Një muaj para fillimit, shkollat e Durrësit në gjendje kritike

    369
    Sigal

    Që nga përfundimi i vitit  shkollor, asnjë ndërhyrje në shkollat e Durrësit nga MAS, situata e njëjtë

     E ndërsa mbeten edhe afro një muaj nga nisja e vitit të ri shkollor 2014-2015, në Durrës ka shkolla të sistemit 9-vjeçar dhe të mesme që janë në pikën e hallit. Ministria e Arsimit ka menduar që ambientet shkollore të jenë po ato, ku mësimi ka raste që bëhet edhe në apartamente banimi, godina 2-3 katëshe me ambiente e pa ambiente të përshtatshme për një proces mësimor. Gjithë muajve të verës, nuk është parë dhe konstatuar asnjë punim, asnjë zbatim projekti në shkollat e qarkut, për të qenë gati për vitin e ri arsimor. Ministria e Arsimit akoma nuk ka plane dhe projekte urgjente për arsimin parauniversitar, aq i rëndësishëm në formimin e të ardhmes së kombit, i lënë në hije dhe me shumë probleme. Ministria e Arsimit, me mbështetjen e qeverisë (si në reformën për arsimin e lartë) duhet, të kishte bërë të njëjtën gjë edhe në arsimin parauniversitar që përfshin qindra shkolla 9- vjeçare dhe gjimnaze në të gjithë vendin, të cilat në pjesën më të madhe të tyre nuk plotësojnë as kushtet minimale për strehim, jo më për shkollim. Shumica e këtyre institucioneve të dijes, ushtrojnë aktivitetin e tyre në shkelje të çdo ligji, rregulloreje, udhëzimi apo vendimi të MAS. Duket se këtë ecuri negative do të vazhdojnë ta bëjnë edhe këtë vit të ri shkollor. Lufta e qeverisë dhe MAS ndaj universiteteve informale është për t’u vlerësuar, por nuk duhet lënë pas dore trajtimi edhe i sistemit shkollor 9 vjeçar dhe të mesëm. Lënia jashtë vëmendjes e një reforme të premtuar edhe në arsimin parauniversitar, vë para përgjegjësisë qeverinë. Qeveria ka mundësinë i të mbyllë gjithashtu çdo objekt të ashtuquajtur shkollë, pa asnjë kriter për t’u quajtur e tillë, si përsa i përket infrastrukturës, ashtu edhe personelit, kurikulave etj.. Qeveria vazhdon të heshtë përballë kësaj anomalie të krijuar vitet e fundit në arsim, e cila sa më shumë të zgjasë aq më të mëdha do t’i ketë dhe pasojat. Shkaqet e neglizhencës në këtë sistem ende nuk janë shpjeguar nga MAS. Kushtet skandaloze në të cilat janë ngritur shumë shkolla në të gjithë vendin, tregojnë se nuk mund të flitet për institucion arsimor. Megjithatë, qeveria e mëparshme pranoi të licenconte çdo apartament me qira, hyrje pallati, banesë përdhese, për ta kthyer në shkollë. Pranoi për interesa të ministrave me pretendimin se “kështu ndihmohej konkurrenca”. Kjo situatë e krijuar e shkatërroi konkurrencën, pasi objekte të papërshtatshme me personel të pamjaftueshëm e krejtësisht fillestar u ngritën në çdo qytet e lagje. Nga ana tjetër shkollat private parauniversitare, falë lojës me çmime më të reduktuara konkurrojnë me shkolla të vërteta që plotësojnë çdo standard jo vetëm vendas, por dhe të huaj. Vitin e kaluar arsimor, kishte raste kur në shkollat private parauniversitare në provime rezultuan mbetës afro 95 për qind e nxënësve. Asokohe krerë të Ministrisë së Arsimit deklaruan “rishikimin e licencave të shkollave private Arsimi privat, veçanërisht ai parauniversitar, i cili po prodhon dita -ditës vetëm analfabetë”. Por duke u ndalur tek ambientet shkollore, konstatojmë se ato mbeten akoma larg realitetit dhe premtimeve. Sipas statistikave dhe burime nga DAR Durrës, mbi 23 shkolla në shkallë qarku duhet urgjentisht t’i nënshtrohen rikonstruksionit nga e para, pasi rrezikojnë që viti i ri shkollor 2014-2015 t’i klasifikojë ato të papërshtatshme për mësimdhënie.

    Artur AJAZI