Një shpirt i derdhur mbi reliev…

    482
    Sigal

    – Mbresa e meditime për filmin “Legjenda Paço”e autores Nadire Buzo –

     Me siguri, vite më parë,  skenaristes së mirënjohur Nadire Buzo, i ka qëlluar të vizitonte Krujën e bekuar dhe sytë e mendja i janë hedhur tek kalaja hijerëndë që pret e përcjell vizitorë nga të katër anët e globit. Eh, si sillet historia, zihen e përzihen ngjarjet si retë. Këtu 5-6 shekuj më parë kryeqendra e heroit tonë kombëtar Skënderbeut – siç dihet, kjo fortesë arnaute në Ballkan, ishte bezdi e kokëçarje e madhe për Portën e Lartë, andej brigjeve ta Marmarasë, në Stambollin otoman, dikur i quajtur Kostandinopojë. Kruja e Gjergj Kastriotit me të tijët pati jehonë të gjatë në të dy kontinentet, në Azi dhe Europë, për shkak se kryetrimi guxoi kur e thirri zëri i Atdheut, ndaj iku dhe mbërriti në Shqipëri, për të mbetur përjetë simbol i lirisë, që siç do të thoshte vetë në kala, se, “lirinë e gjeta në mes tuaj”. Por mëria otomane po zgjaste si shumë… Heroi erdhi me mision për të mbetur sidomos në shpirt të revoltës e të kryengritjeve shqiptare që do ta pasonin, gjer në agim të pavarësisë.

    Kishte kohë që shqiptarët e përmendnin, e shihnin në ëndërr kryeheroin, e gdhendnin në shkëmbinj, në sixhade, në enë druri, por prapë ata e donin ndryshe, të gjallë, me kalë… Dhe dëshirave të tyre shekullore u erdhi në ndihmë, një stërnip i heroit, i cili na solli heroin “të gjallë” me frymën e  tij. Ai e derdhi me përfytyrimin më të plotë kolektiv të shqiptarëve, duke e vendosur në mes të qytetit simbol të tij dhe të gjithë kombit. Skënderbeu mbeti këtu hipur mbi kalin e bronztë, ca i djersirë nga koha, pajisur me takëme luftëtare. Duket sikur zbret nga mali sipër Krujës, që mban emrin e tij dhe është gati për betejë…. Ky çast heroik është kapur, modeluar dhe derdhur në bronz aty nga mesi i shekullit të kaluar dhe vjen në ditët tona taze, dhe ndoshta do të mbetet këtu, për shekuj, gjithë jetën. Kjo është vepër e shquar monumentale, krejt e përveçme, derdhur nga shpirti e mundi i artistit gjigand, Skulptorit të Popullit, Janaq Paço, i cili ia bëri dhuratë Atdheut të tij, vepër, e cila ka depërtuar thellë në ndërgjegjen e shqiptarëve, duke realizuar një ëndërr të gjallë krenarie historike. Frymën e gjallë që sillte kryevepra e mjeshtrit J.Paço, për figurën e heroit tonë kombëtar, do ta konfirmonte publikisht nga Bostoni edhe Noli i ndritur, 4-5 vite para se te mbyllte sytë përgjithmonë në SHBA.

    Në vorbullën e këtyre fakteve të njohura, për një kohë të gjatë edhe autorja Nado Buzo, e pushtuar nga muza krijuese, ka punuar pa zhurmë, por plot përgjegjësi e përkushtim, dhe një ditë mesdhjetori e solli dhuratën e saj, për ta bërë publike për kulturën kombëtare, duke patur në qendër figurën e skulptorit Janaq Paço, në një film dokumentar artistik. Në prani të një publiku të përzgjedhur që kishin mbushur sallën përplot ajo solli, copëza shpirti të artistit të madh e të veprave të tij, të derdhur në vite në reliev. Eventi artistik e kulturor u zhvillua në sallën e madhe të Muzeut Kombëtar.

    Po si na vjen nga autorja Buzo në ditët tona, dimensioni i këtej artisti të madh, që është ndër ata kapacitete me vlera të rralla që numërohen me gishta të njërës dorë, në filmin e ideuar, shkruar, realizuar e me regji të zonjës Buzo.

    Dihet se skenarët si gjini e vështirë e shtjellimit të kursyer, në substancë, përbëjnë mundim por edhe një kureshti të lakmuar letrare për çdo krijues. Por kur jeta dhe veprimtaria e figurave objekt, për këtë lloj krijimtarie, duke patur kulme artistike dhe kurba ngritje-uljesh, me vlerësime e mërzi të një kohe nevrike, kur dashuritë lindin e rriten, por plagosen e shpesh mbeten sakate, atëherë skenaristët dhe regjisorët, kanë fakte e gjurmë me bollëk dhe muza e tyre kullot si në Maj. Dhe kështu ka ndodhur edhe me autoren në fjalë, e cila duke hulumtuar për një kohë relativisht të gjatë, grumbulloi, zbuloi, sistemoi e klasifikoi, lëndë të mjaftueshme, si foto, biseda, ndodhi, pëshpërima e dëshpërime, të cilat i qëndisi me metafora dhe ide filozofike, i pasuroi më tej, për të nxjerrë një dokumentar disi të përveçëm, duke kombinuar faktet historike me krijimin letrar e lojën aktoriale. Ishte natyrisht e vështirë realizimi faktik i filmit, i cili kërkon talent, dituri dhe përkujdesje të përzgjedhur, për të dhënë veprimtarinë e tij në mënyrë sintezë e sa më besnike për brezat që do të vijnë. E vëmë theksin në këto drejtime, pasi dihet figura të tilla si Janaq Paço, ishin e janë maja në kulturën tonë kombëtare, me veprat e tyre të pangjara monumentale.

    Ndaj mund të thuhet se, filmi për të nënvizon qartë idenë se gati e gjithë vepra artistike e këtij artisti të madh, do të  përmendet, shpesh e më shpesh, si një model i përveçëm, për nivelin e lartë të emocioneve të pashtera që dhuron, pasi ajo është reale, e vërtetë, e bukur, hijerëndë që ruan përbrenda frymë të pashuar, duke ndezur flakë liridashëse, për t’i bashkuar shqiptarët kurdoherë, sido që të vijnë kohërat dhe për t’i bërë të dobishëm e krenarë kudo.

    Në këtë dokumentar për jetën tepër dinamike e me vepra të skulptorit me shije të hollë, autorja Buzo ndriçon të pathëna, pengje e drama të tij dhe vlera të panjohura historike, duke dalë direkt e indirekt edhe qëndrime e prirje të kategorive të caktuara shoqërore e zyrtare në raport me krijuesin e madh.

    Prej filmit të mbeten në kujtesë ca grimca të çuditshme për të që nga  rinia e tij, çka dëfton talentin e madh që do të arrinte më pas Olimpin e artit shqiptar. Përmetari i ri do të shkollohej në shkollat e shquara të artit helenik, ku do të përfundonte shkëlqyeshëm  studimet në Akropolin e Athinës së lashtë, nga ku fillimisht do të provonte të derdhte për herë të parë në mermer me dorën e tij portretin e një shoqeje, që ajo do t’i ngjante Deas së famshme. E kishte punuar me shumë dashuri ndaj veprën e mori me vete ta sillte në Shqipëri. Por duke u kthyer para lufte, për në Atdhe, atij do t’i krijoheshin telashe nga organet doganore greke, që dyshuan për grabitjen e kësaj vepre skulpture nga Eledha. Po, jo ajo ishte e tij, derdhur për herë të parë nga shpirti i tij, thellësisht i ndjeshëm… Derisa mbylli sytë, dëfton shoqja e tij e jetës, artisti do të jetonte me modelet e tij heroike dhe erotike. Ishin interesante edhe çastet e perëndimit të artistit, kur ai, nuk do të shtrëngonte dot më baltën plastelinë për vepra, por qoshen e çarçafit të bardhë e cila i  dukej njësoj… E tillë, ishte jeta e përkushtuar e këtij kryeartisti, i cili  më vonë pati edhe nota dramatike, megjithë vlerësimet plotësisht të merituara. I tillë ishte Janaq Paço, ndër nxënësit e më të zellshëm e më të mbrujtur me idetë e rilindjes, që erdhën për ta bërë Shqipërinë, që si pak të tjerë, la gjurmë, provoi lavdinë, por edhe mërzinë, që në gjallje. Duhet përmendur se ai nuk mori gjë me vete, vetëm la gjurmë e dëshmi të rënda përmbi Shqipëri, duke shkruar me shpirt në reliev shpirtin e shqiptarëve…

    Sheh filmin e zonjës Buzo e njeh veprimtarinë e frytshme të kësaj autoreje dhe të dalin pyetje, se kush është ajo dhe çfarë e shtyn këtë krijuese, që merret përgjithësisht me portrete filmash të mjaft figurave kulmore e protagoniste, në gjerarqinë e vlerave e me kontribute të veçanta letrare e historike që i bëjnë nder artit në përgjithësi e atij shqiptar në veçanti, duke hijeshuar e përfaqësuar me dinjitet kulturën tonë kombëtare gjithandej.

    Presente, e angazhuar në media e në problemet shoqërore, duke dhënë kontribute në fushën e kulturës, artit, etnografisë, e dalluar në autoret sqimatare. E lindur në Shkodër, me origjinë nga Stëbleva e Gollobordës, shkolluar e banuese në Tiranë, specializuar disa herë brenda e jashtë vendit, ndër të cilat për marrëdhënie ndërkombëtare, ajo është bashkëpunëtore e vlerësuar në TVSH, TVA e KLAN, skenariste në 20 filma dokumentarë si filmi “Trashëgimi”, për poetin Lasgush Poradeci, “Në një cep të Ilirisë së Poshtme”, për veprën e shkrimtarit Mitrush Kuteli, “Frikë Harrimi”, për poeten  e shkrimtaren Flutura Açka, “Mjeshtri i madh – Kodra”, mbi veprën e piktorit të madh Ibrahim Kodra, “Realitete përtej detit”, për emigrantët tanë në Itali, “Këmbanat e kujtesës”, “Integrimi në Europë”, vëllimi me ese “Me Remarkun një natë në Lisbonë” etj., etj..

    Zonja Buzo, krijuese plot talent, skrupuloze e me ambicie, shquhet përgjithësisht për pasion e guxim dhe bën pjesë ndër modelet më të arrira, që kanë  e ruajnë zjarrminë krijuese. Gati në të gjitha publikimet e saj letrare ka sjellë vepra të pëlqyera, të vlerësuara për emocion të lartë, kulturë dhe mesazhe që nuk treten, por mbeten, jo vetëm në kujtesën e studiuesve, por sidomos edhe për kujtesën publike, ku jepen kontribute  të dobishme diturie dhe artistike.

    E tërë veprimtaria e saj krijuese tërhiqet, apo u qaset figurave kulmore, ku me sa duket muza dhe shpirti i saj i kanë fort për zemër. Është fakt se shërbimet e veçanta që kjo krijuese atdhetare, ka sjellë në lëmin e artit, ajo e ndjen si detyrë, si bijë e një familjeje ku patriotizmi e sedra kombëtare kanë rrënjë të thella, e me bazë qëndrese. Rrëfimi i saj prej arti të vërtetë, i paraqet figurat objekt ndriçimi plot ngjyra jete, me ide e mendime të karfosura, të qëndisura e të dokumentuara. Ajo e kishte merak të madh përgatitjen e skenarit e regjisë për dokumentarin për Janaq Paçon, këtë bir të shenjtë, këtë protagonist monumental të arkitekturës shqiptare, duke sjellë shpirtin e tij me shenja të plota gjallërie duke e titulluar me shumë arsye e vend “Legjenda Paço”. Është shkruar e do të shkruhet plot herë për këtë figurë të nderuar të artit pamor, por gjykoj se filmi i zonjës Buzo, do të shpërfaqet për Janaq Paçon, si një dëshmi besnike e madhështisë së tij, në gjithë gjerarqinë artistike që arriti në ato maja, vetëm me talent, vullnet dhe punë të palodhur e sistematike, me vepra që do të stolisin kulturën e kujtesën e kombit për brezat mbarë, si  një talent të rrallë që i fali zoti artit shqiptar të skulpturës monumentale klasike.

     * * *

     Atë natë të ftohtë  dhjetori, shkrimtarja e regjisorja tepër e vëmendshme na ngrohu me tërë elementët e ceremonisë, me organizmin e shfaqjes së filmit, pritjen e përcjelljen e miqve etj.. Nën peshën e thellë të emocioneve zonja Buzo fisnike e mirënjohëse, nuk harroi pa përmendur miqtë e saj dhe stafin me të cilët pati bashkëpunim të frytshëm në filmin që realizoi.

    Me fjalë zemre përshëndeti të gjithë ata që kontribuuan për evidentimin e figurës së “Artistit të Popullit” Janaq Paço, që nga studiuesi i mirënjohur Gjergj Frashëri, skulptorët Sadik Spahiu e Vladimir Llakaj, aktorin e shquar Vasian Lami, producentin Ferdinand Sula, Refik Halili, vila “Gold”, stafin e televizionit Satelit, operatorin Donald Grepcka, menaxherin Elton Copani, miksazishtin Ermal Bardhi, ndihmën e pakursyer të Pluton Vasit etj., duke nënvizuar idenë se veprat e realizuara me sukses e kanë një të fshehtë, ato kërkojnë mirëkuptim e përkushtim kolektiv…

    Ndaj puna krijuese dhe mundi i realizimit të këtij filmi me autore Nadia Buzo e stafin e saj, meritojnë përshëndetje publike letrare, pasi vepra që u paraqit, nuk ishte thjeshtë një homazh rutinë, por  portreti më i plotë i një artisti të vërtetë, ku ai la gjurmë të pashlyeshme, ku ai dhe zemra e tij rrahën për artin dhe Shqipërinë, e nuk do të harrohen, ku ai dhe zemra e tij dëftuan mozaikun e jetës nëpër stinë dhe ca deramete të ruajtura diku në qoshe të shpirtit…

     ILIR BALILI