Një vjetori i ndarjes nga jeta e gazetarit Agron Çobani

    725
    Sigal

    Flasin Kreshnik Tartari, Anila Çobani, Nasi Lera, Ilir Begaj dhe Fadil Kepi

     Gazetari që shënoi fillimet e gazetarisë së kronikës

    U bë një vit që ai ka ndërruar jetë. Një vit që ai s’është mes shokëve. Por, sipas tyre, ai ndihet gjithmonë i pranishëm, me shakatë e tij, me dijet e tij, me ato çka ka lënë  pas për shoqërinë. Miqtë e tij mendojnë ende se ai është diku me shërbim, diku për të mbledhur materiale, për t’i hedhur në fletoret e shumta të shënimeve që ai ka lënë. Ata e harrojnë, pasi shpesh herë përsërisin batutat e tij, shpeshherë lexojnë pjesë nga libri i tij “Ju flet Tirana”. Tek ai libër gjendet pjesë nga jeta e tyre, por tek ai libër gjendet dhe një mesazh për gjithë gazetarët e rinj shqiptarë.  Atë e kujtojnë, për dijet, shakatë, ironinë, buzëqeshjen, organizimet e veçanta, mënyrën se si i kalonte vështirësitë. Për familjen, miqtë e të afërmit, ai mbetet një prind shembullor, një shok i sinqertë, një intelektual i veçantë, një shakaxhi me shije, por mbi të gjitha ai shquhej si njeri i batutës. Me tërë këto cilësi, të afërmit dhe miqtë e kujtojnë çdo ditë, ndaj ata mendojnë se ai është diku aty, rrugës në ardhje për të qenë mes tyre.

      E mbesa e tij Anila Çobani (E mbesa, vajza e vëllait të madh)

    Xhaxhi Goni, siç i thërrisja unë ishte nga njerëzit e familjes sime , që aq sa humor kishte aq autoritar ishte! Kishte një shikim që të imponohej dhe të impononte një lloj frike për të qenë perfekt në gjithçka! Unë fëmijërinë e kam kaluar me ‘të se ishim në një shtëpi (babai im ishte djali i madh i familjes që u martua i pari) kështu që, ai ishte ende i ri dhe nuk kishte krijuar ende familjen e tij e tij. Unë isha mbesa e parë.

    Më kujtohet si tani, kur ka ardhur nga ditët e kronikave, kur Enver  Hoxha ishte në Lukovë ! Mbaj mend si hyri në shtëpi me magnetofonin karakteristik me mikrofon anash dhe që shpesh dhe unë regjistroja zërin!

    Mbaj mend një udhëtim të bukur dhe ditët që kaluam në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës… Unë atëherë isha 6 vjeç (tani 46) dhe ende e kam në mendje zërin karakteristik dhe përshkrimin që mrekullisht ju bënte grupeve artistike. Mbaj mend që shihte me vëmendje çdo detaj anash skenës dhe kur shprehte me zë ndonjë vërejtje, kur kuptonte ndonjë gabim të vogël të spikeres që tani s’e mbaj mend kush ishte.

    Ah! Më duket Flutura Cangu, mos gaboj.

    Të paharrueshme janë netët e Vitit të Ri, kur ishte zakon që e festonim të gjithë së bashku dhe Goni përveç se ishte organizatori i këtyre bashkimeve familjare, por mbante me humor dhe tregime familjare gjithë natën deri në mëngjes.

    Ai iku shumë dhimbshëm, ashtu i heshtur pa asnjë fjalë, por disa ditë para, me mençurinë e tij që nuk shteroi dhe në momentet e fundit na la vërtet një amanet, të ruanim dashurinë me njëri- tjetrin ashtu siç u deshën dhe ata 4 vëllezër dhe 2 motra. Po kështu të duheshim dhe ne fëmijët e tyre! Vetëm kaq.

      Kreshnik Tartari, trajner

    Kur jeni njohur me Agronin?

    Banonim në një lagje, në Tiranën e Re, ai përballë Stadiumit Dinamo, unë pas Institutit të Arteve. Në moshën e 7-vjeçares, njiheshim, por nuk kishim shoqëri. Në vitin 1958, filluam bashkë vitin e parë të gjimnazit, në shkollën e mesme “Kosova”, në Rrugën e Elbasanit. E kujtoj të urtë, disi të ndrojtur, fliste pak, vishej me kujdes, i sjellshëm me të gjithë, i zgjuar dhe hazërxhevap. Një vit më vonë, Agroni po i njëjti, por filloi të dallohej për batutat gazmore të moshës si dhe për këmbënguljen për ta fituar këtë garë. Studionte pak, por ishte nxënës i mirë. I pëlqente letërsia, gramatika, sintaksa. Shkruante dhe fliste bukur dhe ishte më i miri në hartimet e letërsisë. Madje, bënte disa hartime dhe për ne të tjerët. Në vitin e tretë u transferuam në “Petro Nini Luarasi” dhe Agroni aty shpërtheu, ashtu papritur. U bë më i këndshmi i çunave, më autoritari midis tyre, më i preferuari i vajzave, jo fort i pëlqyer nga mësuesit meshkuj, por i lezetshëm për mësueset femra. Në këtë vit unë u lidha shumë me të dhe u njohëm mirë me familjet e njëri -tjetrit. Ishte pikërisht ky vit, pra 1959-‘60, që Agroni iu qep librit. Lexonte shumë. Mbaj mend se, lexonte çdo gjë që i dilte përpara. Filloi të frekuentonte rregullisht shfaqjet në Teatrin Kombëtar dhe jetën koncentrale të kohës. Kinemanë po e po. Mësoi çuditshëm të kërcente shumë bukur. Madje, më mirë se të gjithë djemtë e klasës. Ndiqte sportin në përgjithësi dhe i pëlqente të luante basketboll. Filloi të pispillosej, të ndiqte modën, zgjati flokët e verdha dhe me onde, zgjidhte damat në mbrëmjet e vallëzimit, filloi të kërcejë me zyshat e shkollës dhe fliste, fliste shumë e për çdo gjë dhe gjithë lezet.

    Nuk di se si, por u bë shoku im më i ngushtë dhe i gruas time, gjithashtu. Besoj se dhe unë për të kam qenë i tillë gjithashtu.

     Ku takoheshit dhe rrinit së bashku?

     Takoheshim, çdo mbasdite tek Parku Rinia përballë hotel “Dajtit”, në dy stola që të gjithë i dinin tonat dhe nuk i zinin, së bashku me shokët e tjerë të klasës.

     Çfarë bisedonit?

    Bisedonim për qyfyret e paradites në shkollë dhe gallatat pafund, sidomos, me xhiron e famshme në bulevard.

     Kush ishte shoqëria juaj?

    Shoqet dhe shokët e klasës deri në maturë. Më pas vazhduan Bashkim Thanasi dhe unë që nga gjimnazi, u fut Melsi i vëllai dhe erdhën të “famshmit”, Alfons Gurashi, Enver Muça, Albert Shala, Kiço Blushi, Lenka Bungo, Limoz Dizdari, Nasi Lera, Betim Muço. Mbase mund të kemi vajtur neve tek të “famshmit”, por për hir të së vërtetës, Agroni ishte shkuesi i një shoqërie të nisur në mesin e viteve 1965 dhe të vazhduar deri më sot. Një shoqëri e jashtëzakonshme, e mrekullueshme, familjare, serioze dhe bëma të pafundme…të cilat Agroni në vitin e fundit na thoshte: “Prisni , prisni, kam në dorë librin për ju të gjithë, nuk do lë gjë pa vënë…”.

    A nxehej Agroni?

    Seriozisht shumë rrallë. Por keq ama.

      Cilat ishin veset e tij?

     Në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, asnjë. Huqe sa të duash. Por të gjitha… gjithë lezet ama. Edhe këtu ishte kampion.

    A jeni grindur?

    Rrallë, për budallallëqe. Agronit i ikte menjëherë të parit inati.

    Në sistemin e komunizmit, cilat ishin temat e bisedës që diskutonit?

     Në shoqërinë tonë, përveç meje dhe dy të tjerëve, të gjithë të tjerët ishin me teserë partie. Mund t’ju duket e pabesueshme, por komunistët e grupit, çfarë nuk nxirrnin nga goja. Për humor, natyrisht dhe jo për dizidentizëm…

     Si u ndje kur e hoqën nga TVSH?

    Në atë kohë, unë, Enver Muça dhe Agroni, u degdisën në të njëjtën kohë. Ç’është e vërteta, Agroni më keq se ne, shumë më keq, sepse u linçua dhunshëm,  edhe i vëllai Melsi dhe e gjithë familja Çobani të gjithë njerëz të ndershëm dhe të nderuar. I kam njohur mirë dhe për mua dhe familjen time, kanë qenë si njerëzit tanë më të afërt. Agroni u mërzit shumë, por nuk u dorëzua. Punoi së bashku me Melsin pa u ankuar, por nuk u ligështuan asnjëherë. Eh, të gjitha u kalokan, por ikjes para kohe nuk ju gjendka dermani! Unë dhe ime shoqe, humbëm njeriun më të afërm të zemrës, përveç njerëzve të afërm të familjes. Humbëm mikun më të mirë.

    Cilat ishin hobet e tij?

    Pëlqente çdo gjë të bukur dhe me vlerë. Por n.q.s do të themi hob – dhe mua më pëlqen ta klasifikoj kështu këtë që do them -, i pëlqente pamasë të ishte i “pari” i shoqërisë. Dhe në fakt këtë garë për të qenë i “madhi”, e fitoi me meritë. Derisa iku, qëndroi në krye të vendit…

    Nasi Lera, shkrimtar, skenarist

     Me Agron Çobanin jam njohur në fund të viteve 1960, dhe pikërisht në fund të vitit 1960, kur unë fillova punë në Radio- Tirana.  Unë punoja në Redaksinë e Kulturës ndërsa Agroni në Redaksinë e Informacionit. Që në fillim ne patëm  një komunikim tepër të ngrohtë me njëri -tjetrin që nuk më kishte ndodhur më parë. Shpesh herë kam vrarë mendjen se ku e kishte burimin ky komunikim i veçantë sa i sinqertë po aq dhe pasionant. Unë mund të them vetëm këtë që ne organizonim në radio shumë diskutime sidomos, të martave për tema të ndryshme profesionale. Ne donim që Radio -Tirana  të bëhej sa me komunikuese me dëgjuesit e saj. Mos harroni se ajo ishte mjeti informativ më masiv, më i dëgjueshmi dhe më i shtriri brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ne punonim që ajo të bëhej zëri i çdo njeriu dhe për këtë,  përpiqeshim që jo vetëm bashkëpunëtorët t’i gjenim cilësorë, por kur bisedonim me njerëz të zakonshëm të flisnin në mënyrë sa më të çiltër. Unë kisha një fushë më specifike siç ishte teatri në mikrofon, që dëgjohej jashtëzakonisht shumë. Agroni ishte më në kontakt me njerëzit jashtë, pasi shkonte kudo në Shqipëri dhe më shtynte për çdo gjë. Me kalimin e viteve pasioni i shoqërisë nuk u venit, por u rrit më shumë. Ky pasion  na mbajti gjithnjë të rinj në lidhjet tona dhe në punën tonë.  Sot  nuk dua ta besoj që Agroni nuk është më, sepse jo vetëm si mik nuk mund ta pranoj vdekjen e tij, por s’e

    besoj se Agronin e përfytyroj gjithmonë të gjallë, gjithmonë në humor, gjithmonë në lëvizje, gjithmonë artdashës. Agroni e donte shumë teatrin, letërsinë. Në gjithë krijimtarinë time, librat e parë që shpërndaja ja jepja Agronit dhe prisja me shqetësim se çfarë mendimi do të kishte, pasi ai ishte shumë skrupuloz, me shije, por mbi të gjitha kishte shumë nuhatje. Unë besoja shumë tek  ai ndjenjën e së vërtetës dhe të mos të bërit qejfin kot. Ai atë që ndjente ta thoshte hapur, troç, pa asnjë mëdyshje. Krijuesit për këtë fjalë troç kanë shumë nevojë. Ne duhet të marrim në vlerësim fjalën e profesionistit që është me zemër dhe pa hile, pasi për fat të keq, shpeshherë dëgjon të të thonë se e lexova librin, më pëlqeu shumë, kur në fakt ndjen se as e ka hapur fare. Muajin e fundit të jetës, kur ai zuri shtratin pamë se luftonte me veten, me qetësi absolute. Na priste me buzagaz, duke na treguar se mbahem. Kënaqej kur mblidheshim shaka rreth shtratit të tij dhe pse kishim dhimbje. Mua më duket se nuk ka vdekur,  por është diku, në lëvizje, me punë, diku jashtë Tiranës që patjetër një ditë unë do ta takoj.

     Mendimi për librin “Ju flet Tirana”

    Unë kam qenë redaktor i këtij libri. Ai është një libër që kushdo që të përpiqet që të njohë historinë e RTSH, ka s’e çkujton dhe e merr aty të plotë. Kushdo që do të njohë me detaje këtë histori pra të RTSH-së, do të ketë  materialin bazë që mund ta ketë si trase të gatshme. Ky libër lexohet me shumë kënaqësi dhe kjo për vetë natyrën se si e ka ndërtuar Agroni. Aty ka humor, ndërthuret tragjikja e jetës së vet, ndërthuret grotesku i vet emisioneve, por ndërthuret dhe serioziteti dhe përkushtimi, i gazetarit. Mua më duket se është një libër që lexohet me një frymë, me shumë kënaqësi dhe që do t’u shërbejë shumë dhe gazetarëve të rinj.

     Pse nuk ju kushtua letërsisë?

    Agroni mund të bëhej një tregimtar dhe romancier shumë i zoti. Nga shumë shokët e mi ai ishte intelektuali më me përvojë, që kishte takuar të gjitha sferat e shoqërisë. Ai njihte të gjithë politikanët dhe ministrat, por dhe punëtorin. Ai dinte të kapte thelbin e çdo gjëje. Ai nuk shkroi për qindra arsye, por ajo që e pengoi ishte se ai u dha shumë pas punëve drejtuese. Punoi një kohë të gjatë si drejtor. Por ai u vra shumë, kur punoi mbi shtatë vjet si mësues në fshatin Kras të Matit. Nuk e di pse nuk shkroi për këtë fshat.  Por ndoshta ai mendoi se duhej të shkruante vetëm një libër, një libër ku duhej të ishte jeta e tij dhe jeta e institucionit, ku ai kaloi periudhën më të gjatë të jetës. Ne ishim dhe kemi mbetur 10 shokë që takoheshim çdo mbrëmje dhe tashmë që ishim në pension takoheshim dhe në mëngjes. Kur punonim në radio në orën 14:00, ne takoheshim dhe shkonim në palestrën e Qytetit Studenti, ku luanim basketboll. Shpërthimi në sport atë e bënte më vital. Për shoqërinë e tij unë nuk dua të përmend emra.

    Pasi ai kishte shumë shok kudo në jetë. Shokët e tij ishin aq shumë, sa gazeta juaj po t’i përmendë do të mbushte një faqe me emra.

    Ilir Begaj, regjisor

     Për persona me vlera të mëdha, në profesionin e bukur të gazetarit, si Agron Çobani, një figurë unike në institucionin e RTSH-së, është vështirë të flasësh shkurt, pasi ai ishte një profesionist i zoti, njohës i të gjitha profesioneve dhe teknikave, si të radios dhe të televizionit, por mbi të gjitha ishte njeri, njeri i mençur dhe shok i mirë. Agroni ishte i gjithanshëm, falë njohurive dhe intuitës. Si në shoqëri dhe në zyrë (pasi shumë vjet ka qenë edhe në poste drejtuese të institucionit, të Radios, Televizionit dhe të RTSH-së), ai ishte shumë komunikues, duke i krijuar lehtësi bashkëbiseduesit për t’u shprehur lirshëm dhe shkurt. Karakteristike e tij ishte humori. Humori i hollë dhe shpotitës. Në mes shokësh ishte i dëshiruar. Ata që e kanë njohur, shikonin tek ai njeriun optimist dhe tepër prefekt. Në atë çka bënte ishte rigoroz dhe kurrë nuk e bënte punën për punë. Atë çka ai bënte ngelej dhe nuk mund të korrigjohej. Ishte tepër ekzigjent në punë. Kur bisedoje me të kishte ç’të mësoje, pasi e donte librin dhe ecte me kohën. Kurrsesi nuk mund ta shihje të humbiste kohën kot. Për një periudhë të gjatë kohe ka qenë në radhët e para të gazetarëve shqiptarë.

     Fadil Kepi, ish- Drejtor i Sigurimeve Shoqërore të Tiranës

     Në vitin 1991, duke qenë Drejtor i Përgjithshëm i RTSH-ë, z. Agron më dha hapësirën e duhur kohore, për t’u shpjeguar emigrantëve shqiptarë që shkuan jashtë shtetit, kushtet që duhet të plotësonin për të përfituar pension në vendin tonë, dokumentet që duhej të përgatisnin dhe ku duheshin dorëzuar; mënyrat e tërheqjes së pensioneve, etj… Këto probleme të trajtuara çdo javë në radio dhe televizion bënë të mundur mundësinë e komunikimit direkt në radio dhe televizion me emigrantët nga vende të ndryshme të botës. Kjo bëri të mundur që në adresë të RTSH-së, të vinin shumë letra dhe të bëheshin shumë telefonata në emisione direkte, ku ata merrnin përgjigjen e duhur, për problemet që kishin. Agron Çobani dhe Alfons Gurashi kanë qenë të parët që më kanë intervistuar për problemet e pensioneve në RTSH dhe ku në sajë të tyre unë kam dhënë përgjigje në mbi 2 mijë emisione direkte, me gazetarin e mirënjohur Pirro Ruvina.

    Agron Çobani është lindur në Nepravishtë të Gjirokastrës, në shtator të vitit 1942. Ka kryer studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi Shqipe, si dhe Fakultetin e Gazetarisë. Menjëherë pas diplomimit, nis punë në Radio -Tirana e më pas në Radiotelevizion, për të mos u shkëputur prej tij për dekada të tëra, me përjashtim të periudhës 19821991, kur e larguan prej andej. Në këtë institucion i ka kryer të gjitha profesionet, duke filluar nga gazetar në redaksinë e informacionit e deri te Drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së. Për sa kohë ka qenë gazetar, por edhe në periudhën e posteve drejtuese, ka lëvruar të gjitha gjinitë e publicistikës radiotelevizive, që nga lajmi e kronika, telereportazhi, dokumentari e radiodrama. Për një periudhë të gjatë kohe ka qenë në radhët e para të gazetarëve shqiptarë. Kontribut të rëndësishëm ka dhënë në drejtimin e Institucionit Mediatik, në organizimin dhe zhvillimin e tij në vite, në përgatitjen e gazetarëve të rinj. Në institucionin e Radio televizionit shqiptar, ai ka kryer të gjitha zhanret, duke filluar nga gazetar në redaksinë e informacionit, e deri te drejtor i përgjithshëm i RTSH-së.

    Mbi librin “Ju flet Tirana”

     Ky libër është një pjesë e historisë së Radiotelevizionit Shqiptar. Në ‘të përmblidhen kujtime të autorit dhe personazhe të shumtë. Duke qenë dëshmitar i shumë ngjarjeve të rëndësishme në periudha kyçe, Agron

    çobani sjell për herë të parë fakte të papublikuara, analiza interesante dhe refleksione mbi ndodhi tronditëse në vite. Në librin e tij, Agron Çobani ka shkruar edhe për vdekjen e Mehmet Shehut, të cilin ai u shpreh se, e kishte ndjerë më parë përgatitjen e goditjes që iu bë, ish- Kryeministrit të Shqipërisë.

    Rekujem

     Në jetën aktive të tij, gazetari i mirënjohur Agron Çobani veçon punën e gjatë me mikrofonin e radios.

     “Dua të theksoj faktin se, unë e kam dashur radion pastaj dhe televizionin. Është një jetë e tërë, pothuaj 40 vjet punë në Radio Televizionin Shqiptar. Të qëndrosh në një institucion kaq gjatë, ose e dashuron me shpirt atë, ose e urren e s’do ta shohësh me sy. Mua më ka qëlluar e para. Kjo, edhe për arsyen se i kam bërë të gjitha llojet e punëve në këtë institucion”, shprehet për gazetën “Telegraf”, ish-drejtori i RTVSH-së. Sipas tij, mbase mund të jetë një rast unikal, që në një institucion fillimisht të jesh bashkëpunëtor, pastaj gazetar, të jesh korrespodent special, më pas shef redaksie, drejtor i Radios, drejtor i Televizionit, pastaj Drejtor i Përgjithshëm, më pas të kalosh si drejtor i kanalit të dytë të Radios, përgjegjës i kasetave, sërish drejtor në Radio e më pas në Televizion. Të gjitha këto punë, Agron Çobani shprehet se i ka bërë me një dashuri të pazakontë. “Nuk dua të kaloj në sentimentalizma, për të thënë që “radio është jeta ime”, por mund të them pa druajtje, se ajo është një pjesë e mirë e jetës sime”, shprehet ai.

     Intervistë e dhënë për “Telegraf”, më 10 Maj 2010