve për kontroll për shqetësimet që kisha nga stomaku dhe abdominale. Më thanë se duhet të bëhet kontrolli në Spital se ata nuk kanë aparat, kur në çdo qoshe të Tiranës ka klinika private të specializuara për çdo analizë. Por dihet se për të bërë një kontroll të stomakut tek privatët duhet të paguash gati dy te tretat e pensionit mujor të një pensionisti. Sigurisht që duke e përqendruar gjithë analizat me aparatura të posaçme në Tiranë do vijnë paciente edhe nga rrethet dhe do shtohen radhët e pritjes përveç shpenzimeve dhe mundimeve të pensionistëve që përveç moshës janë edhe me komplikacione sëmundjesh. 
    Pensionistet nuk mjekohen, në ambulancat e Kryeqytetit nuk ka receta
    Më skandaloz është fakti se ka 4 ditë që pensionistët nuk mjekohen se ambulanca jonë nuk ka receta ( ndoshta kjo gjendje është për të gjithë Tiranën) dhe nuk mund të tërheqësh medikamentet për të cilat ke nevojë çdo ditë. Kjo gjendje është në kryeqytet, si mund të mendosh se shëndetësia është në gjendje më të mirë në Pukë, Tepelenë, Mallakastër, Burrel etj. Dhe e dini se këto zona ju kanë dhënë më shumë vota që ju nuk i përfillni pasi u keni marrë votat. Nuk po flas për problemet e tjera të mëdha të shëndetësisë që janë trajtuar dhe po trajtohen pa ndërprerje në shtyp dhe parlament siç është korrupsion galopant i farmacive për të cilat nuk po i hyn asnjë gjemb në këmbë drejtuesve të institucioneve shëndetësore duke përfshirë edhe të postit tuaj. Për çfarë lufte kundër korrupsionit flisni kur të korruptuarit bredhin dhe na bëjnë karshillëk duke na thënë se nuk keni se ç’ na bëni, flisni kot se ne kemi pushtetin dhe bëjmë si të duam. Edhe një herë po e përsëris, i lini akuzat për të tjerët, sa do vazhdoni me këto akuza kur partia juaj edhe aleatët tuaj e kanë drejtuar shëndetësinë për 13 vjet (7 vjet nën kryesinë e Nanos, 4 vjet në qeverinë Berisha dhe dy vjet sot që drejton Edi Rama). Ne presim nga ju të rregullohen dhe të përmirësohet gjendja dhe jo propagandë e heroizma se boll jemi ngopur me to.
    Sigal