Një vit paVaçe Zelën

606
Sigal

Ajo mbush sot një vit që është ndarë nga jeta, por mbetet ende gjallë me zërin e saj magjik

Ajo mbush sot një vit që është ndarë nga jeta, por mbetet ende gjallë me këngën dhe me zërin e saj magjik. Ajo dëgjohet ende në radio, kasetofonë, në televizione, në lokale, shtëpi, kudo ku dëgjohet këngë. Zëri i saj brilant është i pazëvendësueshëm. Ajo ishte e mbetet nderi i një kombi  të tërë. Këngët “Fëmija i parë”, “Sot jam 20 vjeç”,  “Shoqet tona ilegale” do mbeten në panteonin e pavdekësisë së muzikës shqiptare si të papërsëritshme për mënyrën e interpretimit. Vaçe Zela lindi më 7 prill 1939, në Lushnjë dhe u nda nga jeta më 6 shkurt 2014, në Bazel. Ajo ishte dhe mbetet një këngëtare ikonë e skenës shqiptare  Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte, atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur, numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli “Artiste e Merituar” në vitin 1973 dhe “Artiste e Popullit” në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002, Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor. Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”. Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.