Një shqiptari i plas bomba në dorë, tjetri u vetëvra në Itali

517
Dy shqiptarë gjetën vdekjen dje në Itali, në dy ngjarje të ndryshme, por të dyja me rrjedha krejt tragjike. Së pari, në rajonin e Ligurias, një shqiptar 19 vjeç vdiq gjatë përgatitjes së një atentati në një pikë bastesh. Një tjetër shqiptar 28 vjeç mbeti i plagosur, ndërsa në pranga ra shqiptari i tretë që do të merrte pjesë në atentat. Ndërkaq, në Romë një shqiptar 54 vjeç, pardje theri të shoqen me thikë dhe u largua nga shtëpia. Duke menduar se e kishte vrarë, ai vrau veten dhe u gjet i vdekur mëngjesin e djeshëm, ndërsa gruaja ndodhet e plagosur në spital. Policia ka nisur hetimet për të dyja rastet, duke arrestuar personin e tretë që ishte në atentatin e ndodhur në Liguria.
Atentati
Ditën e djeshme, një shqiptar ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur në rajonin e Ligurias në Itali. Dy të rinjtë kanë tentuar të shkatërrojnë një lokal bastesh duke i vënë flakën, por kanë mbetur vetë viktima. Ngjarja u shënua në orës 3.00 të mëngjesit të djeshëm, në sheshin Calvi të Ligurias. Plani i të rinjve nuk ka shkuar ashtu siç ata menduan, pasi kanoçja me benzinë i ka shpërthyer në dorë 19-vjeçarit, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë që bashkëpunëtori i tretë ka marrë plagë të lehta. Dëshmitarët thanë se “shpërthimi ishte aq i madh, saqë dera e pikës së basteve u gjet 40 metra larg”. Shqiptari tjetër që u plagos u dërgua menjëherë në spital dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Mediat italiane nuk japin identitetin e shqiptarëve. Ndërkaq, nga mediat italiane raportohet se pati dëmtime të shumta edhe në ambientet përreth, teksa po punohet për përcaktimin e pistave hetimore, ndonëse paraprakisht dyshohet për një atentat të porositur për çështje konkurrence që ka lidhje me organizatat mafioze. Kësisoj, policia arrestoi mbrëmë vonë personin e tretë që ndodhej atje dhe ka ngritur akuzën e përgatitjes së atentatit të paguar nga konkurrentët e këtij biznesi.
Vetëvrasja
Një shqiptar 54 vjeç, i cili prej vitesh jetonte në Romë bashkë me familjen, qëlloi disa herë me thikë të shoqen. Nga ngjarja e ndodhur në orën 22.00 të së dielës, 45-vjeçarja mbeti e plagosur rëndë dhe i ndodhur në ato rrethana, duke e lënë të shoqen mes pellgut të gjakut, shqiptari u largua nga shtëpia. Në moment mbërriti një nga fëmijët e çiftit, i cili e dërgoi nënën në spital, teksa u lajmërua policia. Ndërkaq, forcat e policisë nisën kërkimet për gjetjen e agresorit, duke e kontrolluar në vendet që ai frekuentonte shpesh. Kështu, mëngjesin e djeshëm, rreth orës 07.00, u gjet trupi i pajetë i 54-vjeçarit. Policia nisi menjëherë hetimet, por deri më tani nuk janë gjetur shenja dhune në trup. Kësisoj, ekspertët kanë ngritur dyshimet, sipas të cilave shqiptari ka vrarë veten, duke menduar se e kishte vrarë të shoqen. Ende nuk dihen shkaqet e sherrit që çoi në këtë tragjedi me një të vdekur dhe një të plagosur, ndërsa fëmijët kanë rrëfyer se prindërit kishin mosmarrëveshje të shumta.
Sigal