Një skicë e hershme Bilal Xhaferrit për lumin Erzen

107

Xhaferri ishte një shkrimtar i rrënjëve të etnisë kur letërsia shqipe lavdëronte idetë e socializmit

Gëzim Llojdia

1.Në majin e largët të vitit 1966, Bilal Xhaferi boton mes tjerave një skicë letrare “Buzë Erzenit të argjendtë”, shkruar mjeshtërisht. Se çfarë mjeshtri ishte B. Xhaferri e tregon edhe kjo skicë e vogël botuar në gazetën letrare të kohës: “Drita”. Sic tregohet në dokumente të vjetra, emri Erzen ka mbetur nga fjala ergjend, thotë B. Xhaferri. As që mund të gjendej emër më i bukur e më i përshtatshëm këtij lumi. Poeti dhe shkrimtari çam fillon të analizojë ngjyrën e argjendtë, që dikur kishte lumi në Shqipërinë e Mesme, i gjatë 108 km, dhe me burime nga Mali me Gropa, në një lartësi ~ 1200 m mbi nivelin e detit. E me të vërtetë këtu çdo gjë është e argjend, thotë poeti. Rëra, drita, uji. Nganjëherë në pasditet e kthjelltë të verës përpara se të bjerë mbrëmja, bërrylave të gjerë të lumit, ajri merr një shkëlqim të çuditshëm dhe duket sikur nëpër të filtrohen të gjitha ngjyrat, kaltërsitë e hapësirës, blerimit e tokës, drita e diellit, të shkrira në një ngjyrë të vetme argjendi të kulluar.

2.Një përshkrim i poetit B. Xhaferri, vijon më tej.

Në një nga këto pasdite të kthjellta vere stadiumi i Shijakut ishte mbushur me nxënës që bënin provat e manifestimit fizkulturor. Poeti vijon sërish dhe kthehet të lumi, që i ka verbuar shpirtin. Dielli ulej matanë, Erzenit dhe ata të kthyer andej dukej sikur me ushtrimet e tyre e përshëndetnin e i uronin rrugë të mbarë në udhëtimin e tij.I shikoja dhe mendohesha, thotë poeti. Do të kalojnë vite. Të gjithë këta nxënës, që nga filloristët të cilët do të dalin edhe shumë herë të tjera këtu për të bërë prova deri tek maturantët, të cilët nuk do të dalin asnjëherë më, të gjithë i pret stadiumi i madh i jetës. Dihet që B. Xhaferi edhe pse ishte një shkrimtar i fuqishëm njihet pak në vendin e tij, për shkak të edhe të rrethanave, që ndoqën ikjen e tij. Bilal Xhaferri, ishte një ndër shkrimtarët më të talentuar gjatë komunizmit. Ai u arratis nga Shqipëria pasi u persekutua nga regjimi komunist. Ndërroi jetë në spital, në Çikago në rrethana të panjohura.

Sabri Hamiti thotë: “Bilal Xhaferri ishte një shkrimtar i rrënjëve të etnisë në vitet gjashtëdhjetë, kur letërsia shqipe ose lavdëronte idetë e socializmit ose fitoren në Luftën e Dytë Botërore, duke e thjeshtësuar këtë në absolutin ideologjik të përparimit. Në këtë aspekt, Xhaferri duket i vetmuar për kohën, duket i lidhur me letërsinë e paraluftës; po ky tashti të kaluarën nuk e shikon në stilin e himnizimit e të lavdit, si mbështetje për problemet aktuale, po pikërisht duke marrë një qëndrim kërkues e kritik për të kapur esencat krahas situatës kalimtare. Në këtë vështrim, kërkimi letrar i Bilal Xhaferrit në të shkuarën, në rrënjët etnike, nuk bëhet si shpalim dhe magjepsje me të kaluarën, po pikërisht si kërkim për të bërë ndërkomunikime të kohëve.”

3.Shikoni me çfarë gjuhe te bukur, flet poeti. Poeti i fjalës dhe vargut të bukur B. Xhaferi shkruan: Nesër. Bie shi. Ka rënë shi tërë natën dhe tërë natën ushtarët marshuan në rrugët e maleve. Tani janë vendosur në hendeklidhje të mbështetur pranë armëve. Në dritën e agimit shkëlqejnë nëpër shi, helmetat, tytat e mitralozave, bajonetat e zbërthyera. Stërvitjet ushtarake të kohës, janë përshkruar me finesë dhe vërtetësi nga autori. Ashtu ishin kohet asokohe.

  1. Ajo që tërheq vëmendjen në këtë skicë është teknika e përshkimit ku njëri nga më mjeshtërorët mbetet ai i nënës.

Nesër. Nëna, që sapo është kthyer nga turni i përkulet te kryet foshnjës. Vetvetiu nis e këndon me vete një nina-nana aqë të ulët sa mezi dëgjohet. Foshnja pi. Nga dritarja drita e praruar. Kjo nënë punëtore që përkundet kështu me foshnjën në gji, është ajo gjimnazistja e djeshme që ushtronte me aq qetësi e elegancë lëvizjet fizkulturore. Gjimnazistja e djeshme.

Motra e tij Antika ka rrëfyer për median 27.al: “Ne ishim pesë fëmijë. Nëna na vdiq shumë e re në vitin 1943, Bilalin e la 8 vjeç, pas dy vjetësh na pushkatuan babanë! Na mori gjyshi në shtëpinë e tij të na rriste. Unë isha më e vogla. Babai më la 4 vjeç. Gjyshi ishte plak, i sëmurë dhe i verbuar nga sytë. Jetonim në një varfëri të tmerrshme. Atëherë kishte filluar lufta e klasave, nga Partia Komuniste. Në fshat filluan të na përbuznin, qoftë edhe me sy, kur na hasnin rrugëve. Bilali, si vëllai më i madh, në moshën 10 vjeç na u bë nënë dhe babë. Të gjitha hallet e familjes ranë në kurmin e njomë të tij. Pasi mbaroi shkollën fillore 4-vjeçare, për dy vjet “gjezdiste” për të punuar, që të na ushqente. Rraskapitej fshatrave për një copë bukë, dhe një ditë mori rrugën për tek halla në Sarandë. Ishte 12 vjeç, filloi punë si shpërndarës letrash dhe gazetash në Postën e Sarandës.”

Poetit Bilal Xhaferri ia ndrydhën talentin e përndoqën dhe një botim i tij mbeti enigmë sikurse vdekja misterioze, më 14 tetor 1986 në Çikago. Kjo skicë, poezitë si dhe tregimet e tjera të B. Xhaferrit duhet të bëhen të njohura në librat e shkollës. Bilal Xhaferri mbetet një ndër shkrimtarët që u persekutua kudo që shkonte derisa u detyrua të mërgohej, duke u arratisur prej kufirit. Publike janë bërë edhe disa biseda dhe kujtime që flasin për polemikat e poetit më shkrimtarin I. Kadare.